Blog

Prehu në paqe mik e koleg i shtrenjtë Kosta Grillo - Nga Adriatik Dosti

Adriatik Dosti - Michigan, SHBA

I dhimbshëm e i trishtë sa më s'ka lajmi për largimin tënd shumë të parakohshëm nga kjo botë, miku e kolegu im i mirë e dinjitoz Kosta Grillo.

Të kisha më së pari djalin e mikut tim të çmuar e të paharruar Odhisesë, e më pas edhe mikun tim shumë të hershëm e të veçantë.

Vështirë të harroj dot atë kohë kur Lad Grillo, i mirënjohuri i mikrofonit dhe ekranit sportiv shqiptar në RTSH, të solli ty, djalin pasionant e të qeshur pranë nesh, për të të futur qysh herët në botën e magjishme të komentit e gazetarisë sportive, që ishte e mbeti pasioni yt më i madh, deri sa mbylle sytë.

Sa e sa kujtime të paharruara me ty, i miri Kosta, brenda e jashtë vendit. Sa e sa emocione që fal veçmas bota e sportit, por edhe sa e sa shqetësime e padrejtësi, që injorantët e të pafytyrët t’i hedhin si gurë nën rrota, thjesht për të të bërë keq, se duket kanë lindur bashkë me të keqen.

Disa prej atyre që derdhin sot lotë krokodili për ty, dje të shanin publikisht e të akuzonin si filogrek e filoserb, vetëm e vetëm pse ishe nga Bregu e flisje greqisht, apo edhe pse simpatizoje futbollin serb.

Disa të tjerë të hoqën nga puna e të larguan dhunshëm nga mikrofoni sportiv, dashuria e madhe e jetës tënde… e sot, edhe ata lloj palaçosh të tillë guxojnë e shprehin ngushellime për vdekjen tënde.

Dikush edhe më keq akoma, atje lart fare, në krye të qeverisë, të ''dedikon'' një mesazh ''njerëzor'' ngushellimi, teksa deri dje nuk bëri absolutisht as më të voglën përpjekje për të të shpëtuar nga thonjtë e vdekjes kobzezë.

Flisnim vazhdimisht e rregullisht në telefon e në Skype, i dashur mik i shtrenjtë, i çmuar e i veçantë e shumë i hershëm. Flisnim si dy miq të mirë e të sinqertë, si dy çuna Tirone, si dy kolegë, si dy pasionantë sporti të kahershëm, e sidomos të futbollit.

Ishe vërtet i shqetësuar për gjithçka ndodhte në vendin tënd, madje herën e fundit kur të porosita veçmas të bëje kujdes me frekuentimin e shpeshtë të lokaleve, pasi sëmundja ishte nëpër këmbë, m’u përgjigje: Ehhhhh, ishalla s’e kam kismet, pasi e kam ndarë mendjen, edhe unë do largohem nga Shqipëria familjarisht, nuk rrihet më këtu.

Më trishtoi shumë ajo çka dëgjova nga goja jote, për atë lloj batërdie që po ndodh aty në Shqipërinë tonë të shtrenjtë, e që po i detyron shqiptarët të largohen kaq dhimbshëm prej atdheut të tyre.

Jeta qenka e çuditshme vërtet miku im i shtrenjtë dhe vdekja e zezë bashkëudhëtare e saj, ndonëse e padëshiruar prej kërkujt. Aq më shumë kur rrëmben para kohe njerëz e miq të një lloji të veçantë si ty.

Nuk kam më fjalë të shpreh atë që ndjej, teksa po shkruaj këto radhë lamtumire për ty mik i shtrenjte e koleg i mirë e i paharruar, pasi dhimbja e trishtimi, por dhe lotët në sytë e mi janë vetëm një pjesë e vogël ngushëllimi që dua t’i dërgoj familjes tënde të respektuar, bashkëshortes e fëmijëve, motrës tënde, të afërmve të tu e miqve të tu të shumtë, brenda e jashtë Shqipërie.

Kontribuove për sportin shqiptar e veçmas futbollin e tij, si pak kush për vite me radhë, ndaj ishe e do mbetesh përjetësisht mik i mirë e i shtrenjtë i të gjithëve në komunitetit sportiv shqiptar.

Prehu në paqe e të qoftë dheu i lehtë Kosta Grillo!

Me shume respekt e konsideratë, miku e kolegu yt i sinqertë për vite e vite me radhë.

©Adriatik Dosti