Maqedonia dhe Greqia, nesër nënshkruajnë marrëveshjen për emrin
- Published in Andej-Këtej
Maqedonia dhe Greqia nesër nënshkruajnë marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar të emrit. Dokumenti që parasheh emrin, Maqedonia e Veriut, do të nënshkruhet në Prespë, në pjesën e Greqisë nga Ministrat e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, në prani të kryeministrave, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras.
Nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në këtë akt që vlerësohet si një nga më të rëndësishmit që nga pavarësia e Maqedonisë dhe përfundimi i konfliktit të vitit 2001, do të marrin pjesë ndërmjetësi i OKB-së, Matthew Nimetz, Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini si dhe Rosemary A. DiCarlo, përgjegjëse për çështje politike e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy delegacionet do të kalojnë në pjesën e territorit të Maqedonisë në një drekë solemne prej nga do të përcjellin mesazhe për paqe, fqinjësi të mirë dhe siguri në rajon.
Marrëveshja që zgjidh kontestin mbi 25 vjeçar, zhbllokon procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, por edhe normalizon raportet mes dy vendeve, që shpesh herë janë përcjellë edhe me tensione dhe bllokada ekonomike.
Burimi: KOHAnet



