Çlironi Gjermaninë! - Nga Eric S. Margolis
- Published in Andej-Këtej
"Gjermanët ose të hidhen në fyt ose të bien në gjunjë para këmbëve", pat thënë me ironi dikur adhuruesi i vjetër i luftës, Winston Churchill.
Sot, gjermanët janë para këmbëve tona - një fakt befasues 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse kryesisht e ribashkuar, Gjermania mbetet një komb i pushtuar, i reduktuar në një status të dorës së dytë dhe i prekur nga ndjenja e fajit të luftës. Japonia - gjithashtu e pushtuar - mbetet në një status të ngjashëm.
Zgjedhjet e fundit federale gjermane sollën në pushtet Unionin Kristian-Demokrat, një parti e moderuar, duke larguar Socialdemokratët e pafuqishëm dhe konfuzë, qëllimi kryesor i të cilëve ishte të mos ia prishnin qejfin askujt. Shumë të rinj gjermanë, të lodhur nga sjellja nënshtruese e Gjermanisë, votuan për AfD, një parti konservatore e moderuar, por avancimi më i madh I saj u frenua si rezultat i një vale të madhe kritikash nga mediat dhe rivalët, të cilët e cilësuan atë një parti neo-naziste. Udhëheqësja e AfD-së, Alice Weidel, është një politikane me karakter të fortë, për të cilën media gjermane pretendon se është lesbike dhe bashkëjeton me një grua të re nga Azia Jugore. Vështirë se kjo mund të quhet një ringjallje e Rajhut të Tretë.
Mediat liberale gjermane dhe amerikane vazhdimisht transmetuan kronika mbi Aushvicin dhe mizoritë e tjera të luftës. Askush nuk i përmendi kampet e përqendrimit sovjetik ose 27 milionë njerëzit e vrarë nga Stalini në BRSS. Askush nuk përmendi se "Nazist" do të thotë "Nacional Socialist". Shtypi gjerman, nën dominimin e SHBA, kurrë nuk përmend se Lufta e Dytë Botërore u nis nga Franca dhe Gjermania, ose sa herë Kancelari Hitler u përpoq të arrinte paqe me Londrën dhe Parisin, apo sa territore gjermane u shkëputën midis viteve 1945-1948.
Dhe fakti më i rëndësishëm për t’u kujtuar është se Gjermania mbetet ende nën pushtimin ushtarak amerikan. Kjo ndodhi si rezultat i asaj që besohej të ishte kërcënimi sovjetik në vitin 1945 dhe më pas. Gjenerali George S. Patton e pat kuptuar si duhet këtë kur deklaroi se SHBA duhej të sulmonte Bashkimin Sovjetik në vend të Gjermanisë. Pak kohë më pas ai humbi jetën në një aksident misterioz. Pavel Sudoplatov, një ish-gjeneral i KGB-së, pretendoi në librin e tij shumë interesant "Misione speciale", se administrata Roosevelt kishte brenda saj shumë agjentë sovjetikë në nivele të larta.
Sot, nga 84,000 trupa amerikane në Evropë, 39,000 janë të vendosura përgjithmonë në Gjermani, 10,000 në Britani, 14,000 në Poloni dhe 13,000 në Italinë me diell, të tjera në Turqi dhe shtetet baltike. Shumë prej tyre janë personel i forcave ajrore, duke ruajtur kontrollin amerikan mbi hapësirën ajrore të Evropës.
Sigurisht, duhet shtruar pyetja pse, 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, SHBA ende mban forca kaq të mëdha në Evropë - për të mos përmendur Japoninë. SHBA pretendon se po mbrohet kundër një pushtimi të mundshëm rus. Por tre vite lufte kanë treguar se Rusia nuk është më përbindëshi ushtarak që ishte në vitet pas luftës, kur kishte forca ushtarake që numëronin miliona trupa.
Vladimir Putini i Rusisë është një gogol i dobishëm. Pretendimet se ai synon të pushtojë Evropën Perëndimore janë marrëzira. Ai mund të përpiqet të rimarrë shtetet baltike, por pretendimet e SHBA se Putini dëshiron të aneksojë pjesë të botës janë hipokrizi, duke marrë parasysh pushtimet amerikane në Panama, Grenada, Republikën Domenikane, Irak, Somali dhe, më së fundmi, pretendimet territoriale të Trump mbi Kanadanë dhe Groenlandën.
Çështja është - si mund të jetë vërtet i pavarur një komb që është i pushtuar nga një ushtri e huaj që nga viti 1945? Kur u zbulua se Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA po përgjonte telefonin celular të ish-Kancelares Angela Merkel, të vetmen gjë që mundën të bëjnë gjermanët e turpëruar ishte të ankoheshin pak.
Gjermanët duhet të rifillojnë të sillen si një popull i fortë dhe krenar, jo si një qen i rrahur. Gjermania është lokomotiva e Evropës. Që Evropa të rifitojë rolin e saj kryesor në botë, Gjermania duhet të marrë drejtimin, në vend që të presë udhëzime me email nga Uashingtoni. Dhe sidomos është koha të harrojmë Luftën e Dytë Botërore.
Copyright. Eric S. Margolis 2025



