Aty ku rrëzohet arsimi, ngrihen diktaturat
- Nga: Dr. Albano Zhapaj
Realiteti që shohim sot në këtë vend, i cili gjithmonë e më pak përmendet si i shqiponjave, është fakti se ka një parti në pushtet, një parti dominuese, e cila megjithëse formalisht duket se respekton Kushtetutën, e shkel dhe e përdhos atë në thelb. Nga veprimet konkrete kuptohet se partia pushtet nuk dëshiron të marshojë drejt Bashkimit Evropian, drejt demokracisë, lirisë, standardeve dhe të drejtave të njeriut, siç me të madhe proklamon, por po krijon, duke filluar nga arsimi, një shoqëri pa mendim, një shoqëri të bindur, të bindur edhe në faktin që e drejta dhe e gabuara përcaktohet nga qeveri-partia, duke e zhytur kështu sistemin në një diktaturë të maskuar.
Shkollat e shtetit janë kthyer në shkolla partiake
Partia-pushtet e ka kuptuar pre kohësh se shkollat shtetërore kanë “defektin” e të qenit të paanshëm, ku pjesa dërrmuese e mësimdhënësve janë profesionistë të fushave të tyre dhe i përkushtohen më tepër edukimit të brezit të ri sesa idealeve të partisë. Në fakt kur erdhi në pushtet të tilla i gjeti.
Në arsimin publik, sidomos në arsimin universitar, ka ekzistuar së tepërmi dhe ekziston, tani më pak, një rezistencë e caktuar përkundrejt ndikimit të pushtetit, dhe kjo gjë shqetëson natyrshëm realizimin e qëllimit qeveritar, atë të dhënies jetëgjatësi karriges së pushtetit. Partia-shtet, tashmë mbizotëruese, ka filluar prej vitesh të neglizhojë shkollat publike, parauniversitare dhe universitare, t’i diskreditojë ato, t’i varfërojë ato, aq sa tani është në kulmin e kontrollit arsimor publik. Shkollat dhe universitetet publike i bëri kështu anemike, duke favorizuar shkollat private, duke i furnizuar ato me nxënës e studentë, dhe duke i shndërruar shkollat publike dhe private, me ndonjë përjashtim të vogël tek privati, në shkolla të partisë-pushtet.
Marshimi i 1 Qershorit i të rinjve adoleshentë, nxënës të shkollave të partisë-pushtet, me apo pa vetëdijen e të rinjve pjesëmarrës, është tregues i qartë i devijimit të misionit shkollor të edukim-formimit në mision dëshirëplotësues të partisë-pushtet.
Arsimi publik anemik, “shërimi” gjendet tek privati
Anemia e arsimit publik ka filluar të japë frytet e veta edhe në mentalitetin shqiptar, sidomos tek familjet dhe tek prindërit e fëmijëve në moshë shkollore. Kuptohet se nga kjo frymë e mbarsur nga partia-pushtet, të gjitha shërimet fillojnë të shihen tek arsimi privat dhe kësisoj edhe fëmijët, me bekimin e financave të familjes, fillojnë e shkojnë nëpër shkolla private. Madje familjarëve dhe fëmijëve, miqtë dhe shokët, dhe shumë profesionistë të arsimit, fillojnë t’u këshillojnë që të shkojnë në këto shkolla, sepse në thelb ato janë “më të mira” se ato të shtetit. Biles, privati jep edhe bursa studimi me leverdi, provimet janë më të lehta, studion më pak dhe mund të dalësh me nota më të mira se në shkollën e shtetit.
Pragu i notës mesatare për t'u futur në universitet vendoset nga qeveria, pra nga partia-pushtet, kështu që s'ke pse rrezikon tek shkolla shtetërore, kur e ke të garantuar notën tek privati. Dhe ja që kështu shkolla private është bërë tashmë një shkollë më e privilegjuar. Partia në pushtet, duke mos qenë në gjendje të shndërrojë haptazi shkollat shtetërore në shkolla partiake, i rrënon shkollat shtetërore për t’i dhënë përparësi shkollave private.
Përse pushteti e lufton arsimin publik?
Është e qartë se pushteti ka frikë nga e tashmja, nga brezi i ri që po ngrihet, dhe nuk e sheh të ardhmen e tij jetëgjatë në qoftë se nuk godet tek edukimi, tek mendimi i lirë dhe tek shkolla publike. Gjithmonë i ruhet faktit se rinia mund të iluminohet, të mendojë me mendjen e vet dhe të besojë tek forca e saj, dhe fundi i pushtetit kësisoj dihet. Ajo që partia pushtet kërkon është që të rinjtë të jenë vetëm numra, që t'i përdorë që nga prapa tryezës së politikës, gjithë ato herë që duhen si për të votuar, ashtu edhe për t`u bërë pjesë e të ashtuquajturës bashkëqeverisje, e cila në thelb ka takimet masive të të rinjve, ku vetëm festohet dhe hahen qofte, dhe jo bashkëbisedimin qytetar.
Në këtë perspektivë, rinia si shoqëri e ardhshme e këtij vendi bëhet e ngurtë, nga nxënës, shndërrohen në ushtarë, që gëzojnë liri të kufizuar si të ushtarëve, detyra e tyre nga përgatitje për edukim-formin kthehet në shërbim politik të partisë-pushtet. Doktrina e regjimit fillon kështu dhe jep frytet e parashikuara nga pushtetpartia, dhe kjo fillon që pjesëmarrja e detyrueshme në ceremonitë dhe paradat e ngjashme me ato të totalitarizmit, të cilat në ndryshim nga diktaturat tradicionale, shiten si me pjesëmarrjen e lirë nga populli. Dihet shkencërisht që në në çdo fillim të vetin totalitarizmi kërkon paraprakisht pëlqimin e masave, për të ndryshuar realitetin dhe më pas për ta rikrijuar atë sipas ideologjisë së tij. Regjimet totalitare marrin në zotërim ndërgjegjen e qytetarëve, duke anuluar atë hapësirë të origjinalitetit dhe individualitetit të pranishëm në secilin prej nesh.
Aty ku rrëzohet arsimi, ngrihet totalitarizmi
Dihet se totalitarizmi është një formë bashkëkohore e diktaturës në të cilën shteti nëpërmjet partisë-pushtet kontrollon jo vetëm aspektet politike dhe ekonomike, por pothuajse çdo aspekt të jetës së një individi; ekzistenca e institucioneve dhe shoqatave (kishat, partitë ..) që mund në një farë mënyre e kufizojnë aftësinë e kontrollit shtetëror nuk tolerohet, grupet shoqërore dhe garuesit politikë asgjësohen.
Çdo përpjekje e sotme e partisë-pushtet, e cila mund t`i sigurojë jetëgjatësinë në pushtet është përqendruar tek kontrolli i arsimit, tek mjetet e komunikimit, institucionet ekonomike, duke menaxhuar kështu jetën politike dhe shoqërore, duke pushtuar shoqërinë, dhe duke mbytur autonominë e saj. Një totalitarizëm i tillë nuk mund të jetë veçse produkt i një udhëzuesi të përbashkët midis partisë-pushtet dhe liderit të saj karizmatik, të cilët duket se ia kanë dalë të krijojnë një kaos në arsim, të manipulojnë rininë, të shkatërrojnë boshtin e vlerave tradicionale e kulturore, të propagandojnë vetëm sukseset dhe të fshehin lajmet e këqija, dhe në disa aspekte duke operuar një shpëlarje truri të masës me arritjet imagjinare të “Arsimit të gjeneratës tjetër”.
Kriza e sotme në arsim ka zbuluar fytyrën e vërtetë të pushtetit. Mungesa e plotë e një vizioni mbi arsimin duket se ka qenë e qëllimshme nga ana e partisë-pushtet, e mirë menduar dhe e mirë organizuar, shkatërrimi i arsimit ka pasur synim shkatërrimin e formimit dhe zhvillimit individual të të rinjve dhe shndërrimin e tyre në një turmë që jo vetëm nuk mendon e prodhon ide, por që t'i bindet verbërisht partisē-pushtet në gjoja të mirën e demokracisë dhe të të bërit shtet. Sa më shpejt ta kuptojë pushteti që rrënimi i arsimit është rrënimi i Shqipërisë, aq më mirë do të jetë, përndryshe zgjimi i ndërgjegjes së rinisë do të bëjë që gropa e hapur në arsim, do të përpijë të parët ata që e hapën.












