Kontroversat e Edi Ramës në Strasburg - Nga Xhevdet Nasufi

Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut
Sigurisht paraqitja e Ramës dje në Strasburg do të jehojë vrullshëm në koloritin pro dhe kundër, mbase edhe me ngjyrime patriotike të pazakonta për Ramën, por gjithsesi i mjaftueshëm që të mbërthejë si debat të pafund dhe të paefektshëm mbarë opinionin shqiptar.
Nga pozita e ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për katër vite, për mua ky fjalim i Ramës ishte risi për faktin se ndoshta se edhe dhjetë liderë botërorë që i janë drejtuar Asamblesë si mysafirë, nuk patën bashkë kohzgjatje fjalimi sa vetë Edi Rama në adresimin e tij, sigurisht për të parën herë aq romantik dhe patriotik
Romantizmi nacional i manifestuar në Strasburg i Ramës tejkaloi personalitetin e tij, pasi shigjetoi Serbinë indirekt (nuk e permendi Serbinë si aktoren kryesore për inicimin tinzar për themelimin e Gjykatës Speciale, apo sajimin e “Shtëpisë së verdhë”, spital për transplantim).
Fjalimi i Ramës në Strasburg ishte një “leksion” dhe shigjetim i pamatur ndaj Përëndimit dhe vendeve anëtare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilët edhe si anëtarë të NATO-s morën pjesë në angazhimin ushtarak të Aleancës për çlirimin dhe shtetësimin e Kosovës. Rasti i NATO-s ishte unik. Ushtarakisht për të parën dhe të fundit herë u angazhua për të çliruar Kosovën nga barbaria gjenocidaale e Millosheviçit. Vallë cila është vlera alternative për këtë, vlera që mundet ta substituojë lirinë dhe demokratizimin e Kosovës?
Shqipëria dhe klasa e saj politike, sikur të kishin sinqeritetin e duhur, sulmin ndaj Gjykatës Speciale de jure e Kosovës, de facto e Europës së bashkuar, është dashur ta sulmonin në procedurë legjitime para miratimit të saj e jo të votojnë për të si anëtarë të Asamblesë nga Shqipëria dhe Maqedonia, me mjetet legjitime të saj, e jo tani pas një dekade e më shumë, me folklor politik për nevoja propaganduese brendashqiptare.
Mosreagimi euforik i estabilishmentit të Kosovës në paraqitjen e Ramës në Strasburg, për fat të mirë dëshmoi pjekurinë politike dhe diplomatike të lidershipit shtetëror atje. Kjo edhe për faktin se, vetëm Vetvendosja me Albin Kurtin në kohën e duhur dhe mënyren e duhur kundërshtuan miratimin e Ligjit për Gjykaten speciale në Kuvendin e Kosovës dhe kjo duam apo nuk duam, rrit legjitimitetin politik të tandemit Osmani-Kurti, por edhe të Kosovës si entitet shtetror .
Që të kuptohet drejt dhe qartë, Gjykatën Speciale të Kosovës mundet ta zhbëjë vetëm organi që e ka themeluar ate, në këtë rast Kuvendi i Kosovës. Por, përtej të gjitha mundësive, Kuvendi i Kosovës mundet vetëm juridikisht ta bëjë këtë zhbërje, por jo edhe faktikisht. Prandaj, mendoj se adresimi i Ramës në Asamblenë Parlamentare me mjaft eufori nacionale, ka mjaft zbrazëtira dhe mospërputhshmëri me procedura e vetë Asamblesë Parlamentare. Disi i tillë, më shumë mundet të penalizojë në rrafshin politik dhe diplomatik, se sa të ndihmojë, qoftë Shqipërinë apo liderët e UÇK-së.
Fjalimet politike të tillë mund të kenë efekte politike të brendshme, por jo edhe efekte juridike, edhe aq më pak politike në Këshillin e Evropës, respektivisht Gjykaten e Hagës. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës nuk miraton rezoluta dhe rekomandimet me fuqi të detyrueshme juridike, por në rastin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë dhe adresimit të Ramës është gati e pamundur që edhe të sillet ndonjë formë e tillë vendimi.
©Xhevdet Nasufi












