Në një moment të gjithë u bëmë autorë dhe krijues
- Nga: Nezir H. Kraki*
Në sallonet letrare të fejsbukut vlonin poezitë e shkrimet filozofike. Çdo fjalë, sado naive dhe e keqshkruar të ishte, shpallej fjalë e urtë dhe krenarisht n’publik dilte. Botoheshin edhe libra për t’u fotografuar me to dhe në to, jo për t’u lexuar. Shumë autorë të tillë, nga urgjenca e dukjes intelektuale, s’gjenin kohë as për t’i lexuar librat që mbanin emrin e tyre. Shpërndahej epiteti ‘shkrimtar’ siç shpëndahen bukët e nxehta në furrë.
Por...s’kaloi shumë kohë dhe një lodhje sikur i kapi të gjithë. U hetua që, në fakt, të gjitha krijimet, si të mirëfilltat ashtu edhe mediokret, po shkonin huq...sepse s’kishte më lexues. Tensioni u rrit kur u kuptua se madje edhe autorët e denjë për këtë emër kishin mbetur pa lexues. Edhe lexuesit e tyre, duke mos e dalluar lirinë e shprehjes nga liria e krijimit, shkruanin, ishin bërë autorë edhe ata.
Aty u kuptua se cikli ishte mbyllur.
Lufta lexues-autorë nxori fitues autorët.
Gjithë ato shkrime, libra, poezi e krijime mbeten pa u lexuar.
Dashamirë, a të bëhemi prapë lexues dhe t’i shpëtojmë krijimet e mirëfillta?
Jam i bindur se pas leximit edhe ne do shkruajmë më mirë, më thjesht, më shkurt dhe sidomos më sinqerisht.
***
P.S. Realisht, jam fort dakord me guximin e disave. Shumë mirë nëse secili krijon diçka. Krijimi është pasojë e mendimit. Ky tekst është më shumë thirrje për mendim më të gjatë e më të thellë para krijimit. Se krijimi nuk do nguti. Kështu kam lexuar diku, se as vet krijues nuk jam. Jam lexues.
* Pedagog i Shkencave Politike @Université Paris Est





















