Dorëzimi i kryeterroristit Radoiçiç si kusht për zhvillimin e dialogut me Serbinë - Nga Enver Bytyçi
- Published in Andej-Këtej
Kryeministri Kurti duket se dialogun me Serbinë po e kushtëzon me dorëzimin e Milan Radoiçiç te autoritetet e gjyqësorit në Kosovë. Në një intervistë për mediumin e njohur amerikan “Blomberg”, Albin Kurti ka ritheksuar dy momente shumë interesante dhe ka bërë kërkesën e lartpërmendur. Dy momentet që ai thekson kanë të bëjnë me faktin se ka një shpërpjestim të madh midis alarmit të ndërkombëtarëve për konflikt në rajon në rastin e presionit ndaj Kosovës për masat sovrane në Veri, ndërkohë që asgjë nuk ka ndodhur nga ato paralajmërime. Dhe se Serbia është bërë agresive ndaj Kosovës për shkak të përparimit demokratik dhe në fusha të ndryshme të sa.
Unë mendoj se të dy këto konstatime janë reale. Komuniteti ndërkombëtar vendosi masa ndëshkuese me kërkesën e Lajçak dhe Borrell për Kosovën kur u promovuan kryetarët e komunave në Veri të vendit. Por nuk ndodhi ndonjë hata e destabilizim i madh. Ndërsa pas Banjskës fiaskoja serbe ishte trishtuese për të. Ndërkaq respekti ndaj principeve të demokracisë, respektimi i të drejtave të njeriut dhe pakicave, si dhe përparimi politik, institucoional dhe ekonomik i Kosovës ka thelluar diferencën me qeverisjen në Serbi dhe në Shqipëri, ku duken qartë sjelljet arrogante e autoritare me qytetarët e vet.
Por le të ndalemi te kushtëzimi i dialogut me dorëzimin te organet e drejtësisë së Kosovës të kryeterroristit, Milan Radoiçiç. Eshtë hera e parë që dialogu Kosovë-Serbi kushtëzohet nga ana e qeverisë kosovare me një kërkesë eksplicite si kjo. Deri tani kemi pasur kërkesa të tilla, si p.sh. “Vuçiç të nënshkruajë Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit e më pas nisim me plotësimin e saj”. Të enjten e shkuar Albin Kurti kërkoi dorëzimin e bashkëpunëtoorit më të ngushtë të presidentit serb në Kosovë, terroristit Radoiçiç. A përbën kjo një zhvillim të ri në vijimin e bisedimeve midis palëve? Në përceptimin tim kjo kërkesë është një risi. Pse?
Sepse nga pikëpamja ligjore dhe e së drejtës kërkesa e kryeministrit të Kosovës është plotësisht legjitime. Për Radoiçiç është ngritur një akuzë publike e juridike. Ai është shtetas i Republikës së Kosovës dhe drejtësia në Kosovë ka autoritet të plotë për ta gjykuar. Akti terrorist i udhëhequr prej tij ka ndodhur në territorin e Kosovës. Ndërsa INTERPOL-i e ka shpallur atë në kërkim po në Kosovë. Për pasojë kërkesën për dorëzimin e tij te drejtësia kosovare nuk mund ta deligjitomojë askush. Ndërkohë ndërkombëtarët nuk mund të thonë në këtë rast se “Nëse Radoiçiç i dorëzohet organeve gjyqësore kosovare, atëherë ka rrezik të zhvillohen trazira dhe të kemi destabilitet”!? Dorëzimi i këtij krimineli të dëshmuar nuk rrezikon as territorin, as KFOR-in, as EULEX-in, as Policinë e Kosovës, asgjë.
Nga ana tjetër, Vuçiç vihet në një pozicion të vështirë. Ai e ka marrë nën mbrojtje të hapur e të drejtpërdrejtë Milan Radoiçiç, megjithëse ky terrorist i Banjskës ka pranuar publikisht aktin e vet kriminal në zyrën e presidentit të vendit. Për këtë arsye nuk do ta dorëzojë. Por edhe për shkaqe tjera nuk ka gjasa që Radoiçiç të vihet në dispozicion të hetimit dhe gjykimit në Kosovë. Më së pari se Serbia me dorëzimin e tij do të njihte drejtpërdrejt institucionet e Kosovës, shtetin e Kosovës, lirinë e pavarësinë e saj. E dyta, sepse Radoiçiç gëzon status të posaçëm e të privilegjuar nga BIA serbe, pra nga shërbimi sekret. Dhe shërbimi sekret serb drejtohet de facto nga ana e Aleksandër Vulin, d.m.th. nga shërbimi sekret i Rusisë. Vulin po e përdor kryeterroristin e Banjskës për të përgatitur grupe të tjera paramilitarësh, në modelin e Stanishiçit që ngriti dikur Tigrat e Arkanit, Berretat e Kuqe apo grupe të tjerë paraushtarakësh, me qëllim ndërhyrjen në Kosovë dhe vazhdimin e aktit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë.
Kjo do të thotë se bisedimet do të ngrihen, do të shtyhen derisa të gjendet zgjidhja e gjykimit të Mila Radioçiç. Palët nuk do të takohen. Dialog nuk do të ketë. A ka të bëjë ky kushtëzim i Albin Kurtit me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit? Normalisht që po. Por a vjen në kundërshtim me interesat e Kosovës kjo kërkesë? Mendoj se jo. Pasi institucionet e Kosovës dhe kryeministri i saj duhet të sillen si liderë të një shteti sovran. Nëse këta nuk sillen kësisoj, atëherë askush nuk do t’i marrë seriozisht dhe madje do të dyshojnë edhe partnerët në përkrahjen e tyre për shtetin e Kosovës. Sa më seriozisht ta kenë shtetin institucionet e Kosovës e madje vetë qytetarët e saj, aq më pak ka shanse që të dëmtohet shtetësia, liria, integriteti dhe sovraniteti i vendit.
© Enver Bytyçi



