Idealizimi i pushtetit në Maqedoninë e Veriut - Nga Xhevdet Nasufi
Vetëflijimi politik i Bashkimit Demokratik për Integrim (dorëheqjet) i ngjan proverbit “kërkoj punë, lus Zotin që të mos gjej...”. BDI e di dhe e ka të realizuar pretendimin e mosdaljes nga qeveria, sepse VMRO nuk i dëshiron ndryshimet kushtetuese, të fiksuara si imanencë politike shtetërore për Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, BDI e di se në pushtet me LSDM janë në dakordësi dhe pajtueshmëri për faktin se VMRO nuk e koncepton kundërshtinë për ndryshimet kushtetuese si akt antishtetëror në parim, por e ka të sforcuar dhe të përafërt perceptimin e favoritit në zgjedhjet e pritshme të parakohshme, të cilat duhet të ndodhin sot apo nesër, nëse nuk kalon ndryshimi i Kushtetutës.
Sidoqoftë, VMRO si parti në pushtet (qoftë edhe koalicion i zgjeruar) do të përkrahë miratimin e ndryshimeve kushtetuese për t’u futur bullgarët në preambulë të Kushtetutes, përsëri me trysni të faktorit relevant ndërkombëtar (SHBA dhe BE) për dy arsye madhore:
-Që VMRO të riformatojë dhe rikuperojë pozicionin politik të dëmtuar nga qeverisjet e mëparshme të saj (me Georgievskin dhe Gruevskin) para ndërkombëtarëve;
-Që të “shesë” me më shumë vlerë pëlqimin për ndryshimet kushtetuese, si për shtetin, ashtu edhe për kombin maqedonas.
Në këtë holokaust politik që Maqedonia e Veriut është sot, që nuk është shumë më ndryshe që prej vitit 2002 kur nisi proçesi i mjegullës politike (jo me elementin ndëretnik pasi shqiptarët fjetën me ëndrrën e luftës së viti 2001 për çlirim) pas qeverisjes së PDSH me Arben Xhaferin lider, VMRO me Lupço Georgievskin lider. Për dallim nga krizat e pabezdisshme, karakteristike për Ballkanin e trazuar si rrjedhojë e padrejtsive etnike, në Maqedoninë e Veriut kriza ka bazament keqeverisjen shqiptaro-maqedonase me veçantinë shqetësuese:
Shqiptarët ekspozohen si pjesë e rëndësishme e krizes, prodhues të saj, por edhe shpëtimtar të rrejshëm të saj. Sikur të mos ishte kështu, pse i duhej sot në Shkup të zbriste Escobar-it, apo kur në kontestin me Greqinë të zbriste e tërë paria politike euroatlantike? Vallë dëshmon kjo kapacitetin e duhur të forcave të brendshme politike, apo paftësinë e tyre?
Mjerisht, BDI me bollëk e ka shtuar autorësinë e vet në altarin e krizës në Maqedoninë e Veriut. Vetëkënaqësia e shqiptarëve në pushtet përcillet pos të tjerash edhe me një duzinë pasojash që mund të rrumbullaksohen thjesht dhe shtruar: Së pari, raporti i shqiptarëve me shtetin nuk ka ndryshuar ndjeshëm (për interes të BDI); Së dyti, mosndryshimi i politikave për njëzetedyvjet pushtet realisht e ka ngulfatur proçesin demokratik pluralist, ka stimuluar varfërimin socio-ekonomik; Së treti, e tërë kjo e ka rritur ndjenjën e pasigurisë, pasojë e të cilës është shpopullimi masiv i frikshëm.
Si dhe pse po ndodh e tërë kjo? Në mungesë të analizave, qofshin insitucionale apo edhe të veçuara, ky meditim ka pretendimin për të hapur debatin: Vallë a po idealizohet qeverisja në Maqedoninë e Veriut?
BDI e ka idealizuar pushtetin (qeverisjen), andaj edhe lideri i saj (njëzetedyvjet kryetar partie dhe i “Qeverisë” shqiptare (?!) në MV), me vetëbesim ekstrem mbron tezën po aq ekstreme se qeverisja e BDI është e parrëzueshme, aludim sikur edhe hëna në hapësirë, ama në një kontekst kontravers.
Krejt kjo, duam apo nuk duam ne, avancimin e kombit, ndarjen reale të pushteteve, punësimet jopartiake, funksionimin e administratës, në sensin më të mirë e bëjnë pak të dallueshëm me qeverisjen komuniste. Pra, jemi në korniza të konceptit neokomunist për shtetin dhe kombin, që për fat të keq po e promovon zëshëm edhe partia shqiptare në pushtet. Sot pushteti shqiptar me të madhe flet për nevojën e hetimit të shqiptarëve në pushtet për korupsion, por ama si do të funksionojë e tërë kjo poqese gjyqësia, hetuesia, akuzatori, flasin me gjuhën e politikës?
Po kështu, derivatizimi i funksioneve politike në dëm të shqiptarëve jo pak është varur nga idete e mbrapshta, apo bashkveprimi politiko-qeverisës i BDI, si me VMRO, ashtu edhe me LSDM. Së pari, duke mos dashur Gruevski integrimin në Bashkimin Evropian, në pozicionin kyç integrues të qeverisë (zëvendëkryeministër për integrim) vëndosi shqiptar, pasi vetë mosuksesi në integrim derivatizonte edhe përgjegjësinë nga VMRO te BDI. Pra, funksioni shpërfill interesin kombëtar-shtetëror për interes të partisë maqedonase.
Historia u përsërit, apo kalkulimi politik u aktualizua edhe në përballjen me çështjen bullgare dhe si përfundim më mirë për LSDM është që me çështjen bullgare të meret Osmani sesa Dimitrovi. Kalkulimi politik shkon gjer edhe te logjika gjersa komunistët zhdukeshin edhe fizikisht, patriotët e mirëfilltë, pluralistët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut me lehtësi antifiksojn projekte etnike nëpërmjet funksioneve kalkuluese politike, duke mos gjykuar se në këtë rast funksioni bëhet paravan për amoralitet politik, për dobësim të shtetit dhe të kombit.
© Xhevdet Nasufi





















