E drejta (e Zotit), provokimi, zhurmuesit dhe diplomacia shterpë - Nga Hajro Çini
Sot Serbia liroi nga paraburgimi tre policë të Kosovës, të cilët, bandat e saj i kishin rrëmbyer teksa ata po hanin drekë në një restorant, shumë thellë brënda territorit të Kosovës.
Autoriteteve të Kosovës iu bëhej presion që të lironte kriminelët serbë, të arrestuar në Veri, të filmuar duke ushtruar dhunë dhe plagosur forcat e KFOR-it (midis akteve të tjera terroriste) që të liroheshin edhe policët e saj, Një presion i tupshëm që barazonte agresorin me të pafajshmin.
Autoritetet e Kosovës me një urtësi të admirueshme, me një prudencë stoike, i rezistuan heroikisht presionit të paprincip dhe duket se arritën ta zbrapsin atë.
Kryeministri Kurti, nuk ka çeduar në asnjë minutë në parimet që ai ka shpalosur gjatë 20 viteve në politikë, nuk ka thyer asnjë premtim elektoral, nuk ka shkeluar asnjë ligj të Kosovës apo ndërkombëtar, nuk ka shkelur asnjë marrëveshje që Kosova ka bërë dhe i qetë, plot dinjitet dhe integritet, vazhdon t’i qëndrojë i palëkundur gjërave që ai beson.
Lirimi i policëve sot ishte një fitore shumë e vogël dhe e drejtë e Kurtit, por e merituar, sepse ai mbështetet tek e vërteta dhe e drejta.
Rrëmbimi i efektivëve të Policisë së Kosovës nga ana e Serbisë, brënda territorit të shtetit të pavarur të Kosovës, ishte një akt i qartë agresioni dhe cënimi të sovranitetit të Kosovës. Nuk ishte as hera e parë dhe as e pazakontë. Beogradi ka 30 e ca vite që vepron si gangster në Ballkan. E filloi me Slloveninë, për ta vazhduar për disa vite në Kroaci, për ta bërë makabritet kriminal dhe gjenocidal në Bosnje dhe më 1999 edhe në Kosovë.
Pasi ushtria Serbe u thye nga NATO dhe u tërhoq e mundur nga territori i Kosovës, Beogradi nuk ka rreshtur asnjë ditë duke tentuar ta dëmtojë sa më shumë Kosovën, deri në ndarje të saj, ose shuarje të shtetit të Kosovës.
Nëse Serbia do të nxirrte politikanë më realistë, do të kishte qënë shumë më fitimprurëse për Serbinë të ndërtonte marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjithë fqinjët, që dukshëm ajo nuk ka asnjë mik. Por fakti që ajo sot ka president ministrin e Propagandës së Milosheviçit, tregon se është akoma shumë larg pjekurisë së një shteti normal.
Sot Serbia u ndesh me humbjen e radhës. Për fat të keq, në vënd që të mbahej përgjegjëse për agresion të paprovokuar, disa shtetarë ndërkombëtarë, po përpiqen të marrin kredit se ishte ndërhyrja e tyre që Vuçiçi i liroi ata, kur Vuçiçi vetëm disa ditë më parë i kishte larë duart si Pons Pilati se tani ai nuk kishte gjë në dorë, por e kishte drejtësia. Një nga gënjeshtrat e tij të përditëshme.
Askush nga ndërkombëtarët që ndërhynë, për t’i ruajtur fytyrën Vuçiçit, nuk duhet nderuar përderisa ata nuk e dënojnë aktin e rëndë të agresionit serb. Serbisë i duhet kujtuar vazhdimisht se nuk është shtet normal, por një agresor i dëmshëm, që në fund të fundit nuk ka fituar asgjë nga ato agresione.
Zhumuesit, shumica e të cilëve janë në borderonë e Beogradit, duke pretenduar se janë pjesë e shtypit të “pavaruar” sot kanë ditë të zezë, por sapo të kalojë tronditja e parë, ata shpejt do të fillojnë të trumpetojnë “shpirt-mirësinë”, “mençurinë” dhe “largpamësinë” e Vuçiçit. Ata nuk kanë as ndërgjegje njerëzore as ndërgjegje shoqërore apo atdhetare, as profesionalizëm dhe as etikë, por thjeshtë kanë instiktin e frymorit që kujton se paraja është edhe korraca mbrojtëse. Këta duhen ndëshkuar sepse nuk i shërbejnë të vërtetës dhe sipas Talebit, “mos ndëshkimi i opinionistëve që dëmtojnë shoqërinë është një praktikë e dëmshme.”
Nuk janë më mirë se shtypi i “pavarur” që paguhet nga Beogradi, as opozita e Kosovës, kryesisht PDK, LDK dhe AAK. Shumë nga problemet me të cilat ndeshet sot Kosova janë shkaktuar nga ish-kryeministrat e këtyre partive, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, apo Ramush Haradinaj, sepse qëllimi i tyre për t’u marrë me politikë, nuk ka qënë në asnjë moment mbarëvajtja e Kosovës, të cilës Dr. Rugova i kushtoi jetën e tij, apo si ai edhe autoritetet e sotme të Kosovës, kryesisht Vjosa Osmani, Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Donika Gërvalla, që po punojnë me përkushtim heroik.
Populli i mënçur i Kosovës ia ka dhënë vendin që meriton secilit, si atyre që e dëmtuan Kosovën për të mbyllur dosjet e rënda të krimeve dhe korrupsionit, duke i mënjanuar nga politika, ashtu edhe ekipit të ri, të cilit i ka dhënë mandat të plotë dhe të qartë.
Së fundi edhe diplomacia shterpë, kryesisht e BE dhe SHBA, ka rolin e vet në gjallërimin e agresionit serb, pjesërisht se është e paaftë, pjesërisht se është e korruptuar dhe pjesërisht se nuk di të rendisë prioritetet. Taleb me të drejtë e ka trajtuar me shumë logjikë problemin e BE dhe SHBA:
“Problemi me BE është se burokratët naivë, intelektualë por përsëri idiotë, (ata idiotë që nuk gjejnë dot arra kokosi në një ishull arrash kokosi) mashtrohen nga etiketat… Siç kemi parë me sundimin e minorancës, jotoleranti dominon mbi tolerantin; kanceri duhet prerë para se të lëshojë metastaza. Apo: Ka ardhur koha që politikëbërësit amerikanë të kuptojnë se sa më shumë që ndërhyjnë në vende të tjera për hir të stabilitetit, aq më shumë ata sjellin paqëndrueshmëri (përveç rasteve të ndonjë gjendje të jashtëzakonshme). Ose ndoshta është koha për të reduktuar rolin e politikëbërësve në çështjet e politikave (Taleb, “Antifragile” faqe 107).
BE dhe SHBA kanë shumë çfarë të mësojnë nga politika e sotme e Jashtme britanike, apo nga aktiviteti gjerman pas viteve 1990. Si Britania e Madhe ashtu edhe Gjermania e përcaktojnë shumë qartë rrezikun serb për paqen në Ballkan dhe Europë dhe se sa më gjatë reziston Rusia në luftën e saj të tmerrshme në Ukrainë, aq më i rrezikshëm do të jetë edhe Vuçiçi, Putini ballkanas.
© Hajro Çini












