Albin Kurti, midis ligjit dhe legjitimitetit - Nga Lisen Bashkurti
Jam i rezervuar të ndërhyj në zgjedhjet politike në Kosovë. Kjo jo vetëm për parimësi demokratike, pra të respektimit të verdiktit të popullit, por edhe për ndjesi kombëtare, pra të ruajtjes së ekulibrit dhe ekuidistancës me të gjithë aktorët dhe faktorët politik në Kosovë. Atëherë përse po prononcohem publikisht kësaj here? Arsyeja është e thjeshtë: vendimi për lënien jashtë listës zgjedhore të Albin Kurtit ka krijuar paqartësi e dilema shqetësuese politike dhe juridike në Kosovë dhe jashtë saj. Pa hyrë në detaje ligjore, të cilat janë me njëmijë e një probleme, do ndalem vetëm te dilema midis ligjit dhe legjitimitetit.
E drejta e pengon, politika e lejon
Sistemi ligjor në një shtet demokratik është i ndërtuar mbi parimin e sistemit kapilar, ku asnjë venë dhe arterie e tij nuk qëndron më vete, e shkëputur, e mbivendosur apo e përplasur me sistemet e tjera bashkëekzistuese. Kështu të drejtat ligjore dhe të drejtat politike në shtetin e së drejtës janë të integruara në një mënyrë të tillë që atë që perjashton e drejta, e perjashton edhe politika dhe çdo sferë tjetër shoqërore, për aq kohë sa politika me mekanizmat e saj politik-bërës e vendim-marrës legjitimë nuk e ndryshojnë të drejtën. Kur midis së drejtës dhe politikës nuk ka integrim ndërmjet tyre, atëherë procesi i shtetit ligjor ka krisje parimore, që shkaktohen nga ligjet e politizuara që nuk janë ndërtuar mbi parimin e sistemit legjitim kapilar. Në rastin e perjashtimit të Albin Kurtit nga procesi zgjedhor, ka diçka që ligjërisht e ndalon të kandidojë, por politikisht nuk e pengon që të fitojë si parti dhe të zgjidhet kryeministër i Kosovës.
Kapilarizimi i sistemit ligjor
Një nga asyet kryesore kur sistemi ligjor krijon kontradikta me sistemet e tjera në një vënd demokratik shkaktohet pikërisht për shkak të politizimit të ligjeve dhe të proceseve ligj-bërëse. Demokracitë në tranzicion këtë ‘sëmundje’ e kanë karakteristikë dalluese. Politika, në jo pa raste, në demokracitë në tranzicion, duke u abuzuar nga mazhoranca të caktuara të përkohëshme, ndërmerr iniciativa ligj-bërëse dritë-shkurtëra, të nxituara dhe kontradiktore, zbatimi i të cilave shkel parime të tjera demokratike, shpesh të një niveli e shkalle më të lartë, më të gjërë dhe më afatgjatë. Në këto raste përgjegjësitë nuk mund të kërkohen te agjencitë e zbatimit të ligjit, por tek vetë substanca ligjore dhe procedura e miratimit të saj. Kjo ka ndodhur në Kosovë, në rastin e vendimit për perjashtimin e Kurtit nga e drejta për t’u zgjedhur.
Në Kosovë, sikundër edhe në vënde të tjera në tranzicion në Ballkanin Perëndimor ka mjaft ligje të tilla, që qëndrojnë jashtë sistemit kapilar ligjor e parimor dhe që kanë nevojë të ‘pastrohen’ sa më parë.
Ky kontradiksion është krijuar nga fakti se politika vepron për arsye pushtetore koniukturale dhe jo për arsye të shtetit të së drejtës. Një veprim i tillë, që quhet politizim i ligjeve, kompromenton rëndë bazat e demokracisë, të cilat mbështeten te parimësia e ligjit dhe ligj-bërjes dhe jo te koniuktura politike mbi ligjin dhe ligj-bërjen.
Fakti që në Kosovë, por edhe në vëndet të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë, bëhen ligje, pastaj amendohen, ri-amendohen dhe amendohen sërish e kështu pafundësisht, ka të bëjë me operacionet politike koniukturale mbi ligjet dhe procedurat ligj-bërëse. Kur procesi i vënies së koniukturës politike në substancën ligjore dhe procedurën ligj-bërëse merr fund atëherë tranzicioni demokratik më së shumti ka përfunduar. Në të kundërtën, kur koniuktura politike ndikon në përmbajtjen dhe procedurën ligj-bërëse atëherë tranzicioni vazhdon. Kapilarizimi i sistemit ligjor mbi parimësi afatgjata e të qëndrueshme ndërton substancën juridike që krijon pavarësinë, profesionalitetin dhe integritetin e gjyqësorit nga pushtetet e tjera.
Ligji dhe legjitimiteti
Në parim rasti i Albin Kurtit është përplasje midis ligjit dhe legjitimitetit. Në këtë rast ligji shkëputet nga legjitimiteti, ose e humb legjitimitetin. Albinin ligji e ndalon. Albinin populli e voton. Në rastin e Albin Kurtit ligji i heq të drejtën për t’u zgjedhur. Populli i jep të drejtën për t’u zgjedhur. Në këto rrethana ku qëndron kontradikta? Në këtë rast kush është legjitim? Është ligji kuvendar apo legjitimiteti mbarëqytetar? Ligji është gatuar në Kuvend. Vota qytetare është gatim referendar. Referendumi është demokracia e drejtpërdrejtë. Kuvendi është demokracia përfaqësuese. Demokracia përfaqësuese është më e limituar. Demokracia e drejtpërdrejtë referendare është më e gjëra. Krahasimisht me Kuvendin, demokracia e drejtpërdrejtë referendare është më legjitimja. Prandaj aktet e mëdha, si kushtetutat, zgjedhjet e përgjithshme dhe ligjet që afektojnë gjërësisht interesat mbarëqytetare dhe që prekin bazat e sistemeve politike miratohen me referendum. Kështu ato fitojnë legjitimitetin dhe njëkohësisht qëndrueshmërinë dhe zbatueshmërinë.
Përputhja e ligjit kuvendar me legjitimitetin mbarë popullor është pasqyrimi i vërtetë i cilësisë parimore të ligjit. Nëse midis ligjit dhe lëgjitimitetit referendar ka mospërputhje apo kundërshti ai që duhet ndryshuar është ligji kuvendar. Prandaj proceset politikë-bërëse dhe ligj-bërëse, që të jenë sa më legjitimë në substancën ligjore dhe në procedurën e miratimit të tyre, bazohen jo vetem te mazhorancat politike, por edhe te gjithëpërfshirja e opozitës, shoqërisë civile, grupeve të interesit, qarqeve akademike, medias e grupeve të tjera me ndikim shoqëror. Suksesi i ligjit qëndron te legjitimiteti. Ndryshe ligji rrezikon të krijojë përplasje, të shkelet e të mos zbatohet, pra herët ose vonë të amendohet ose të abrogohet tërësisht.
Bazuar në këtë analizë principale, Albin Kurti, duke zbatuar ligjin politik koniuktural të Kosovës nuk do kandidojë për deputet në Kuvendin e Kosovës. Por, qartësisht, bazuar në legjitimitetin demokratik të votës së qytetarëve të Kosovës, VV do të votohet, sipas gjithë gjasave më shumë se çdo parti tjetër dhe kryesisht për lidershipin e Kurtit. Për konseguencë legjitimiteti do jetë VV që do marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re e për rrjedhojë mandatari i saj, z. Albin Kurti për ta krijuar dhe kryesuar atë. Kjo është analiza logjike dhe racionale e proceseve legjitime. Nëse do ecet pa logjike dhe në mënyrë irracionale, pra jolegjitime, atëherë gjithçka mund të ndodhë, kështu koniuktura politike ligjore mund të ngrihet mbi parimet demokratike legjitime. Atëherë në pyetje do jenë paqja, stabiliteti dhe demokracia në Kosovë. Le të presim kush do fitojë, ligji apo legjitimiteti…
©Lisen Bashkurti












