Kosova si Gjermania? - Nga Enver Robelli
Në vitet 70-të në Gjermani u nda e Majta militante. Disa besuan se me terrorizëm dhe me dhunë mund të mposhtin shtetin. Të tjerët, si Joschka Fischer e Daniel Cohn-Bendit, u distancuan nga dhuna dhe nisën projektin për një të Majtë me nuanca ekologjike. Ata që besuan në terrorizëm nuk arritën asgjë, përfunduan në burgje dhe mbetën pa ndikim politik. Ata që ndryshuan dhe pranuan se monopolin e forcës e ka vetëm shteti, bënë karrierë. Njëri prej tyre, Joschka Fischer, më 1999 si ministër i Jashtëm i Gjermanisë u bë njëri nga çlirimtarët e Kosovës.
Pak a shumë kështu po shkon ndarja e së Majtës militante edhe në Kosovë. Ata që janë në pushtet sot, dikur kanë gjuajtur policinë me gurë - siç e ka gjuajtur Joschka Fischeri në vitet 70-të. Por ai është distancuar nga kjo fusnotë e biografisë së tij. Edhe e Majta në pushtet në Kosovë duhet të distancohet nga ky kapitull aspak i lavdishëm. Atyre që u pëlqen të gjuajnë me gurë edhe më tutje dhe të shtiren kinse si militantë, mund të vazhdojnë lojën. Sot i arreston ky pushtet, nesër pushteti tjetër që sot është në opozitë dhe bëhet sikur po u del në mbrojtje. Mos i merrni aq seriozisht mbrojtësit e shpifur, sepse edhe koalicionet kështu i kanë bërë: në ndeja (jo)formale PDK-në e kanë shpallur organizatë për vrasje të aktivistëve të LDK-së, por të nesërmen ia kanë prezantuar opinionit marrëveshjen për koalicion me PDK-në. Hipokrizia është jetëshkurtër. Dhe jetëgjatë.
Pushteti është përherë më i fuqishëm se ata që nuk janë në pushtet. Rrjedhimisht, pushteti duhet të ketë kujdes dhe të mos kryejë arrestime që mund të interpretohen si hakmarrje. Por arrestimi si mjet i fundit nuk duhet të përjashtohet – si ndaj atij që sulmon policin ashtu edhe ndaj atij që në parlament hedh gaz lotsjellës. Dikur. Ju kujtohet mirë!
Ky pushtet mund të mos jetë optimal (a ka pushtet optimal?), por kur na shesin moral disa që prej 20 vjetësh hanë e pinë në grazhdin e hajdutëve më të mëdhenj që ka njohur historia e Kosovës, situata bëhet më e tmerrshme se në teatrin më të keq (dhe më të mirë!) absurd. Për fat të mirë, kjo Kosovë e vogël kujtesën e ka të gjallë. E njeh secilin. Dhe sidomos ata që interesat private, personale e klanore duan të na i shesin si halle publike. Ah, jo, hallet e Kosovës janë krejt të tjera: çlirim nga korrupsioni, çlirim nga nepotizmi, çlirim nga krimi, çlirim nga plaçkitësit, çlirim nga mentaliteti i mujsharit, çlirim nga ai që luftën e keqpërdor për të vjedhur!
©Enver Robelli





















