Dilemat - Nga Mevlan Shanaj
Dilemat njerëzore një mundim i përjetshëm. Nuk ka njeri që gjatë gjithë jetës nuk është nën “torturën” e dilemës. Rastet në fillimin e jetës kanë të bëjnë me zënkat e vogla me pjestarë të familjes ose me shokët e afërt. Më vonë shfaqjen hatërmbetjet të cilat nuk të shqiten gjatë gjithë jetës. Me kalimin e viteve fillon gjyqi me ndërgjegjen, pasi nga nën jastëku të pickon trurin. Edhe pse kthehesh dhe vërtitesh deri sa truri të lodhet, përsëri nuk arrin ta gjesh kufirin, i cili i përngjan ujërave territorialë apo neutralë të oqeanit, apo vijave ndarëse të fluturimit në qiell. Hajde përcaktoje me sy kufirin!
Ndodh që e mposht veten dhe guxon ta shëmbësh, po në përgjithësi uni ka një mbijetesë mitiologjike. Nuk i zhduket koka. Do ishte një shpikje e madhe e njerëzimit, që pas dilemave të vije në laborator të përcaktoje të drejtën!
Shoqëria përveç rrëfimeve në kishë ka në modë edhe psikoterapeutët. Gjithsesi nuk ka paqe njeriu me veten apo me njerëzit. Hatërmbetja, cmira, xhelozia e mposhtin dashurinë që është stinore, me hope. Këto dreq janë shoqëruese të përjetshme.
Po unë nuk di të ketë një zgjidhje për dilemat të cilat bashkë udhëtojnë me ne, pa na pyetur. Shumë herë në jetë e kam vënë nën gjunjë unin, por ende është i gjallë te çdo qënie që frymon.
©Mevlan Shanaj












