Kërcënimi i bandave serbe në Veri dhe korbat shqipkrrakues - Nga Enver Bytyçi
"Brigada e Veriut" e kanë quajtur, ndërsa korbat shqip-krrakues i japin tonin, sikur të ishte ndonjë murtajë që po i afrohet Kosovës. Përralla! Thjesht një diversion për të trembur disa sorra në territorin e Kosovës. Sorra që krrokasin për llogari të Beogradit. E që thonë "Nëse nuk krijohet asosiacioni e nëse nuk shtyhet zbatimi i vendimit për targat, do të ketë luftë". Asgjë s'do të ketë! Mjafton që qeveria e Kosovës, institucionet dhe politikanët e Kosovës të bëhen bashkë!
Po kush është kjo "Brigada e Veriut"? Më kujton vitin 1997 në Shqipëri. Jugu i Shqipërisë kishte krijuar Komitetet e ashtuquajtura të Jugut. Opinioni priste nga momenti në moment të keqen më të madhe. Banditët e formatit të Zani Çaushit çdo ditë dilnin në ekrane dhe thonin se nesër do të marshojmë drejt Tiranës. Ndërsa trumcakë europianë priteshin tek zbrisnin nga helikopteri po nga banditi në fjalë, Zani. Por kurrë nuk mundën marshojnë drejt Tiranës.
Rezistenca kundër bandave çoi në marrëveshjen e 9 marsit 1997. U krijua balanca. Politika mori në dorë fatet e vendit. Të njëjtën gjë po bëjnë serbët në Veri të Kosovës, ose më saktë po bën Aleksandër Vuçiç në emër të serbëve. Presion përmes bandave, që i quajnë "Brigadë". Kush ta hajë le ta hajë. E në fakt e hanë mediet shqiptare në Shqipëri e në Kosovë. E ushqejnë shqiptarët bashkëpunëtorë të Beogradit. Më së shumti "Albania Post" e Baton Haxhiut. Do të vijë dita e dikush do ta shkruajë përmbledhjen e botimeve të këtij portali, për të dëshmuar se si i shërbehet politikave serbe në Kosovë e në Shqipëri.
Që të ketë luftë nuk mjafton që të ketë banda. Banda pa fund pati në vitin 1997 në Vlorë, Tepelenë, e Sarandë, madje me mbështetje të fuqishme të parave të Milosheviçit e të qarqeve vorioepirote të Greqisë. Por bandat vetëm sa e izolojnë mundësinë për luftë. Sepse ato nuk krijojnë frymë te qytetarët. Thjesht bëjnë zhurmë. Janë si armët me fishekë manovër. Në Beograd e në Veri të Kosovës janë banditë ata që kërcënojnë me luftë. Serbët në Veri e sidomos ata në Jug të Ibrit e njohin këtë melodi, prandaj dhe lufta e predikuar është propagandë. Serbët e Kosovës i rrijnë larg kësaj "lufte" banditësh.
Lufta është propagandë për të trembur sorrat shqiptare në Kosovë e në Shqipëri dhe për të motivuar disa trumcakë në Europë e në SHBA në mbështetje të Serbisë. Në fakt këta trumcakët europianë e amerikanë e dinë se nuk ka luftë, por kanë interesa të tjerë dhe me sa duket iu konvenon të kërcënojnë e të përhapin panik në rajon. Paniku është mjet sundimi. Dhe ajo që është pozitive, qeveria e Kosovës, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani nuk e përcjellin këtë kërcënim seriozisht. Po të ishin të interesuar për sundim, ata do të duhej t'i bashkoheshin korit të sorrave e të trumcakëve të kërcënimit të bandave serbe në veri të vendit dhe të kryebanditit, Aleksandër Vuçiç.
Kjo është arsyeja pse Albin Kurti i thotë jo asosiacionit dhe gjithashtu jo shtyrjes së zbatimit të vendimit për zevendësimin e targave serbe në Kosovë. Targat janë simbol i aplikimit të ligjit kushtetues serb në Kosovë. Me targat serbe Vuçiç kërkon t'u thotë serbëve se "Kosova është Serbi". Së paku se Veriu i Kosovës është Serbi. Por për Veriun serb ai u flet edhe ndërkombëtarëve. Ndërsa analistët filoserbë të Kosovës e të Shqipërisë na thonë se nëse ndodh konflikti "në Veri të Kosovës instalohen strukturat paralele". Nuk thonë bandat serbe të sponsorizuara nga Beogradi, sepse po të flasin për bandat e Beogradit humbasin honorarin.
Më vjen ndot të kem kolegë analistë e gazetarë tëc tillë të shitur e të blerë si lopa në pazar!
Sot Kurti dhe Vuçiç takohen në Bruksel. Nëse bashkësia ndërkombëtare arrin ta bindë Vuçiç se pas dhjetë muajsh do të pranojë të ndryshohen targat, Kurti nuk ka arsye pse të mos e shtyjë afatin. Por duhet garanci. Edhe më 31 korrik u kërkua shtyrja për dy muaj e zbatimit të vendimit, por nuk pati garanci dhe situata nisi nga zero. Në këto kushte është asurde të pranohet zgjatja e afatit. Vetëm një marrëveshje e nënshkruar nga Beogradi dhe e garantuar nga Brukseli dhe Uashingtoni mund të çojë në shtyrjen e këtij afati.
Kërcënimi me luftë është thjesht një taktikë bandash për ta frikësuar Kosovën dhe për t'u dhënë alibinë disa ndërkombëtarëve antishqiptarë për të favorizuar Serbinë në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit. Ajo që ka rëndësi, duhet të mos lëshohet asgjë sa i përket njohjes së shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Statuti i saj nuk diskutohet. Ky është e duhet të jetë parimi themelor i bisedimeve!
©Enver Bytyçi












