Rita Ora, luleqershi shqiptare - Nga Kolec Traboini

Kolec Traboini
Më kot po e shajnë e shilojnë Rita Orën ca sederllinj që punët e kombit i kanë si lodra femijësh a dekorime mburravece festive. Këta atdhetarë me bateri që shajnë, nuk shohin më tej se hunda e vet.
Dihen tmerret e Luftës së Dytë Botërore mes Amerikës dhe Japonisë. Ka në mes dy bomba atomike, shkak për urrejtje të përjetshme. Por mendjet e ndritura të kombeve dinë si ta tejkalojnë urrejten e të mbjellin dashuri mes njerezve, mes popujve.
Japonezët e pas luftës bënë një gjest fisnik me dëshirë për paqe, duke dërguar drurët e qershive japoneze për t’i mbjellur në Washington DC. Dhe çdo pranverë kur lulëzojnë qershitë japoneze në kryeqytetin amerikan mblidhen mbi 1 milion qytetarë nga gjithë bota dhe festojnë lulëzimin dhe miqësinë.
Ata që anatemojnë Rita Oren, këtë shqiptare me vizion universal, nuk e kuptojnë se thelbi i artit është humanizmi e jo urrejtja.
Një artisti nuk i lejohet urrejtja nacionale. Sjellja e Rita Orës në koncertin që dha në Hungari me flamurin serb, që ia hodhën mbase për provokim, ishte dinjitoze. Ajo u soll me respekt e dinjitet me simbolin e një populli tjetër. Ajo nderoi veten, por edhe gjithë shqiptarët, ndërkohë poshtëroi vetëm ato kasta serbe që kanë urrejtje për popujt e tjerë, veçmas për shqiptarët. Le të vetëhelmohen me urrejtjen e tyre ata që urrejtjen e kanë art e mënyre jetese. Ne shqiptarët nuk jemi pjesë e helmit e as pjella të urrejtjes.
Respekt për të gjithë njerëzit e thjeshtë të popujve të botës kushdo e kudo qofshin ata!
Respekt për ty Rita Ora! Duke të parë ty mu kujtuan lulet e qershive japoneze në Washington DC. Ti je një luleqershi shqiptare nëpër arenat e botës.
© Kolec P. Traboini, 27 gusht 2023





















