Blog

Pse Kanadaja ndjek shembullin e Kinës dhe jo atë të SHBA? - Nga Bamir Bebeziqi

Mbrëmë po luhej finalja e Super Bowl, midis LA Rams dhe Cincinnati Bengals. Dita e finales, për SHBA dhe Kanadanë, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit e kthehet në një ditë festimesh, e jo më kot, u bë disa vite që i kërkohet administratës amerikane që e hëna pas finales, të jetë ditë pushimi.

U bëra 22 vjet që jetoj në Kanada dhe qysh nga viti 2001, nuk kam lënë finale pa parë, jo vetëm si spectator, por edhe me plot emocione, pasi jam kthyer në një ndjekës i pandarë i Tom Brady, Pat dhe Eli Manning, apo Aaron Rogers, Patrick Mahomes e Drew Brees.

Për shqiptarët e për durrsakët me siguri, pak rëndësi ka. Në Europë janë të marrosur pas futbollit tradicional dhe American Football nuk u krijon aspak emocion.

Dihet që kur finalja luhet, në pushime transmetohen dhjetra reklama e pikërisht në kohë reklamash e ktheja TV tek Lojërat Olimpike të Dimrit, që po zhvillohen në Pekin prej një jave ku po transmetohej patinazh artistik.

Uh, çfarë ndryshimi! Nësë stadiumi i Los Angelos ishte mbushur plot e për plot me spektatorë që gëzonin lirinë, pa maska, ngjitur me njëri tjetrin e askush nuk e çante kokën për pandeminë, në Pekin, çiftet performonin artin e tyre në akull, por pa spektatorë.

Më erdhi keq, por edhe për të qeshur kur çiftet pasi përfundonin programin e tyre, përshëndesnin boshllëkun.

Duke parë lëvizjet e çifteve, m’u kujtua një kohë e largët, diku nga vitet 1974-1980, kur i ndjeri Vladimir Grillo transmetonte në TV patinazh artistik, por pa muzikë në sfond, pasi sipas Revolucionit Kulturor Kinez, të cilin zbatoi me përpikmëri edhe udhëheqja jonë komuniste, muzika shoqëruese ishte borgjeze, dekadente dhe degjenoronte masat punonjëse, se Beethoven, Strauss dhe Mozart, kishin kompozuar për të pasurt e budallallëqë të asaj natyre.

Pas afro 50 vjetëve, përjetova pothuaj të njejtën ndjesi. Kësaj rradhe kishte muzikë, por pa spektatorë. Ndërsa dikur çiftet pasi përfundonin konkurimin përshëndeteshin ngrohtësisht me spektatorët dhe mblidhnin buqetat e luleve, kësaj rradhe sapo përfundonin, ashtu duke iu marrë fryma, duhet të vendosnin maskën në fytyrë.

E trishtë dhe rrënqethëse ishte para disa ditësh, në ndeshjen e hokeit midis vajzava kanadeze dhe ruse, ku organizatorët vendosën që vajzat të luanin me maska, pasi nuk u kishin ardhur përgjigjet e testit të Covid-it.

Tani ka ndonjeri që më shpjegon se si ka mundësi, që në SHBA të luhet e të gëzohet dhe në të njetën kohe, në anën tjetër të globit, lojërat të shoqërohen vetëm me heshtje?

***

Pata rastin të shkoja ne SHBA, dy javë në fillim të Dhjetorit të shkuar dhe dy javë në Janar të këtij viti.

Me thënë të drejtën pata një lloj ndrojtjeje apo frike prej Covid-it, që vazhdon të jetë nëpër këmbë, por vura re një ndryshim të madh ndërmjet Kanadasë dhe SHBA.

Ndërsa ne Aeoroportin e Pearson në Toronto, u ndesha me një gjendje të nderë, ku shumë pak udhëtarë mbushnin hapësirat pa fund të aeroportit gjigand, në SHBA, në katër aeroporte ku kalova, si në La Guardia në NY apo Charlotte në NC, gjeta tjetër atmosferë. U ndesha me plot njerëz, me plot lëvizje, ndonëse maska ishte e pranishme.

Në Karolinën e Veriut, në New Bern, ku qendrova për katër javë, sikur nuk egzistonte fare Covid. Restorantet ishn të mbushur plot me njerëz të të gjitha moshave, nga bebe disa ditësh, në të moshuar 100 vjeçarë. Nëpër supermarkete vetëm unë mbaja maskë e më shikonin me habi. U dukesha i çuditshëm.

Si ka mundësi? Ku po shkojme?

Kur bisedoja me kolegët e mi amerikanë, për ato katër javë që punuam bashkë, mësova se të gjithë e kishin kaluar Covid, ndonjëri edhe rëndë, dikushi kishte humbur edhe të dashur të zemrës, por asnjëri nuk pëlqente kufizimet e mandatimet. Aty kuptova më mire se SHBA   është vendi i lirisë, liri që e ndjeva kudo ku shkova, në çdo vend që vizitova.

Është e trishtë të shikosh Toronton të luajë hokei apo basketboll në pallatin e sportit pa spektatorë, ndërsa jo larg, në USA, stadiumet gumëzhijnë nga entuziazmi i spektatorëve.

Tani me të drejtë më lind pyetja. Përse Kanadaja nuk mëson nga fqinji i saj Jugor, nga vendi i lirisë, por merr shembull nga vendi i madh përtej oqeanit?

Jo më kot shoferët e kamionëve në Kanada kanë dalë në protestë e nuk dorëzohen. Kanadezët janë njerëz të urtë, paqedashës, durojnë shumë, por po i preke tek liria, aty kujdes. Janë më shumë se 1 milion kanadezë që kanë derdhur gjakun ndër luftra vetëm shekullin e shkuar, që ne të gëzojmë lirinë sot.

©Bamir Bebeziqi