Duhet të zgjedhim midis njeriut dhe kavjes - Nga Alfons Zeneli
Disa gjykatës italianë që jane dhe shkrimtarë e poetë njekohësisht, i kanë kërkuar falje Visar Zhitit në emër të gjykatësve shqiptarë që e dënuan dhe nuk kërkuan falje kurrë. Kërkuan italianët falje sepse u erdhi turp që kolegët e tyre diku në një vend tjetër të botës kishin dënuar njeriun për poezi. Krahas shkrimit që bën fjalë për këtë ngjarje, është dhe prononcimi i xhelatit Rrapi Mino. "Nuk kam pse të kërkoj falje"- thotë Rrapi. "Ashtu ishin ligjet e kohës". A ka ADN njerëzore në masën biologjike të Rrapit? Dmth, a ka ndërgjegje, ndjenja, dhimbsuri, shpirt, pendim, kokëulje? Athere ashtu ishte koha. Po sot që koha nuk është më ashtu? Rrapi është ende në atë kohë. Thjesht sepse kohërat në kokën e një shtaze janë gjithmonë kohëra të zeza për njeriun, dritën dhe lirinë.
Sot është dita e të persekutuarve politikë. Ditë e cila na kujton turpin kombëtar që bëmë kolektivisht duke lejuar diktaturën dhe njëkohësisht lavdinë kombëtare që na dhanë ish të burgosurit politikë si simbole të përbotshëm të rezistences së njeriut mbi antinjeriun. Mjafton vetëm një shembull: Sami Dangëllia. 43 vjet burg politik. Gati po kaq dhe Osman Kazazi. Mandela do tmerrohej para tyre. Apo biblioteka e gjallë Kardinal Mikel Koliqi. Ku janë bustet dhe shtatoret e tyre nëpër sheshe? Ku janë sot ceremonitë që duhet të organizojë qeveria progresiste, europerëndimore e Rilindjes? Ku janë tekstet shkollorë me shembujt e tyre njerëzisht frymëzues? Ku është mbrojtësi i pluralizmit Gramoz Ruçi? Ku është, ku kakaris Erion Veliaj?
Shembujt e Sami Dangëllisë, Osman Kazazit, Kardinal Mikel Koliqit dhe dhjetëra të tjerëve do të duhej t'i njihte bota mbarë. Shoqëria shqiptare ende bën faj. Ende hesht. Ende sheh qetësisht e atrofizuar se si shkel krimi dhe antivlera mbi trupin dhe shpirtin e saj. Sot, në këtë ditë të gjithë duhet të zgjedhin midis Rrapi Minos dhe Sami Dangëllisë, midis Osman Kazazit dhe Nevzat Haznedarit, midis Kardinal Mikel Koliqit dhe Aranit Çelës, midis Bilal Xhaferrit dhe Shefqet Peçit, midis Musine Kokalarit dhe Nexhmije Hoxhës, midis Sabiha Kasimatit dhe Themie Thomait, midis klerikëve të pushkatuar e burgosur dhe Prokop Murrës, Muho Asllanit, Pilo Peristerit, Adil Çarçanit.
Duhet të zgjedhim midis njeriut dhe kavjes!
©Alfons Zeneli












