Prejardhja e shqiptarëve në dritën e zbulimeve më të fundit fare - Nga Dashnor Kokonozi
Tirana është ajo që është, rrugët e saj po ashtu. Në parim, duhet besuar se shërbimet komunale bëjnë çmos sipas mundësive. Për këtë arsye, nuk arrihet lehtësisht në një përfundim të besueshëm për raportin mes punës së tyre dhe edukatës qytetare. Jemi duke folur për pastërtinë urbane.
Por për vendet e shenjta nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Një nga këta është Fushë-Dajti, një vend i mrekullueshëm që e ngjisja fillikat kur isha fëmijë, për të kundruar qytetin nga lart për orë të tëra. Të vjetrit përmendnin toponime të një bote thuajse magjike: “Kroi i Perrisë”, “Guri i Lugatit”, “Shpella e Nuses së Bardhë” etj. Ky vend mbetej i shenjtë për sa kohë duhej ta meritoje: lodhje, ngjitje, respekt.
Pastaj erdhën kohë të tjera: teleferiku e bëri të arritshëm për të gjithë; të tjerët nisën ta pushtonin me makina. Kjo ndryshoi gjithçka. Në një kuptim, mirë që ndodhi kështu, vendet e shenjta nuk duhet të jenë privilegj i pak-kujt. Por ishte edhe një test për qasjen e turmave ndaj shenjtërisë së heshtur.
Vitet kaluan. Kur u ktheva aty pas kohësh të gjata, nuk dua të flas për tronditjen që ndjeva: plehra, fëlliqësi, shishe plastike dhe kanoçe të hedhura kudo pa kujdes. Tashmë kisha aq përvojë sa për të kërkuar simbolikën në gjithçka që shihja, i shihja si “shenja” për të bërë interpretime semiologjike sipas mënyrës sime.
Ajo që më la pa fjalë ishte fakti se administruesit e Fushë-Dajtit kishin vendosur disa kosha e thasë plastikë. Por të gjithë ishin bosh. Plehrat ishin gjithkund, përveç se aty ku duhej të ishin.
Nuk dua të komentoj. Kam tjetër qasje tani. Por këto shenja, ndonjëherë, e kalojnë arsyen dhe të detyrojnë të nxjerrësh përfundime që imponohen vetiu, pa dashje.
Këtë fenomen e kam vërejtur edhe në Francë. Sidomos në vendqëndrimet që bashkitë caktojnë për komunitetet romë, evgjitë, ciganë. Pa hyrë në kokëçarje mbi prejardhjen (Egjipt apo Indi, siç po provojnë analizat gjenetike), dihet se ata kanë mbi 1000 vjet që sillen nëpër këto anë. Autorët bizantinë i kanë përmendur që nga shekulli XV edhe në Ballkanin Perëndimor.
S’po bej ndonjë sakrilegj po të tregoj se edhe pas largimit të tyre nga këta vendqëndrime, pas mbeten katastrofa të vërteta ekologjike. Por nuk është kjo që dua të them, as nuk i paragjykoj.
Më intereson një fakt tjetër: bashkitë franceze kanë detyrimin atyre t’u ofrojnë ujë, energji elektrike dhe kosha për mbeturinat. Është një ndihmë e shoqërisë që ata të ruajnë traditat e tyre të imigrimit. Por, nëse ata vazhdojnë të ruajnë traditën, përsëri, plehrat që prodhojnë gjenden gjithkund, përveç se në vendet e caktuara.
Këto tipare interesante e të afërta me shqiptarët më shtyjnë të mendoj thellë për një origjinë të përbashkët. Jo që evgjitët janë me prejardhje shqiptare, kjo është e qartësuar tashmë, por ndoshta shqiptarët janë me origjinë evgjite.
Që nuk janë banorë autoktonë të këtyre trojeve dyshimet janë të shumta, se ç’është e vërteta të banosh prej mijëra vjetësh në një vend e të mos lësh asnjë gjurmë kjo është shqetësuese. Se në trojet që shqiptarët i quajnë të tyret, gjen aty toponime sllave, bullgare, greke, pak fare latine dhe duhet të nxjerrësh sytë vendit e të besh interpretime te dyshimta e të sforcuara që të "gjesh" gjësendi nga gjuha hibride e vendësve (përjashto ndonjë Qyteti Stalin).
Duke mos qenë anas, atëherë të cilës degë evgjite janë shqipëtarët? Se ata janë të shumtë. E vështirë të flasësh menjëherë se duhet kërkuar më tej. Paraprakisht mund të thuhet se kanë afërsi me degën e evgjitëve më dembelë. Nga ata që në një periudhë të caktuar përtonin edhe të lëviznin vendit dhe u bënë sedentarë. Se të tjerët, më kureshtarët, ende sot vazhdojnë udhëtimin e tyre të përjetshëm.
Nëse kjo nuk ju bind, atëherë duhet besuar se ka ndodhur diçka e tmerrshme: një thyerje shpirtërore disi e vonshme. Komunizmi ka shkatërruar lidhjen e njerëzve me vendin e tyre. Për ta tani gjithçka është e huaj. Shqiptarëve, në saje të represionin barbar që u ushtrua mbi ta, nisi t’u duket si një tokë vuajtjesh, si një kamp internimi, me tela me gjemba, ku lëvizja ndalohej dhe vdekja përgjonte pas çdo tentative arratisjeje.
Kjo shpjegon eksodin biblik që ndodhi. Por edhe kjo shprehje është eufemizëm. Hebrenjtë ishin disa mijëra. Shqiptarët janë miliona. Tmerri ishte aq i madh sa eksodi nuk ka shenjë që do ndalet. Shqiptarët nuk i besojnë më tokës së tyre.
Vetëm të privilegjuarit ndjenë se jetojnë në atë vend. Dje ishin nomenklatura komuniste; sot janë ministrat, kryetarët e bashkive, deputetët, biznesmenët “strategjikë”, përfituesit e tenderave, banditët, mafiozët etj. Se duhet pranuar, në çdo regjim, ka njerëz që jetojnë më mirë se më parë.
Kërkimi duhet vijuar. Por si tezë, ka të ngjarë që të jemi para një piste të mirë të origjinës sonë të vërtetë, asaj që na e kanë mbajtur fshehur të huajt dhe armiqtë e vendit.
© Dashnor Kokonozi - Francë
















