Andej-Këtej

Një ditë e zezë për Zvicrën - Nga Enver Robelli

Në ditën e saj kombëtare, kur Zvicra feston zanafillën e saj më 1 gusht 1291, një lajm nga Washingtoni e ka prishur gëzimin e përgjithshëm. Presidenti amerikan Donald Trump i ka vendosur Zvicrës tarifa ndëshkuese prej 39 për qind. Më keq kanë kaluar vetëm Siria, Laosi dhe Birmania. Zvicra është vendi me tarifat më të larta doganore amerikane në Europë. Tronditja pas kësaj mase amerikane është e madhe në Zvicër, një vend me ekonomi të suksesshme eksportuese. “Një ditë e zezë për Zvicrën”, konstatojnë mediat.

Presidentja e Zvicrës Karin Keller-Sutter telefonoi mbrëmë me Trumpin, por nuk arriti t’ia ndryshojë mendjen. U përpoq t’i tregojë diçka edhe nga historia e Zvicrës, t’ia bëjë të qartë se të premten Zvicra feston ditën kombëtare të saj, se është themeluar para mbi 700 vitesh, por Trump, pasi tha “wow, wow” (i habitur me historinë e lashtë), nxori çekanin dhe bëri bum: 39 për qind!

Deri në çastin e fundit politikanët zviceranë, sidomos të krahut liberal-konservator, shpresuan se Zvicra do të arrijë një marrëveshje (“deal”) më të mirë me Trump-in se Bashkimi Europian. Pas një bisede të mëhershme telefonike me Trump-in, presidentja Karin Keller-Sutter nga partia liberale FDP tha se kishte arritur të krijojë një raport deri diku të mirë me të. Një kalkulim i gabuar, siç po shihet tani.

Muajve të fundit politikanët zviceranë janë përpjekur të ndjekin një kurs ledhatues ndaj Trumpit. Kur shumë politikanë europianë e kritikuan fjalimin antiauropian të nënpresidentit amerikan JD Vance në Konferencën e Sigurisë në München, Keller-Sutter e lavdëroi atë. Para zgjedhjeve në SHBA, ministri Albert Rösti nga partia e djathtë populiste SVP tha se ai do të zgjidhte Trump-in po të ishte amerikan. Deputetja e SVP-së Magdalena Martullo-Blocher, e cila është bija e Christoph Blocher, politikanit të djathtë më me ndikim në dekadat e fundit në Zvicër, tha vitin e kaluar se shpresonte në fitoren e Trumpit në SHBA, sepse “për Zvicrën Trumpi është i mirë”. Doli e kundërta.

Tani të gjithë janë të zhgënjyer. Se si është disponimi tani, mjafton të shikohen komentet nën postimin e Ambasadës së SHBA në Bern, e cila në rrjetin X e ka uruar Zvicrën për ditën e saj nacionale.

Tarifat ndëshkuese do të hyjnë në fuqi më 7 gusht. A do të arrihet një zgjidhje pak më e favorshme për Zvicrën deri javën tjetër? Askush nuk e di, pothuaj askush nuk beson. Deri më tash nuk kanë bërë punë premtimet se Zvicra do të investojë miliarda në SHBA. Kompania farmaceutike Roche premtoi 50 miliardë investime, Novartis 23 miliardë. SHBA pati një deficit prej 38,5 miliardë frangash në tregtinë e mallrave me Zvicrën në vitin 2024.

© Enver Robelli