Blog

Fundi i mllefit dhe interesit personal - Nga Ilir Levonja

Rikthimi në selinë e Partisë Demokratike i pjesës dërrmuese të deputetëve të djathtë, ka bërë me dhimbje koke Edi Ramën. Madje ai e ka ditur këtë ndaj kërkoi një mbledhje të asamblesë të së ashtuquajturës Partia Socialiste. Pasi nuk ka më një parti të tillë, bile duhet thënë, qoftë i përjetshëm kujtimi i asaj partie. Sot kemi në pushtet një nga partitë më totalitare të historisë së pluralizmit shqiptar. Që nga ardhja e dhunshme e Edi Ramës në krye të saj, Partia Socialiste ka si evidencë paralele me faktin e fitores edhe statistikat ekzemplare të spastrimeve partiake të partisë së Enver Hoxhës.

Kush ka pak dijeni të ftohta statistikash në memorie, sot kujton që Partia Socialiste ka drejtuar me dorë të hekurt si e si të forcojë kultin e individit përmes vijës po të hekurt luftë pa kompromis me “armiqtë e popullit”, si një a shumë zëra kundër, mos i dil përpara se të vret, të heq qafe, mos i kundërshto një vendimarrje pasi të përjashton, të nxjerr jashtë nga klasa, të thyen notën në sjellje etj. Eshtë krijuar në vend po e njëjta klimë që shqiptarët provuan me spastrimet politike të Enverit në vitet 1945-48, apo 1980-81,82,83,84. Qytetari shqiptar akoma nuk e bën dot dallimin midis ideologjisë moniste dhe pluralizmit, bile futet në lojë me po atë zell shkatërrues ideologjik për të sunduar, jo për të drejtuar. Atëhere shqiptarët nuk u ngritën, vendet e rajonit vlonin, shqiptarët jo.

Edhe sot pak a shumë, një apati e tillë ekziston. Por nëse atëhere Shqipëria kishte rreth 3 milionë e ca banorë, sot nuk i dihet..., i ka ikur bash ashti, pjesa më vitale. Dhe bash kësaj pjese vitale vazhdon t’i privohet e drejta e votës. Njerëzit e urrejnë njëri-tjetrin, e pështyjnë, denigrojnë, bullizojnë, për më keq akoma, e asgjësojnë ose e burgosin. Kjo falë një përgjegjësie politike moniste e cila ushton e dhunshme me “kokat hëngshin”. Por nuk është e tillë përgjegjësia politike në demokraci.

Në raport me unin e fortë tek rahmet pastë Partia Socialiste, tek e Djathta sado debateve, sado pështymave, ajo ka dëshmuar faktin e bjerrjes së unit, njëshit, edhe pse aty ka patur grupe perverse, si ai “Kërpëratave” në vitet e tërmetit dhe pandemisë, 2019-2020, të cilët për interesa totalisht personale ndihmuan Edi Ramën, të ndryshojë Kushtetutën, të ndryshojë formulën zgjedhore, ligje themeltare sa sot qeveris vetëm me 32% të vullnetit të shqiptarëve.

Por këto janë firot nga erërat e forta në arritjen e demokracisë reale. Ndaj çfarë ndodhi dje në selinë e demokratëve, është bashkimi real i atyre që e duan vërtet pluralizmin, demokracinë perëndimore dhe vendin e tyre. Deklarat e mëparshme se jemi bashkë, apo mbledhjet në holle hotelesh nëpër Tiranë, nuk ishin rruga e duhur. Ishin mllefe sporadike, interesa personale, ku gjithkush shikon karriken dhe jo Shqipërinë. Por më e mira e mundshme në të njëjtën kohë, thyerja e kultit të individit. Dhe të shpresojmë fort për këtë..., por ishte pjesë e një kulture të re, pavarësisht se nuk duhej të zgjaste kaq shumë. Dhe lum ata që janë për qarkullim, lum familja që i ka, lum vendi. Pasi qarkullimi mban peshë vendin dhe jo emra të përveçëm në jetën tuaj.

© Ilir Levonja