Blog

A është qyli feja e shqiptarëve? - Nga Endrit Mullisi

Këtë javë shumë nga opinionet e miqve të mi të publikuar në Facebook iu referuan përvjetorit të Skënderbeut dhe vizitës koincidencë të kryeministrit turk.

Heroi ynë është një nga frymëzuesit historikë që na flet herë pas here dhe herë pas here ia vëmë veshin. Heroi ynë erdhi nga një familje që luftoi turqit dhe si pasojë u mor të bëhej ushtar.

Sigurisht siç ndodhte dhe ndodh akoma, ai është konvertuar në musliman dhe ka bërë beteja nën flamurin Islam. Kthimi i tij në Kruje sjell në pah jo veç konvertimin e tij me dashje nga një gjeneral i njohur i ushtrisë pushtuese, në një komandant vendas i një ushtrie mbrojtëse, por gjithashtu dhe kthimin në fenë e të parëve.

Nëse Gjergji ishte veç i interesuar për t'u bërë prijës arbëror, ai mund të vazhdonte të ishte i tillë si një prijes musliman dhe ndoshta do e mërziste më pak Porten e Lartë. Por ai bëri ate që na duhet të reflektojmë sot më shumë se kurrë. Ai pati mundësinë të mësonte dhe praktikonte fenë e pushtuesit dhe nëse ajo fe do të ishte e mirë, ai do ta mbante. Por ai iu kthye asaj që ishte mësuar që femijë nga prindërit e tij.

Historia komuniste që është ende gjallë sot në mendje dhe libra, nuk mund të merrej me konvertimin fetar të Gjergjit (emri i të cilit përkon me figurën e atij që vret dragoin). Për shkak të mangësisë së prezantimit të historisë edhe në aspektin fetar, sot kemi ende manifestime të çudirave. Në Shqipëri na vjen një drejtues i një shteti që krejt ndryshe nga të tjerët vjen me një frymë sulltanore, vjen me projekte ku ndertohen objekte kulti për përhapjen e Islamit.

Turqia pavarësisht se vend zyrtarisht sekular, është zyrtarisht vend musliman dhe këtë flamur është duke e valëvitur më shumë se kushdo tjetër qeveria diktatoriale e këtij kryeministri.

Pashë foto me vasalë këto ditë dhe nuk u çudita. Thjesht me keqardhje kuptova që feja e shqiptarëve është qyli. (Sigurisht jo e të gjithëve).

Erdogani është shumë i qartë në mendimet dhe vendimet e tij. A duan shqiptarët t'i kuptojnë apo vërtetohet që ne jemi popull i perçarë dhe servil, që në të njejtën ditë pret me këngë "trimash" pinjollin e asaj perandorie të cilën Skënderbeu e braktisi dhe luftoi dhe kujton heroin kombëtar?

Që nga futja e Shqipërisë nga "Sali konservatori" në Konferencën Islamike, miqësia e fundit "mjekërrore" e drejtuesve aktualë, e shoqëruar me një dashuri të madhe për filmat historiko-shoqërorë turq, të çojnë në përfundimin që "Haxhi Qamilët" nuk kanë nevojë fare për vendime politike për ta sjellë prapë Babën. Fatkeqësisht ne jemi bërë si ajo prostituta që shkon me atë që i siguron jetesën. Shesim besimin, shesim trojet, shesim trurin, shesim historinë dhe prapë jemi krenarë që jemi shqiptarë.

Quo Vadis populli im?

©Endrit Mullisi