Dinjiteti i shtetit dhe kryeministri që përligj skandalet e vartësve - Nga Arben Braçe
Arben Braçe
Shumë më e rëndë se gostia e pështirë e qeveritarëve tanë në Restorantin e “Nusretit” është justifikimi bajat, mungesa e kurajës civile dhe politike e Kryeministrit, për të dhënë shuplakën e duhur, karshi anëtarëve grykës të kabinetit të vet.
Për ironi të fatit, qyteti historik dhe inteligjent i Gjirokastrës, duhej të ishte vendi i fundit, që mund të ishte zgjedhur sot, për të justifikuar skandale harbute qeveritarësh spontanë dhe të pasprovuar, që mbllaçiten turpshëm, në restorante sheikësh me koston e ankandit të pronave të shqiptarëve. Duket sikur është vonë për të reaguar për gjëra të tilla dhe që media dhe shoqëria civile reagoi mjaftueshëm për këtë fenomen, por kur vetë Kryeministri nuk e ka problem ta justifikojë dhe ta përligjë, tregon që është vetë shoqëria civile dhe publiku shqiptar që nuk ka reaguar si duhet për ta ndëshkuar.
Edhe më e rëndë se mbllaçitja, ishte paturpësia e justifikimit të vetë protagonistëve mbllaçitës përpara shqiptarëve, me fakte të paligjshme dhe argumenta antiprotokollare, që nuk kishin ndodhur ndonjëherë, në një vend sikur yni, që vjen nga protokolle të ashpra totalitare.
Si duket kurajoja civile e anëtarëve të Kabinetit që mbllaçitëshin dhe zhgërryhesin atë natë në bifteqe të artë, në një natë përmbytjeje për shqiptarët, ka një arësye të fortë domethënëse, sepse edhe vetë Kryeministri nuk njeh dhe vlerëson atë ligj që ka për detyrë ta zbatojë.
Në çdo takim, në çdo darkë pune, apo pritje zyrtare, secili Anëtar i Kabinetit, mbart një pjesë të sovranitetit vendas dhe nuk është i lirë të veprojë, sikurse mund të bëjë në jetën e tij private ku edhe në të cilën ai nuk është plotësisht i lirë.
Sikurse çdo vend në botë edhe në Shqipëri ka një ligj strikt “Për Miratimin e Ceremonialit Zyrtar të Republikës së Shqipërisë” i cili trajton në mënyrë të posaçme vizitat dhe takimet e Anëtarëve të Këshillit të Ministrave, të cilët natën e mbllaçitjes, jo vetëm që nuk kishin në konsideratë faktin që përmbi biftekun e zullumit, qëndronte dinjiteti shqiptar, që e kemi futur nën këmbë, por me një kurajë civile të deformuar lëshonin akuza nën mllef, që pse ia kishin ngecur në fyt shijen e kripur të biftekut të florinjtë.
Asnjë autoritet i MPJ sonë nuk monitoronte atë veprimtari natën e mbllaçitjes, sepse edhe sikur një diplomat, që sapo kishte filluar punë të ishte thirrur aty, do të mbante në konsideratë, që në atë darkë informale, kishte dy ministra shqiptarë dhe autoritete të larta të pushtetit vendor dhe shtetëror, ndërsa, nga pala bujare pritëse, duhet të kishte jo vetëm po kaq autoritete përballë, por për respekt edhe ndonjë më shumë.
Në të gjithë arësyet e mundshme për të justifikuar atë darkë skandali, paraprakisht nga pala shqiptare, duhet të ishte pyetur më paraprakisht, se kush do të ishte nga pala pritëse, ku qëndronte reciprociteti i palës sonë… etj.
Ministrat shqiptarë, cilëtdo qofshin, nuk mund të ulin dinjitetin e vendit për asnjë lloj çmimi, jo më për një biftek sa do i shtrenjtë dhe i kripur qoftë ai, ndërkohë që për dreq, me paratë që u kanë grabitur shqiptarëve, mund të gëlltisin atë dreq bifteku, ku të duan dhe kur të duan. Megjithëse të paeksperiencë dhe të parafinuar në nivele të tilla, asnjëri prej tyre nuk merr në konsideratë faktin e dhimbshëm, që bifteku i servirur gratis me xhentilesë, nuk është gjë tjetër, veçse një copë sovraniteti bregdetar shqiptar.
Në tryezën e “Vaterlosë” së mishit me qyrk të florinjtë, vëreheshin shumë të ftuar, veshur informalë, por nga ana e palës grykëse shqiptare nuk u bë e ditur asnjëherë përbërja e delegacionit të vendit pritës, ndërkohë që të gjithë vendet përcaktojnë rregulla strikte, për këto raste qoftë edhe për shoferët e delegacioneve.
Sidoqoftë, për ne shqiptarët, që jetojmë në të vetmin vend në botë, ku skandalet numërohen për suksese dhe këto i shpall vetë Kryeministri, do të jemi të dënuar marrëzisht të mbajmë mbi shpinë për një kohë të gjatë fajin e pandëshkuar të servirur si sukses…
©Arben Braçe





















