Blog

Skënderbeu mes lodrave të fëmijëve dhe kioskave - Nga Ndue Dedaj

- Në Tiranë dhe në Prishtinë -

Pastrimi i mjedisit urban të Tiranës duhej të kishte nisur jo nga tendat dhe xhamat e bar-restoranteve, por pikë së pari me “çlirimin” e monumentit të Skënderbeut nga objektet e papërshtatshëm që ia kanë zënë diellin, sigurisht ata që mund të hiqen, pasi kullat gjigande me kate pa fund kanë eklipsuar gjithë kryeqytetin, për sot e përgjithmonë, jo duke e modernizuar, por duke e tjetërsuar atë përfundimisht. Çdo qytet në zë, aq më tepër metropoli i një vendi ka disa shenja historike që e bëjnë atë një tempull për banorët dhe vizitorët e përhershëm, çka do të thotë se aty nuk lejohet asnjë fije bari e tepërt dhe e asgjë e panevojshme.

As që e kishte shkuar ndonjëherë ndërmend Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, se do të kishte këtë “fat” të habitshëm, në Tiranë të gjendej “i zvogëluar” nën hijen e karuselit të fëmijëve ngjitur me përmendoren e tij, kurse në Prishtinë të ishte i rrethuar nga kioskat ngjyrë bari, që rrinë ngujuar aty në pritje të panairit të radhës të prodhimeve artizanale, ndërkohë që monumentet e tij trajtohen me dinjitetin e merituar në Krujë, Lezhë etj.

Nuk ndodh askund ajo që ngjet me dy monumentet e Heroit, rrethuar në të dy sheshet qendrore të dy kryeqyteteve nga godinat qeveritare. Udhëheqësit e sotëm përbetohen mbi flamurin e krijuesit të shtetit shqiptar të Motit të Madh, vlerat kombëtare dhe europiane të tij, po ashtu dhe dy kryebashkiakët që përkujdesën për dy kryeqytetet, e megjithatë “tregtia” e karuselit të fëmijëve dhe e kioskave të gjelbra ia ka dalë ta nxjerrë Skënderbeun nga logu i tij madhështor.

Ndokush mund të thotë, po një lodër për argëtimin e fëmijëve është dhe s’u bë nami, fëmijët kanë përparësi, pastaj karuseli është një gjë e lëvizshme etj. Edhe për mendimin tonë fëmijët janë të parët, por atyre ua kanë prishur atë parkun me karusel vetëm pak qindrametra më tej këtij të sotmit, te Rruga e Elbasanit, apo, fundja, të lihej ndonjë nga ato kullat fantazmë pa u bërë, qoftë dhe ajo me imazhin e kryeheroit dhe të ngrihej aty parku i lodrave, bile të kishte nja dhjetë të tillë në të gjithë Tiranën, mundësisht pa pagesë, ama nuk është e thënë që karuseli t’i rrijë mbi krye përmendores numër një të Shqipërisë! Janë ca vende të shenjta, ku nuk shkohet për të luajtur, as për të ngrënë qofte e përtypur fara luledielli.

Ka gjasë që në ditët e sotme përmendoret e heronjve të kenë mbetur disi të vetmuara, shkon apo nuk shkon ndokush aty në raste përvjetorësh, me ndonjë kurorë a tufë lulesh, por ky do të ishte një tjetër reflektim. I gëzohesh faktit që ka në vijimësi shtim të shtatoreve të Heroit Kombëtar, gjithandej në trojet shqiptare, te Arbëreshët, apo në parqe qytetesh europiane, amerikane e të tjerë - pa i hyrë problemit se nganjëherë ato mund të mos jenë në nivelin e duhur artistik dhe të vendosura në mjedise të papërshtatshme, si në Prizren, në një rrethrrotullim - por nuk mjafton fotografia e ditës së përurimit të tyre, lypet kujdes i përditshëm për to.

Mirë, kujdestarët e qytetit, bashkiakët e komunarët, që nuk kanë kohë të merren me të tilla “vogëlsira”, pasi kanë punë të mëdha e stërmëdha, nga kullat gjigante te plehërpërpunuesit e mëdhenj, që veç plehra nuk përpunojnë, për më tepër duke zënë “poshtë” disa ministra, po si nuk u ndalua dhe një kamerë televizive për t’ia dëftuar publikut të gjerë se ku e kemi katandisur Heroin Kombëtar në bronz!? I vijnë rrotull turistë të shumë si në Tiranë, ashtu dhe në Prishtinë dhe nuk e fotografojnë e filmojnë dot për shkak të “barrierave” të pafajshme që i kemi vënë anash dhe përpara.

Ku nuk ndalojnë gazetarët tanë VIP-a të ekranit, në çdo resort turistik, sidomos këtë verë, nga Saranda, Gjirit i Lalëzit në Bjeshkët e Namuna, duke na treguar me imtësi gjithë menynë e pasur të tyre, kinse po promovojnë si patriotë turizmin jo dhe aq patriotik (nga çmimet e kripura), por kamera e tyre askund nuk është vëzhguese ndaj dukurive që e shëmtojnë mjedisin urban, turistik dhe historiko-arkeologjik. E, pra, më afër se Sheshi “Skënderbej” në Tiranë dhe Sheshi “Gjergj Kastrioti” në Prishtinë nuk është asnjë “resort” tjetër, për ta ngritur zërin për mirëmbajtje të monumenteve, për këdo që dëshiron të japë ndihmesën e tij për (krye)qytetin, qytetarët, miqtë e huaj që na vizitojnë dhe sjelljen e institucioneve ndaj veprave publike. Nuk harxhon deri aty asnjë litër naftë…

Qytetarët më siguri presin që monumentet e Heroit Kombëtar në të dy kryeqytetet të mirëtrajtohen, por kjo zor që të ndodhë, pasi në Tiranë kryebashkiaku është në pranga prej muajsh e ata që e zëvendësojnë mbase s’e kanë “tagrin” me e spostue diku tjetër karuselin, kurse në Prishtinë deputetë e qeveritarë nuk arritën, për të 54-ën herë, të konstituojnë Kuvendin e tyre, prej sherreve të brendshme, le pastaj të kujtohen për heronjtë dhe lavdinë e së shkuarës.

E nisëm me Heroin Kombëtar, por ende më keq paraqitet gjendja e busteve, shtatoreve, përmendoreve në të gjithë Shqipërinë, përfshi dhe billbordet e mbytur me afishe politike apo reklama kapitaliste në stilin e “realizmit socialist”, gjer tabelat e rrugëve, qoftë dhe kur ato mbajnë emra si Aleksandri i Madh, çka lidhet me estetikën e munguar të qyteteve tona dhe jo vetëm. Sa për ilustrim, nga Prizreni në Prishtinë, billbordet e shumtë anash autostradës “Ibrahim Rugova”, që deri para zgjedhjeve mbanin fytyrat e politikanëve kandidatë për kryeministër, tash përmbajnë thuajse vetëm një reklamë, atë të një pije energjike.

Mjedisi urban më të vërtetë që lypet të jetë temë e ditës, në gjithçka që ka të bëjë me trashëgiminë dhe të sotmen.

© Ndue Dedaj

Tagged under Flasshqip.ca Ndue Dedaj