Vizita mes fqinjësh - Nga Jeta Dedja
Kur blemë shtëpinë në lagjen ku banojmë aktualisht, pasi kaluan dy muaj na ra zilja e derës për herë të parë. Ishte një burrë e një grua, kjo e fundit mbante një tas në dorë. Doli se ishin fqinjët e rrugicës përballë. I ftuam brenda natyrisht me gëzimin dhe kuriozitetin e njohjeve të reja.
Pasi u ulën, zonja hapi tasin që kishte sjellë me vete, i cili ishte plot e përplot me elb duke e shoqëruar me fjalët “Kalofshi një jetë të bukur në këtë shtëpi dhe paçi bollëk çdo ditë”.
Fqinja na shpjegoi se origjina e tyre ishte nga Honduras dhe sipas zakoneve të tyre, elbi ofrohet si simbol i mirëseardhjes, si drithi që korret i pari dhe që gjen shumë përdorime në kuzhinë. Sollën referenca edhe nga Bibla.
Pas një jave na erdhi një tjetër çift, këtë radhë pasardhës të kolonizatorëve të parë francezë në Québec. Na sollën një tourtierë me mish - një tip gatimi tradicional i zonës frëngjishtfolëse të Kanadasë.
Fqinjët na vunë në mendime e kujtime rreth zakoneve e traditave shqiptare veçanërisht sa i përket urimeve të mirëseardhjes për banorët e rinj. Si afrohen shqiptarët dhe çfarë u çojnë fqinjëve të rinj?
Memoria na solli sende të ndryshme për periudha të ndryshme. Filluam renditjen me komplete pjatash, filxhanësh, objekte dekoruese, sende praktike e të nevojshme për shtëpinë, ndonjë shishe rakie, pastaj me lekë në tabaka, më vonë me shishe vere, lule e torta.
Parimi se “nuk shkohet tek shtëpia e tjetrit me duart bosh” është zbatuar gjerësisht duke ushqyer socializimin, pasi të ofruarit e diçkaje shërben si një mesazh i dhënies së miqësisë, i vendosjes së marrëdhënies sociale. Ky zakon ka shërbyer e shërben gjithashtu edhe si një nxitës i kreativitetit dhe mundësisë për të shpalosur një aftësi a talent.
Pra, t'i dhurosh apo ofrosh dikujt diçka që e kë bërë vetë është një sinjal i fortë gatishmërie për të patur e forcuar marrëdhëniet shoqërore me personin a familjen së cilës ia dedikon atë.
Në Kanadanë e shumë kulturave, etnografia është një nga fushat më të pasura për t’u eksploruar. Të mësuar me këtë mjedis njerëzit kryejnë lirisht shkëmbime kulturore e zgjedhin atë që u pëlqen duke u ndjerë paskëtaj pjesë integrale e një kulture të re e në të njëjtën kohë pa braktisur rrënjët e tyre.
E kështu, një ditë në lagjen tonë erdhi një familje e re. Më në fund na erdhi radha t’i uronim edhe ne mirëseardhjen dikujt siç kishin bëre me ne fqinjët tanë të mirë. Rakinë edhe po ta zgjidhnim si variant s’kishim ku ta gjenim. Si përfundim i çuam një pispili me presh për të cilën na kërkuan edhe recetën të nesërmen.
©JetaDedja





















