Blog

Flamuri ynë dhe shovinizmi “modern” i Serbisë - Nga Dritan Goxhaj

Këtë shkrimin e sotëm do ta bëja para një jave, por vendosa të pres se mos kushedi jam i gabuar në gjykimin tim se qeveria e “Rilindjes” me në krye rilindatorin joshqiptar Ed(vin) Rama nuk janë aq joshqiptarë sa mendoj unë.

Por u zhgënjeva. U zhgënjeva me veten time sepse kjo qeveri e udhëhequr nga joshqiptari qenka edhe më joshqiptare seç e mendoja unë. Dhe unë doja të isha i gabuar në gjykimin tim.

Mendova se mos ndoshta për të shitur ndopak patriotizëm do të reagonin ndaj padisë së Gjykatës së Bujanocit bërë ndaj kryetarit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Ragmi Mustafa, për “Kryerjen e veprës kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar” në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar më 28 Nëntor 2019.

Mendova se do reagonte joshqiptari Rama, pasi u angazhua personalisht që partitë politike të shqiptarëve në këto tri komuna në jug të Serbisë të dilnin të bashkuara në zgjedhjet e Serbisë për hatër të Vuçiçit.

Mendova dhe prita që të reagonte edhe çiraku i Ramës në Ministrinë e Jashtme të Republikës sonë, në mos me një notë proteste ndaj ambasadës serbe këtu, të paktën më një deklaratë sa për sy e faqe.

Mendova dhe prita që, gjithashtu, të reagonte edhe ai që përbetohet për Kushtetutën, edhe pse ja pshurrin kushtetutën, vendorë e të huaj. E tani qëlloi që kushtetutën e përkatësisht nenin 8/1 ia pshurri gjykata e shtetit serb.

Kur dëgjova Besën (Shahinin) të fliste e dërdëlliste me rastin e largimit (dorëheqjes) nga detyra si Ministre e Arsimit se ajo është për bashkim kombëtar, mendova se ndoshta do e thoshte kjo një fjalë që shqiptarët në Serbi vazhdojnë akoma, ashtu si në kohën e Rankoviçit, Millosheviçit dhe Ibushit të Besës (Ibush Kllokoqi), të dënohen e gjykohen për flamur. Por jo, as kjo nuk tha asnjë llaf.

Prita më kot se mos i shpëtonte ndonjë llaf plakut të Berishajve, Saliut, por hiç, as edhe një zë, as nga ai e as nga opozita e bashkuar e ndarë.

Askush nuk reagoi, askush nga politika në shtetin amë nuk u sikletos e nuk u ofendua që shqiptarët në Serbi vazhdojnë të jenë viktima të shovinizmit serb, i cili e sheh flamurin shqiptar si armiqësor, edhe pse kryeministri ynë joshqiptar e ka mik për kokë kryeshovinistin në krye të Serbisë, Vuçiçin.

Padia e kësaj gjykate për një vepër të tillë hedh poshtë gjithë demagogjinë e atyre personave dhe qarqeve të tipit “politically correct” se Serbia është një shtet me të cilin mund të bashkëjetojnë shqiptarët.

Për Serbinë flamuri ynë është irritues, ndërsa kryeministri ynë joshqiptar lufton që me anë të Mini-Shengenit ta bëjë Shqipërinë pjesë të ëndrrës jugosllaviste të shovinizmit serb.

Si mund të mendohet që të mos kemi kufij e të bëhemi miq me Serbinë, kur kjo akuzon shqiptarët pse ngrenë flamurin kombëtar; akuzon shqiptarët pse reklamojnë identitetin e tyre kombëtar?

Shteti shqiptar dhe politika shqiptare duhet të reagonte sot njëzëri ndaj veprimit shovinist të gjykatës serbe. Shteti shqiptar dhe politika shqiptare duhet ta kuptojnë se ngritja e flamurit shqiptar në tre komunat shqiptare në Serbi nuk është e nuk duhet të jetë çështje opsionale dhe luksi, por thjesht një domosdoshmëri për të mbajtur të ndezur ndjesinë kombëtare, një domosdoshmëri e cila do të tregonte jo vetëm indentitetin e atij populli autokton në trojet e veta, por edhe një marrëdhënie të ndërsjelltë më grupet e tjera etnike në Serbi.

Shteti shqiptar duhet të fillojë mbrojtjen e shqiptarëve në ato tri komuna, duke e nisur nga e drejta për të valëvitur flamurin kombëtar jo vetëm për festa kombëtare, por sa herë të duan e ta shohin të arsyeshme. Më e pakta, kjo do u krijonte idenë se shteti amë po interesohet e kujdeset për ta, në mënyrë që ata mos ta ndiejnë veten të diskriminuar në shtetin në të cilin jetojnë, pasi ky veprim i gjykatës serbe është një ndër veprimet më diskriminuese që mund t’i ndodhë një etnie.

Serbia e Vuçiçit, me sa duket, nuk paska mësuar asgjë nga e kaluara e saj në marrëdhënie me shqiptarët. Nuk e ka kuptuar kurrë se shqiptarëve që kanë jetuar e jetojnë në trojet e tyre autoktone nën pushtimin serb shpesh herë u është dashur të sakrifikojnë shumëçka për mbijetesë në këto troje, por kurrë nuk kanë sakrifikuar flamurin për mbijetesë, por gjithçka tjetër për flamur. Këtë sakrificë të tyre do të ishte mirë ta kuptonte edhe shteti amë e politika e tij anonime.

Shteti shqiptar nuk duhet ta harrojë se shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, për shkak të shovinizmit serb, cënimit të identitetit kombëtar, diskriminimit, e flamurit, e krijuan ushtrinë e tyre, UҪPMB-në, dhe bënë një luftë në 2001. Këtë rezistencë të armatosur të shqiptarëve atje ky zuzari që përbetohet për kushtetutë e që ka uzurpuar detyrën e Presidentit në Shqipëri bëri ç’kishte në dorë për ta mbytur dhe atë që nuk e arriti ai e përfundoi Ali Ahmeti me fillimin e luftës në Maqedoni, ndërkohë që kërkesat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk ishin plotësuar ende.

Shteti e politika shqiptare duhet të reagojnë tani në mënyrë që shqiptarët që jetojnë në këto tri komuna të mos detyrohen të rrëmbejnë sërish armët për të mbrojtur identitetin dhe flamurin tonë të përbashkët. Jo se lufta do të na trembte, pasi personalisht nuk do i trembesha asnjë lufte e cila në fund do të sillte paqen, por se jam i mendimit se ajo ushtri më parë duhet krijuar këtu, pasi joshqiptarët e antishqiptarët këtu, me veprimet e më së shumti me mosveprimet e tyre, janë nxitës të politikave antishqiptare të ish-ministrit të Milloshit, tani president i Serbisë, Vuçiçit.

Shteti shqiptar dhe politika shqiptare duhet ta kuptojnë se kur vjen puna për shqiptarët në Serbi serbët janë nën ndikimin e një indoktrinimi total dhe iracional antishqiptar. Kjo padi e kësaj gjykate tregoi edhe njëherë se ky indoktrinim shovinist që vazhdon që nga dekadat e kaluara zhvillohet me të gjitha mjetet në disponim të propagandës së shtetit serb dhe e nxitur nga ky shtet.

Ndaj, çdo lloj marrëveshjeje me Serbinë, pa respektuar më parë të drejtat themelore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk është as më shumë e as më pak sesa tradhti ndaj interesave kombëtare, e braktisje e një pjese të kombit dhe shitje e tij për disa interesa vetjake.

Kryeministri joshqiptar i Shqipërisë do bënte mirë që të shqetësohej për këto interesa kombëtare në këto tri komuna përpara se të bjerë viktimë e skizofrenisë së tij megallomane si lider botëror, i cili është i gatshëm të sakrifikojë një pjesë të kombit të shtetit amë të këtij kombi, për interes të gjoja “paqes ballkanike”.

©Dritan Goxhaj