Legjitimiteti i munguar - Nga Xhevdet Nasufi
Është e vërtetë se Paul Wiliams, profesor amerikan, ka qënë pjesë aktive e parapërgatitjes së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në vitin 2001. Angazhimi i profesorit në këtë projekt sigurisht që ishte në kuadër të përvojes së tij për rastet të ngjashme në Ballkan, në krah të PDSH, por edhe më shumë ishte kontribut i Shteteve të Bashkuara të Amerikësi në korniza të angazhimit gjeostrategjik për evropizimin e Ballkanit.
Në kontekst të këtij objektivi amerikan, lufta e armatosur në Maqedoninë e Veriut duhej të mbarojë paqësisht, por edhe të përformojë substancialisht në avancimin cilësor të pozitës së shqiptarëve atje. Në këto korniza ishte edhe kontributi i profesorit amerikan, që bashkë me Arben Xhaferin, Xhevdet Nasufin, pastaj edhe Menduh Thaçin nisën veprimet fillestare të hartimit të marëveshjes historike shqiptaro-maqedonase. Kjo filloi në Hotelin “Emka” në Tetovë, kur aktiviteti luftarak ishte i intensifikuar dhe priteshin negociata politike paqësore që nisën në Shkup e mbaruan në Ohër.
Spekulimi se Wiliams dhe mutatis mutandis Marrëveshja Kornizë e Ohrit janë në ndihmesë të Ali Ahmetit dhe që BDI të zëvendësojë VLEN në pushtet, është sa i pavërtetë, jo korrekt, aq edhe i pasaktë.
-Së pari, legjitimiteti në të cilin thirret BDI është kuptim që ndërlidhet me moralin dhe etikën në veprime apo mosveprimet njerëzore. Rast për shembull: Ishte sulmi ushtarak i NATO-s kundër forcave serbe tërësisht legjitim, edhe pse nuk e kishte vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB, pasi u ndërmor në funksion të mbrojtjes të mbarë një populli nga gjenocidi dhe çfarosja. Edhe pse shembulli është tejet sinjifikues për shqiptarët, BDI duhet të kuptojë se VLEN në qeveri ka legjitimitetin, por edhe legalitetin, apo bazën juridike. Konkretisht, VLEN ishte pjesëmarrëse e zgjedhjeve parlamentare me epilog të konsideruar suksesi, Mickoski si mandatar e konsumoi të drejtën e tij që për koalicion të zgjedhë VLEN, ashtu si ka mundur ta bëjë edhe me BDI në anën tjetër. Pra nuk ka as mangësi legjitimiteti, e as legalitet të munguar te themelimi i Qeverisë Mickoski.
-Së dyti, Marrëveshja Kornizë e Ohrit ngritet në pesë shtylla bazike në funksion të avancimit të statusit politik-etnik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Legjitimiteti në të cilin thirret BDI dhe Aliu për të qenë në pushtet është në mospërputhje me përmbajtjen e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe vetë interpretimin e kuptimit të fjalës legjitimitet. Marrëveshja e Ohrit në asnjë mënyrë dhe formë nuk e ka trajtuar formimin e qeverisë, strukturen e saj, apo cili me cilin do të partnerizojë. Kjo, sepse në të gjithë boten demokratike themelimi i qeverisë është rezultat i zgjedhjeve, i përcaktimit të mandatarit, i garantimit të formimit dhe funksionimit të qeverisë. Janë këto standarde të gjithëpranuara në Evropë e më gjërë. Është pa sens dhe jo e natyrshme që BDI thirret në legalitet apo legjitimitet në Marrëveshjen e Ohrit për të qenë pjesë e qeverisë, por harron se kjo nuk është kështu. Se qeverisja e Maqedonisë së Veriut është e pashmangshme të jetë shqiptaro-maqedonase, gjithsesi është legjitime, pasi reflekton barazi, siguri dhe paqe.
Pretendimi i BDI se fituesi me fituesin nga të dy taborret etnike të themelojë qeverinë, edhe është njëfar biçim kompromisi partiak për interesa jolegjitime, por jo edhe kompromis etnik mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Do të ishte në dukje admirues përcaktimi i këtillë politik ndëretnik mes shqiptarëve dhe maqedonasve, sikur në të njejtën kohë të mos ndryshohej sistemi: Demokracia zgjedhore, pastaj edhe sistemi parlamentar. Për ndërhyrje të këtilla në funksion të barazisë edhe duhet të përgatitet ambienti politik në Maqedoninë e Veriut, por jo për interesa dhe favore partiake.
© Xhevdet Nasufi





















