Arben Kallamata: Aftësia për të kundërshtuar diktatin e njëshave të partive duhet të kthehet në normë të politikës shqiptare!
Rudina Hajdari është një zë i brishtë që simbolizon më tepër se çdo gjë tjetër opozitën që i bëhet ulërimave të turmave të bashkuara si grusht çeliku rreth liderëve të partive. Nuk ka pikë rëndësie nëse Rudina po bën atë që duhet apo atë që s’duhet. Rëndësi ka që ajo po bën diçka të ndryshme nga të tjerët sepse ashtu e mendon ajo. Rëndësi ka që ajo po thotë hapur mendimin e saj dhe se nuk pranon t’i nënshtrohet verbërisht disiplinës së partisë. Për këtë ajo ndëshkohet në mënyrën më të ulët nga tifozeria partiake dhe jo partiake, nga njerëz të cilët mendojnë se kanë të drejtë ta ulin, ta fyejnë, ta përbaltin një njeri vetëm e vetëm sepse mendimi i shprehur prej saj është i ndryshëm nga mendimi dominues.
Edhe ata që e përkrahin, domethënë ata që e përkrahin nga kahu i kundërt, nga kahu socialist, e bëjnë këtë sepse kështu mendon partia për ta, domethënë se kreut të partisë së tyre i leverdis politikisht qëndrimi i Rudinës dhe jo sepse admirojnë veprimin e dikujt që del kundër turmës. Po t’iu dilte atyre një Rudinë në mes të radhëve të PS-së do t’i vërsuleshin me të njëjtën egërsi me të cilën i janë vërsulur Rudina Hajdarit demokratët dhe pro-demokratët. Siç edhe iu janë vërsulur më parë edhe ata, edhe domokratët.
Pak e ndërlikuar? Jo dhe aq. Le ta përkrahim Rudinën për atë që është për t’u përkrahur, për të qënurit zë i ndryshëm nga ulërimat e turmës. Le të shpresojmë që ky zë të fuqizohet dhe që aftësia për të kundërshtuar diktatin e njëshave të partive të kthehet në normë të politikës shqiptare. Në fund të fundit, demokraci do të thotë shumëllojshmëri zërash, jo vetëm pallje në kor që mbështesin thirrjet e bajraktarëve.





















