Lamtumirë Hajdar Muneka - Nga Grigor Banushi

Grigor Banushi
Ike shpejt, dhe frymën e fundit në Amerikën e largët. Se kështu ishe ti miku im i shtrenjtë, njeriu i largësive që nuk njihje kufijtë e shteteve dhe të kontinenteve, por zemra jote fluturonte e lirë, për të parë, përjetuar, shijuar e treguar.
Më ke treguar për Kinën që ditët e para kur u njohëm bashkë në zyrën tonë në Radio Tirana. Erdhe nga Pekini, mik i shtrenjtë, ku sapo kishe mbaruar studimet në kryeqytetin e Perandorisë së Mesit, ashtu siç shpesh citoje kinezët ta quanin vendin e tyre.
Djalë i ri, pothuajse i vogël le vendlindjen e largët dhe erdhe në Tiranë në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Pastaj flurove në Pekin, i cili me kalimin e kohës u bë si vendlindja jote e dytë, sepse e njohe aq mirë, hyre brenda labirinteve të tij, mrekullive dhe shpirtit të qytetit të madh.
Erdhe i ri në Radio-Tirana. Sytë e tu të kaltër ishin kureshtarë për të mësuar e për të përvetësuar mjeshtërinë e gazetarit.
E përvetësove, u bëre gazetar e publicist, diplomat i shquar, ambasador në Kinë e Malajzi, ku e përfaqësove denjësisht vendin tënd.
Nuk do t’i harroj kurrë fjalët e tua të fundit. Nga Nju Jorku i largët më dhe amanetet e tu. Më dhe lajmin e tmerrshëm që biseda e zhvilluar me ty pak ditë më parë, ishte e fundit. E dije që i kishe ditët e numëruara por kurajoja jote, kultura dhe shprehja e lartë e qytetarisë ma fashitën disi dhimbjen sepse e prite vdekjen me dinjitet. Ishe i vetëdijshëm, i rrethuar nga familja jote e gjerë, ku tre breza pritën sa u shuajte si një qiri që ende flakëron.
Drita jote mbeti, atë e ka Donika që të qendroi natë e ditë tek koka, e mban fort Dritani që emrin e ka dritë, Linda që simbolizon ripërtëritjen e jetës, e kanë mbesat e tua të vogla që e panë gjyshin e dashur dhe janë pikëprisht ato Yuki Rei dhe Avery Dari që do të mbartin dritën e përjetësisë, ashtu siç e le ti kushtimin në librin e fundit që do të dalë së shpejti në dritë.
I dashur Hajdar, ndjej dhimbje të madhe për ty, por jam krenar. Që në fillim spikati talenti yt si gazetar e publicist i cili u finalizua me librin më të bukur shkruar për Kinën, “Dritëhjijet e e një miqësie që tronditi botën” dhe të librit tjetër “Leva që lëvizi Kinën”, që do të botohet së shpejti. Po e lexoj librin tënd dhe do të kujdesem që të dalë siç i ka hije emrit tënd. Të falenderoj që më besove edhe dorëshkrimin e librit tënd fundit për Malajzinë.
Lamtumirë mik i dashur. Të qoftë dheu i lehtë. U prehsh në paqe!





















