Kolumnist

Dy fjalë për protestën e Tiranës - Nga Artan Gjyzel Hasani

Ndoshta edhe gaboj në këtë arsyetimin tim dhe kohës i mbetet ta vërtetojë këtë, por unë mendoj se kjo lëvizje proteste është organizuar nga rrjeti Soros.

Pse mendoj kështu?

Prania, si me shkop magjik, e mijëra protestuesve civilë në një protestë në dukje spontane, por në realitet e mirëorganizuar, me të gjithë infrastrukturën, sloganet, pankartat, qytetarinë e dëshmuar, praninë e ndjeshme të organizatave të shoqërisë civile (aksesorë të sponsorizuar nga Sorosi dhe fondacioni i tij), pra të gjitha këto më shtyjnë të mendoj se George Soros dhe i biri kërkojnë ta zëvendësojnë Edi Ramën.

Rama e ka mbushur kupën e pakënaqësisë, jo vetëm me kundërshtarët e vet politikë, por edhe me atë që e instaloi dhe e mbajti në pushtet për shumë e shumë vite me radhë. Afrimi i Ramës me familjen Trump, kundërshtarin më të madh të dinastisë Soros, sigurisht që do të kishte një kosto tepër të madhe për beniaminin deri në idhujtari të tij.

Koha ka dëshmuar se Rama nuk ka frikë as opozitën, as BE-në, as SHBA-në, as faktorin ndërkombëtar, as SPAK-un. Ndër vite ai ka dribluar me sukses çdo gjë që mund t’i rrezikonte pushtetin. Me vetëposhtërim dhe puthje duarsh, me servilizëm dhe rënie në gjunjë, me tallje dhe batuta, me dhunë policore dhe gaz lotsjellës, pra me çdo mjet dhe mundësi që ka pasur në dorë.

Rama e ka korruptuar të gjithë faktorin ndërkombëtar, ka luajtur lojën e tyre ashtu siç e kanë kërkuar interesat e BE-së dhe SHBA-së.

Por sot Rama rrezaton panik dhe frikë. Kjo i lexohet qartë në fytyrë dhe në fjalët e tij reaguese ndaj kësaj proteste. Është i frikësuar si kurrë më parë. Ai e di fort mirë se me Sorosin nuk mund të luajë kllounin; vetëm Sorosi mund ta rrëzojë Edi Ramën, sepse tashmë jo vetëm që Sorosi nuk ia ka më nevojën, pas një konsumimi dhe diskreditimi kaq të gjatë të Ramës në pushtet, por e ka edhe kundërshtar në fazën e re kameleonike të Ramës si njeri i afërt me interesat e familjes së vogël Trump.

Ndodhia e Zvërnecit dhe e gjithë afera e lidhur me të ishte rasti më flagrant për ta kthyer në kauzë reale rrëzimin e Ramës. Dhe Sorosi është dëshmuar mjeshtër edhe në përdorimin efiçent të kauzave dhe emocioneve të publikut.

Sigurisht, në protestë ka mijëra njerëz që nuk kanë asnjë lidhje interesash me Sorosin dhe pikërisht zemërimin e tyre legjitim ndaj zullumeve të panumërta të Ramës e shfrytëzon Sorosi.

Në protestë ka qytetarë nga i gjithë spektri social dhe politik shqiptar.

A ia vlen kjo protestë, pavarësisht se kush e organizon dhe se si etiketohet apo mbulohet si protestë ambientaliste?

Po, ia vlen dhe shumë, nëse rezulton me rrëzimin e regjimit autokratik të Edi Ramës.

Edhe rrëzimi i Ramës ka një vektor ambientalist: e pastron politikën shqiptare nga një model i pistë dhe antikombëtar.

Dhe së fundmi: pse ka rëndësi nga kush organizohet protesta? Sepse shpesh produkti i protestës pasqyron jo vetëm kërkesat e momentit të protestuesve, por edhe objektivat dhe synimet afatgjata të organizatorëve.

© Artan Gjyzel Hasani - Toronto