Blog

Vjeshta e vakët e një opozitarizmi pa ngjyrë - Nga Ilir Levonja

Kjo që po kalojmë është koha më e neveritshme. A e dini përse? Sepse opozita ka degraduar. Në vend që të shohim sheshet plot, të shohim ato pamje të 7 korrikut, ku njerëzit kërkojnë ndryshimin real, shohim pamje me takime midis Bardhit apo Palokës. Ndërkaq, Edi Rama sot kërcënoi publikisht pedagogët për dypunësimin e thotë po publikisht, madje po publikisht pranon edhe informalitetin e tij qeverisës, këtë kancer të shqiptarëve. Pra ka kaq vite që qeveris informalisht, bën sikur qeveris, si e doni ju. Dhe mbyllka sytë karshi rrogave informale a informalitetit.

Eshtë kundër dypunësimit? Në botë njerëzit bëjnë nga dy a tre punë. E bejnë nga që u nevojitet ta bëjnë. E bejnë edhe nga zotësia dhe kërkesa e tregut apo dhe pse duan të vënë diçka më shumë mënjanë. Konform rregullave sigurisht, por edhe në të zezë. Ai është kundër, madje me inat provinciali të hakërrohet. Ashtu sikur po me inat provinciali tallet me thirrjet që u bën emigrantëve gjoja për t'u rikthyer në vendin amë, se aty po lulëzon gjithçka. Pika progresit të ekonomisë së tij. Emigrantët janë më të përçudnuarit e tij, madje të ligjëvënësve në përgjithësi, janë sot raca më e sikterisur, për shkak se kurrë nuk u panë si opsion përbërës i shoqërisë nga ata vijnë. Por si amalgamë për dhëmballët e prishura të kësaj shoqërie të cilën po ndërton pashai Edi Rama.

Kjo që po kalojmë është vjeshta më e pakuptimtë pasi në vend që opozitarizmi të negociojë me shoqërinë civile, pagat e ulta, mundësitë minimale të kreditimit, prodhimet stok në fusha, shpopullimin, mbylljen e shkollave, rënien drastike të numrit të nxënësve a studentëve vit pas viti etj., negocion me një grup mandatesh të cilët ata i kanë blerë. Po i kanë blerë. Edhe nëse u bashkohen prapë nuk kanë për t'u votuar. Eshtë raca që nuk jep asgjë pa marrë diçka. Votuesi i vërtetë është rishtas syhumbur, shpresëhumbur, ikanak, muhaxhir në vendin e tij.

Më 7 korrik sheshin nuk e mbushën këta, e mbushi realiteti. Shkodrën nuk e fituan këta, e fituan ata që mbushin sheshet. E fituan ata që po ikin. Ju kujtoni se vetëm Shqipëria humbet kur ikin shqiptarët. Jo, or jo, humbisni edhe ju. Madje dyfish. Se ata që ikin janë forca më vitale. Nuk janë oportunistët me më jep këtë e të jap atë.  Dhe vitalizmi është progresist, jo vegjetues. Eshtë kjo arsyeja që deri sot politika shqiptare nuk i ka dhënë të drejtën e votës shqiptarëve emigrantë.

Vini re ''suksesin'' e madh të mandatistëve apo brigadës së gazlotsjellësve dhe shkopinjve të bejsbollit, këtë ligjin për hapjen e dosjeve. Do i hapim dosjet, por vetëm për ata që kemi përreth e na bezdisin politikisht. Nga ana tjetër, plagës më të madhe sociale, faqes sonë të zezë, luftës së klasave, i hapin edhe ca suita muzeumesh me preteksin se e shëruam shoqërinë shqiptare. Megjithatë si për ironi të fatit, nuk ka asnjë të dënuar, sikur një të vetëm për krimet monstruoze të ati regjimi. Sikur një, të dalin e të thonë. Nga ana tjetër, shqiptarët shqyhen bythesh se ka qënë apo jo I.M. spiun i Sigurimit të Shtetit.

Këto janë ai absurditeti social që ndodh në Shqipërinë e Edi Ramës, ku një individ i vetëm i jep të drejtën vetes që gjithçka që do ai është ligj. Kjo që po ndodh është koha që të budalleps, ndaj shqiptarët po ikin me grupe tashmë, po ikin kolektivisht. Po ikin sepse në vend që opozita të negociojë me ata, me qytetarët, negocion me franksionistët. Në vend që të shkojë të protestojë shesheve me pankartat e shpopullimit, mbeti studiove përditë, më keq se lali Eri. Do i mbushë mendjen analisti analistit, a franksionisti franksionistit, jo shqiptarëve.

Po me sa duket Saliu i viti 1992 bën dallim nga Saliu i vitit 2022. Ai i pari dilte në rrugë. Ky i dyti merret me studiot, tik-tokun, jo si lali Eri, por toidhjo lali Eri.

©Ilir Levonja