Blog

Racizmi kulturor i Vuçiçit ndaj shqiptarëve - Nga Enver Robelli

Problemi themelor i Aleksandër Vuçiçit është se - si të gjithë ultranacionalistët dhe huliganët politikë serbë - nuk mund të pajtohet me faktin se ka kaluar koha kur Serbia mund t’i trajtonte shqiptarët si “fis i egër” që shpata e kamxhiku i disiplinon, masakron e dëbon nga vatrat e tyre, ua merr tokat dhe ua djeg shtëpitë.

Qysh pati shkruar Vasa Çubrilloviçi në fund të viteve 1930-të: kush bëhet merak nëse i shfarosim shqiptarët, kur s’po bëhet askush merak për shfarosjen e hebrenjve. Kjo është edhe mendësia e Vuçiçit, veçse rrethanat gjeostrategjike kanë ndryshuar dhe shqiptarët e Kosovës nuk janë më ata të viteve 1930-të. S’janë as ata të viteve 1960-të. Janë popull që lirinë e ka fituar me çmim të lartë.

Problemi tjetër i Vuçiqit është se nuk mund të pajtohet me shqiptarin e barabartë, madje edhe më superior ndaj një serbi. Apo serbeje. Sikleti i tij dhe i serbëve të sojit të tij është kulturor. Në racizmin e tij kulturor s’ka vend për shqiptarë të përparuar, të civilizuar, të ditur, me plot vetëbesim dhe plot krenari gjithëpërfshirëse, jo përjashtuese. Në modelin ekspansionit serb shqiptari e ka vendin në bodrum si hamall që ushqehet me sardele nga konservat.

Krejt tërbimi i Vuçiqit bazohet në mospajtimin e tij se si një popull i shtypur për gati 100 vjet njëherë bashkohet rreth Anton Çettës dhe arrin një pajtim e konsolidim të brendshëm, pastaj rreshtohet pas Ibrahim Rugovës e Fehmi Aganit, mandej - përkundër të gjitha ngatërresave të brendshme - me luftë çlirimtare arrin të mobilizojë botën perëndimore për t’i dhënë fund sundimit serb në Kosovë.

Trauma politike serbe përmblidhet me një fjali: “Qysh na bëri vaki kjo?” A nuk i quante Dobrica Qosiçi shqiptarët “llum social” që ia hodhi “popullit më të kulturuar në Ballkan”? Populli “i kulturuar” që e zgjodhi një udhëheqje politike që organizoi dhe kreu gjenocidin e parë në Europë pas nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Ka lloj-lloj kulturash.

Nga fjalori politik i Vuçiçit jehon dëshira për hakmarrje. Është fjalor cubi që në historinë serbe njihet si “drumski razbojnik”. Versioni modern i “drumski razbojnikut” është paramilitari “urban” nga Beogradi që shkon në Biljelinë të Bosnjës dhe njerëzit e parë që i vret janë shqiptarë. Për të vazhduar plojën pastaj më 1998 dhe 1999 në Kosovë.

Vuçiç është “fëmijë” i asaj kohe. Mund të jetë bërë ndërkohë njohës i verërave të kuqe (e ndoshta të bardha), mund të mashtrojë ndonjë gazetar perëndimor apo ndonjë aktivist të etur për “5 minuta famë me një huligan me kostum”, por rrotën e historisë Vuçiçi s’e kthen më pas.

© KOHA - Enver Robelli