Nxënësit shqiptarë, viktima të sistemit të dështuar të edukimit - Nga Jeta Dedja
“Nxënësit shqiptarë kanë probleme serioze me formulimin e mendimit”- shprehet gjuhëtarja Ledi Shamku, referuar testit të letërsisë në Maturën Shtetërore.
Po si të mos kenë probleme nxënësit, kur mësuesve u diktohet pikë për pikë se si duhet ta organizojnë dhe se çfarë duhet të thonë në mësim. Ditari ende është në modë. Metodat bashkëkohore prezantohen nëpër seminare por sa pak zbatohen, e jo për faj të mësuesit.
Mësimdhënësit janë të frustruar dhe frikësuar të shprehen lirshëm e ndryshe nga librat. Po sikur të keqinterpretohen e të kenë pasoja me heqje nga puna? Kështu që më mirë i përmbahen programit rixhid që formon nxënës të ndrojtur e pasivë. Kur një orë mësimi është e mërzitshme, është e pritshme që nxënësi t’i drejtohet pajisjes elektronike e të bojkotojë pjesëmarrjen aktive.
Po t’i pyesësh studentët shqiptarë rishtarë në universitetet e huaja shprehen për vështirësi në hartimin e eseve dhe pjesëmarrjen në diskutime, sepse janë të patrajnuar mirë në këto pika.
Djali im i vogël kur ishte në klasën e parë në Toronto duhej të prezantonte para klasës projekte të ideuara nga ai vetë. Në gjimnazet kanadeze, nxënësve u jepen libra për të lexuar dhe për të shkruar më pas refleksione të tyret bazuar në idetë e librit. Këto refleksione i paraqesin në klasë për diskutim. Askush nuk gjykon mendimet e tyre sidoqofshin ato. Dhe mësuesit nuk presin përgjigje shabllon që janë të publikuara diku. Politika zero plagjiaturë mësohet që në fëmijëri.
Ja pra, kështu mësojnë fëmijët të formulojnë mendimet dhe të shprehen lirshëm. Shoqëria jonë e ka bërë zakon që të fajësojë viktimën në çdo situatë.
Nuk është faji i nxënësve shqiptarë që dalin dobët në provime. Është faji i sistemit jofrymëzues dhe dekurajues i mendimit të lirë kritik.
Nxënësit shqiptarë janë viktima të sistemit të dështuar të edukimit, por fatmirësisht për disa prej tyre, vjen një ditë kur bota jashtë u jep mundësinë të shkëlqejnë. Shpreh simpatinë time për gjithë viktimat e maturës shtetërore.
©Jeta Dedja












