A do t’i kundërvihet Trump partisë së luftës? Nga Eric S. Margolis
- Published in Andej-Këtej
Në vitin 54 para Krishtit, Marcus Licinius Crassus, një biznesmen romak i pasur dhe ambicioz, u emërua guvernator i provincës së pasur të Sirisë. Crassus ndante pushtetin në Romë me Pompeun dhe Jul Çezarin. Mund ta quajmë “Donald Trump-i i kohës së tij”.
Crassus vendosi të pushtonte Parthinë fqinje, që sot përfshin Turqinë dhe Iranin. Në betejën e Carrhae-s, harkëtarët persianë, gjatë tërheqjes, qëlluan shigjeta mbi shpinat e kuajve të tyre, duke na dhënë termin letrar për një goditje lamtumire, “shigjeta parthiane”.
Administrata në agoni e Biden-it lëshoi këtë javë "shigjetën" e saj parthiane, duke bërë që Ukraina të përdorte raketa taktike ATACMS të furnizuara nga SHBA - me ndihmën e teknikëve ushtarakë amerikanë. Disa raketa ajrore britanike Storm Shadow dhe franceze Scalp gjithashtu u përdorën kundër Rusisë.
Ky ishte qartazi një akt lufte midis fuqive bërthamore. Rusia u përgjigj duke lëshuar një nga raketat e saj të reja hipersonike me shumë koka shpërthyese në drejtim të Dnipros, Ukrainë. Raketat e reja ruse me rreze të mesme ishin të pajisura me koka shpërthyese konvencionale, jo bërthamore. Por mesazhi ishte i qartë: e gjithë Evropa Perëndimore është brenda rrezes së tyre.
Dikush mund të pyesë: Çfarë po bën administrata në ikje e Biden-it? Qartazi po përpiqet të provokojë një luftë edhe më të madhe me Rusinë.
Administrata aktuale është ende e mbushur me urrejtës të flaktë të Rusisë. Në fakt, Pentagoni, CIA, NSA dhe 18 agjencitë e tjera të sigurisë kombëtare të Amerikës janë të mbushura me kokëtrashë që mendojnë se jemi ende në Luftën e Ftohtë dhe dëshirojnë ta copëtojnë Rusinë në shtete të vogla të ballkanizuara, siç ndodhi me Jugosllavinë.
Administrata me IQ të ulët e Biden-it e ka futur veten në një luftë të vërtetë dhe të pashmangshme në Ukrainë dhe në një katastrofë gjenocidale në Gaza, situate që gjithashtu rrezikon ta çojë SHBA-në në një luftë me Iranin (ish-Parthia), ndërsa një konflikt i madh me Kinën duket në horizontin gjeopolitik. Ndërkohë, qeveria ekstremiste e djathtë në Izrael, e përbërë nga kolonë fanatikë dhe të djathtë të rinj, duket se po merr kontrollin e shumicës së levave të pushtetit në SHBA. Dhe kjo po ndodh para se Trump-i, mbështetës pa kushte i Izraelit, të hyjë në zyrë.
Budallenjtë nuk duhen lejuar të luajnë me shkrepësen. Neokonservatorët e pamend të Biden-it ende mund të shkaktojnë shumë dëme para datës 20 janar. Trump vazhdon të betohet se do të çrrënjosë “qeverinë sekrete” të neokonservatorëve të Washington-it, që është fuqia e vërtetë në prapaskenë. Por ai në fakt është pjesë e këtij grupi dhe duket se ndan pikëpamjet e tyre. Ndoshta Trump do të mbajë fjalën dhe do të fillojë t’i kundërvihet kontrollit të partisë së luftës mbi pushtetin, përpara se protagonistët e saj të arrijnë të ndezin një luftë bërthamore me Rusinë.
Copyright Eric S. Margolis 2024



