Feja përballë shkencës - Nga Rushan Xhaferi
- Published in Andej-Këtej
Big Bang
Big Bang është një model kozmologjik që përdorin shkencëtarët për të shpjeguar origjinën dhe evolucionin e kozmosit. Për herë të parë, termi Big Bang u përdor në radio BBC, paksa me ironi, në vitet 50 dhe i dha emrin kësaj teorie që tashmë është vërtetuar nga të gjithë astronomët. Ishte George Le Maitre (1894-1966), fizikant dhe astronom belg, ai që i pari foli për të.
Ky fenomen ka ndodhur rreth 14 miliard vite më parë (13,8 për të qënë më i saktë). Fenomeni përshkruan, për ta vulgarizuar, shpërthimin e një mase energjie tepër të madhe, e cila në të njëjtën kohë ishte e përqëndruar në një madhësi sa një kokë gjilpëre. Për mëndjen njerëzore që i do gjërat e thjeshta është e vështirë të konceptosh se si një grimcë rërë mund të mbajë gjithë këtë energji. Ne shpesh harrojmë se kur ngjizemi, një spermatozoid, i cili përmban gjithë informacionin gjenetik, arrin të krijojë një qënie me kompleksitet të mrekullueshëm.
Ajo që nuk dihet me saktësi është se çfarë kishte para Big Bang? Nga vinte kjo nxehtësi? Çfarë kishte para kësaj energjie?
Krijimi i jetës ne Tokë
Sipas Biblës, Zoti krijoi Tokën në 7 ditë. Më seriozisht, planeti ynë u krijua para 4,6 miliard vitesh bashkë me sistemin diellor. Celulat e para u shfaqën rreth 3 miliard vitesh. Para 650 milion vitesh u shfaqën gjallesat pa skelet. Skeleti tek gjallesat u shfaq para 480 milion vitesh. Kalimi i gjallesave nga oqeanet në tokë ndodhi para 350 milion vitesh dhe zvarranikët u shfaqën para 300 milion vitesh. 230 milion vite me parë u zhvilluan dinozaurët. Parardhësit e njeriut morën formë 6 milion vite më parë. Dhe më në fund, Homo Sapiens mori formën e njeriut 200 000 vite më parë.
Bibla i vendos dinozaurët dhe njeriun vetëm para 4000 vitesh sikur kanë jetuar në të njëjtën periudhë. Por ky nuk është gabimi i vetëm i librit të shenjtë.
Homo Sapiens
Pasi mori rrugën për të dalë nga Afrika, Homo Sapiens u përhap në Azi dhe në Evropë. Kalimi nëpër majat e Himalajave për të arritur Azinë e detyroi Homo Sapiens ti përshtatej diellit të fuqishëm dhe ne sot kemi aziatikët që kanë tipare me sytë në formë bajame. Mungesa e diellit në Evropën veriore u dha karakteristika të tjera Evropianëve që humbën pigmentin e errët për një lëkurë më të bardhë në krahasim me Afrikanët që mbajtën pigmentin origjinal për të përballuar diellin e fortë në Afrikën e zjarrtë.
Projeksionet e njeriut të shekujve të ardhshëm do të krijonë një racë njerëzore shumë të ndryshme nga ajo që ne njohim sot. Por për shumicën e njerëzimit, të ketë për të ngrënë në ditët e ardhshme është më urgjente sesa për pasardhësit e saj ndër shekuj.
Revolucioni bujqësor
10 mijë vjet më parë, Homo Sapiens zbuloi bujqësinë. Ky tranzicion bujqësor ose revolucioni bujqësor lejoi rritje të paparë të species njerëzore. Popullsia njerëzore shkoi nga 5 milionë në më shumë se 200 milionë. Ky tranzicion, nuk ishte domosdoshmërisht një përmirësim në nivelin e jetesës së individit Homo Sapiens, tashmë njeriu “modern”, sepse rritja e popullsisë solli dhe zi buke në kohët e ndryshimeve klimatike, si dhe skllavërim.
Kalimi nga nomad (person që lëviz dhe nuk ka banesë fikse p.sh romët), në sedentar (person që fiksohet në një vënd të caktuar p.sh. shumica e njerëzimit në kohët e sotme) pati një impakt të madh në rikonfigurimin e shoqërisë njerëzore. Në të vërtetë, rritja e popullsisë në mënyrë të shumëfishuar erdhi nga fakti se njerëzit që tashmë po merreshin me bujqësi kishin nevojë për krahë pune dhe sa më shumë punëtorë duheshin për bujqësinë aq më shumë frymë duheshin ushqyer. Gjatë viteve që kishte bollëk filluan dhe taksat mbi prodhimet e shumta. Qytete të mëdha si dhe principatat dhe mbretëritë filluan te lindnin pikërisht në momentin ku u krijuan tepricat e prodhimeve. Kjo pjesë e popullsisë që e quajti veten “elite” përfitoi për të ndërtuar pallate mbretërore mbi punën e një klase njerëzish që punonin nga mëngjesi deri në darkë. Sigurisht ky proçes mori mijëra vite. A na kujton diçka ky realitet në të përditshmen tonë, kudo në botë, por sidomos në Shqipëri ku shumë punojnë që një pakicë të pasurohet?
Për të “shitur” këtë sundim mbi pjesën më të madhe të shoqërisë, atë punëtore, duhej një histori e cila duhej ti bindte këta njerëz se fati i tyre ishte të ishin të nënshtruar dhe fati i elitës ishte për të sunduar. Princa e mbretër më parë; presidentë, kryeministra, ministra e ambasadorë në kohët e sotme, janë një lloj parazitësh të një shoqërie qysh prej mijëra vitesh. Duket se luftojnë e punojnë për popujt, por pasurohen mbi punën dhe mundin e tyre.
Politikës, si mënyrë bindje e një popullsie për ti vjelur të ardhurat, dhe në këtë rast, të ardhurat nga puna e mundimshme, i duhej edhe një fjalë e shenjtë. Shejtani u fut në historinë njerëzore pikërisht nga librat e shenjtë.
Librat «e shenjtë»
Me shpikjen e shkrimit, filluan të dalin dhe librat e shenjtë. E para ishte Bibla hebraike. Më pas Bibla e krishtere dhe më vonë Kurani. Michel Onfray ka thënë: “Njerëzit preferojnë një gënjeshtër që të siguron (në besimet e tua) përballë një të vërtete që të mërzit (ose ngacmon). Prej mijëra vitesh, fe të ndryshme kanë folur për Zotin dhe në emër të Zotit, por kanë bërë masakra dhe krime, ndërsa më vonë është thënë se këto fe janë për paqen, harmoninë dhe dashurinë mes njerëzve. Hipokrizia më e madhe ka dalë nga goja e fetarëve që mendojnë se përfaqësojnë Zotin. Librat e shenjtë na janë pasqyruar si fjala e Zotit e rënë nga qielli, ndërkohë që këta libra janë shkruar, korrigjuar dhe rishkruar me shekuj të tërë. 7 ditë për të krijuar botën, dhe shumë shekuj për të përfunduar një libër? Apo tre libra?
Përshkrimi i Zotit në këta tre libra është i çuditshëm sepse ngjan më shumë si dëshira e një pakice njerëzish për të sunduar mbi shumicën e popullsisë me anë të frikës se një qënie të plotëfuqishme që na shikon, na dëgjon dhe na vrojton në çdo moment e qe do të na dënojë po bëmë akte që nuk korrespondojnë me mësimet e Tij.
«Feja ka bindur njerëzit se ekziston një qënie e padukshme që banon lart në qiell dhe shikon çdo gjë që ne bëjmë, në çdo minutë të ditës, e cila ka një listë me 10 gjërat që nuk duhet të bësh, dhe në qoftë se ti bën një nga këto gjërat, ajo ka një vënd special për ty, në ferr, me zjarr, me tym, me tortura ku do të të dërgojë të vuash, të ulërish, të qash, përgjithmonë, në jetë të jetëve. Por ajo e bën këtë sepse të do shumë!» Sa herë e dëgjoj këtë skeç të George Carlin në YouTube mbaj barkun me dorë.
Sot për sot ne kemi NSA (National Security Agency) amerikane që e bën këtë gjë në gjithë botën. Faktikisht, në 2019, NSA ka mundesinë të përgjojë çdo person nëpër botë në momentin që ai ka në dorë një telefon ose një kompjuter. Edward Snowden, ish-punonjës i CIA, na tregoi se Zoti tashmë nuk e ka emrin God, por NSA.
Shkenca dhe feja
Një herë një nxënës, më pyeti se ku ishte ndryshimi midis shkencës dhe fesë. Ju përgjigja se shkenca afirmon me prova dhe i vendos këto prova për tu përgenjeshtruar nga shkencëtarë të tjerë. Feja afirmon dhe në qoftë se realiteti tregon ndryshe, feja thotë që është realiteti që e ka gabim. Ndoshta, e binda.
Jezusi
Tashmë e dimë se Jezusi historik nuk ka ekzistuar. Të paktën kështu mendoj unë dhe shumë si unë. Historia e tij, siç është shkruar në Bibël është një shpikje (ndoshta do të shtang shumë persona). Sipas meje, personazhi i tij ka të njëjtën vlerë sa Madame Bovary e Gustave Flaubert, Kozeta e Victor Hugo apo dhe Mato Gruda i Dritëro Agollit. Një personazh fiksioni që pasi u pasqyrua në çdo kishë të botës për më shumë se 17 shekuj (kur Kostandini i Madh e bëri krishtërimin fenë e Perandorisë Romake në shekullin e 4-të), për historinë tonë nuk mund të mos ishte i vërtetë. Nga një personazh tregimesh kaloi në një realitet. Dhe çfarë është akoma më e vërtetë, asnjë nga katër apostujt që kanë shkruar, secili nga një ungjill, nuk kanë qënë bashkëkohës të Jezusit. Këto tekste janë shkruar shumë vite më vonë. Sipas historianëve (Michel Quesnel, Daniel Marguerat, Raymond E. Brown) këto tekste janë shkruar midis viteve 65 dhe 110 të eres sonë (mbas Krishtit). Kur mendohet se Krishti është kryqëzuar rreth viteve 33, lindin shumë pyetje, por Kisha Katolike nuk i ka shumë qejf pyetjet mbi Biblën sepse e vendosin në një pozicion delikat.

Zoti po, po cili Zot?
Para disa ditësh pyeta nxënësit se çfarë përkufizimi kishin ata për Zotin. Njëri prej tyre më tha: «Një plak me mjekër të bardhë». Imazhi i tij përshkruante Babagjyshin e Vitit të ri, falë kontributit të Hollivudit.
…
Parametrat kozmologjikë na shpjegojnë që jemi rrethuar nga rregulla fizike dhe matematike konstante si për shembull shpejtësia e dritës 300 mijë kilometra në sekondë (299 792 458 m/s) ose konstantja e gravitacionit (9,806 65 m/s2). Por këto konstante, rreth 20, janë fikse dhe shumë herë një shifer 1 me një presje, me disa zero dhe disa decimale të tjëra. Dhe në qoftë se në momentin e Big Bang një nga këto decimale do të ndryshonte, universi që ne njohim, nuk do të ishte shfaqur.
Çfarë na tregon ky fakt? Çdo gjë. Sepse kjo do të thotë që universi nuk është shfaqur rastësisht. Nuk ishte një aksident që jeta në tokë ndodhi. Ja një lajm i mirë për besimtarët.
Nuk jam kundra se është Zoti ai që mund të ketë krijuar universin dhe më lart bëj pyetjet: «Ajo që nuk dihet me saktësi është se çfarë kishte para Big Bang? Nga vinte kjo nxehtësi? Çfarë kishte para kësaj energjie? Në 1982, Papa Gjon Pali 2 në një shkëmbim idesh me astrofizikantin Stephen Hawking i tha: «Jemi dakort. Çfarë ka mbas Big Bang i takon shkencës, por çfarë ka para tij i takon kishës».
Ky është edhe problemi. Sepse ajo që ka ekzistuar para Big Bang ka vetëm kuptim dhe shpjegim shkencërisht: fizikisht dhe matematikisht. Exit feja.
…
Në një shkrim të mëparshëm me titull “Bëhu i ditur që te jesh i lirë”, e vura theksin tek arsimi. Faktikisht arsimimi është edhe shpëtimi i kësaj bote, arsimimi mund të pakësojë luftrat, mund të eliminojë racizmin dhe sidomos të zhdukë dogmat fetare. Këto të fundit kanë sjellë gjithë përçarjen nëpër botë. Interesat por dhe injoranca i dërguan kryqëzatat në Palestinë, në Mesjetë, për të rimarrë tokën e shenjtë dhe bërë plaçkitje dhe grabitje masive. Ushtarët, me shpatën e mprehur luftonin me thirrjen “Zoti është i madh”, duke masakruar gra, fëmijë dhe të tjerë të pafajshëm. Në ditët e sotme, i njëjti slogan përdoret nga ushtarët e DAESH (Shteti islamik), ku një pjesë, e vogël, janë edhe shqiptarë. Pikërisht këta persona janë injorantë.
Çfarë është DAESH? Të kuptosh DAESH duhet të kuptosh se çfarë është Arabia Saudite. Arabia saudite është një DAESH që ia ka arritur qëllimit. Në qoftë se bota u habit nga ekzekutimet e Shtetit islamik, (ISIS në anglisht) në Irak dhe në Siri, nga ana tjetër, Arabia Saudite ekzekuton çdo vit 150 persona në mënyrë legale pa shqetësuar anjë vënd perëndimor. Për më tepër ideologjia dogmatike e ISIS është direkt në të njëjtën linjë më Arabinë Saudite. Për këtë arsye Sauditët janë të parët financues të Shtetit islamik. Ditën Arabia Saudite bashkëpunon me aleatët kundër ISIS, ndërsa natën e financon. Ky nuk është i vetmi kontradiksion i Arabisë Saudite. Zyrtarisht, vendi i Mekës e ndalon rreptësisht alkoolin, underground Arabia Saudite njihet si vendi i Johnnie Walker. Vëndi që importon më shumë whisky. Ndoshta gjithë ky alkool përdoret si dizifektues!?! Në një vend ku nuk ka as kinema, as bibliotekë mbetet vetëm pija. Duket se shkenca në disa vende nuk ekziston.
...
Zhvillimi i shkencës në ditët e sotme duket fenomenal dhe duke parë avancimin e teknologjisë ne mrekullohemi sepse jeta jonë është bërë më e thjeshtë, nuk thashë më me kuptim apo më e lumtur, por më e kollajtë. Shëndetësia është një shembull akoma më i dukshëm. Sot, kirurgët arrijnë të bëjnë ndërrime fytyrash me të gjitha komplikimet që kjo implikon. Në mesjetë, injoranca e priftërinjëvë i bëntë të preknin njerëz me lepër dhe i bekonin sepse do të shëroheshin me forcën e Zotit, sëmundje që ishte ngjitëse dhe kur e kuptuan, këta shërbyes të të plotfuqishmit, disa nga ata e kishin ngrënë.
Por katolicizmi ka bërë edhe gabime më të mëdha. Komunizmi u bënte gjyqe publike njerëzve. Vatikani u bëntë gjyqe publike kafshëve. Nuk e kuptuat?😊 Po, po kafshëve. Cilave kafshë? Name it! Minj në Laon (Francë); ngjala në Gjenevë (Zvicer); karkaleca dhe krimba në Tyrol (Austri); karkaleca të tjerë në Lombardi (Itali); një derr në Frankfurt (Gjermani), një qen në Skoci; një kalë në Portugali. Ka dhe akoma. Pelë, cjap, lopë, dy shqerra, tre dele, dy dosa, disa pëllumba, etj. (Michel Onfray, Décadence, Flamarion, 2017). Nga viti 1120 deri në vitin 1846, këto kafshë thirreshin para gjyqit; u bëhej proçesi, mbroheshin, më pas gjykoheshin, liroheshin ose dënoheshin ku përfundimisht ekzekutoheshin.
…
Shkenca për kishën merrte drejtimin që ajo i thoshte. Kisha Katolike kishte si model gjeocentrizmin (Toka fikse në qendër të universit). Modeli ishte i gabuar. Ky model u hodh poshtë nga Nikolla Koperniku i cili vendosi diellin në qendër të universit dhe Tokën rreth tij. Modeli ishte më i saktë se i kishës por prapë i gabuar. Siç thashë më parë, ndryshimi midis shkencës dhe fesë është se kur shkenca e ka gabim e kupton gabimin, e riparon, dhe pranon realitetin e ri. Aktet kriminale të priftërinjve pedofilë, Papa Françesku i quajti instrumenta të djallit. Në 2019, Vatikani mendon akoma se mund ti fusë frikën njerëzimit me djallin, me ferrin dhe dënimin e perjetshëm. Për të ardhur tek astronomia e shekullit të 17-të, «E pur si muove!», (Megjithatë toka rrotullohet) mendohet se ka deklaruar Galileo Galilei, pasi mohoi punën e tij shkencore për ti shpëtuar flakëvë të kishës, fat që nuk pati Xhordano Bruno i cili u dogj për së gjalli. Metodë që vitet e fundit e ka përdorur dhe DAESH.
…
Injoranca botërore është prezente edhe në vënde të zhvilluara si Kanada dhe SHBA. Kur në mesjete ishte kaluar caku i tokës së sheshtë, në 2019, në Amerikën e Veriut ka mijëra persona që besojnë se toka nuk është e rrumbullakët. Por ka dhe nga ata që besojnë se uterusi i femrës i takon vendimarrjeve të burrave. Disa persona duke u fshehur mbas slloganit pro life mendojnë se kanë të drejtë të gjykojnë zgjedhjet e femrave apo orientimin seksual. Por nuk ka asgjë për tu habitur se këta injorantë nuk arrijnë dot ta kalojnë cakun e dijes dhe pranimit që anjë fe nuk ka qënë pro femrave. Arsyeja është e thjeshtë. Eva.
Në Bibël (Testamenti i vjetër) thuhet që Eva u nxit nga gjarpëri për të provuar frutin e ndaluar nga Zoti. Mirë po, si «qelbësirë» që ishte, e këputi mollën dhe ja dha Adamit që ta hante. Po ta kapim ca më hollë, Eva, filozofja e parë, nuk u mjaftua me diktatin e urdhërit, por donte të bëhej e ditur sepse kjo ishte pema e njohurisë që i shfaqi “çiftit të parë” realitetin: të vërtetën. Zoti, si një diktator i vërtetë, i dënoi, duke i përzënë nga Edeni, sepse ju ul autoriteti. Domethënë, po nuk ju binde zotërve, do të dënohësh. Ja përse sekti i krishterë i pëlqeu Kostandinit të Madh, sepse Jezusi tha: “Po ta futën me dackë, tregohu faqen tjetër”. Nga ana tjetër, alegoria e shpellës e Platonit na tregon që derisa njerëzit do të qëndrojnë në errësirë do të jenë të nënshtruar kundrejt asaj që do t’u prezantohet si e vërtetë, nuk do të jenë kurrë të lirë nga dogmat e feve të ndryshme. Skllavëria është më me leverdi për këta parazitë që “mundohen” të shpëtojnë shpirtin e njerëzve për në botën e përjetëshme, por që në këtë tokë, jetën ua bëjnë ferr. I quaj parazitë sepse e vetmja gjë që fetë kërkojnë janë lekë me shumicë; feja është biznes. Sikur është shtuar ca si shumë numri i vendeve të shenjtë në Shqipëri!
Po të kishte qënë për fenë, ne nuk do të ishim ku jemi sot. Dhe për më tepër ishte feja që ngadalësoi zhvillimet shkencore dhe përparimin. Siç thashë pak më lart, avancimet shkencore janë shumë të pakta në krahasim me ku do të ishim ne (botërisht) në qoftë së nuk do të kishin ekzistuar krimet e Kishës Katolike.
Bota e mëtejshme
Dëshira për të “ritakuar” njerëzit tanë të zemrës, që kemi humbur, në botën e përjetshme është shumë tunduese, sidomos për mua. Po një burrë i ve që është rimartuar, me cilën grua do të jetë ai në parajsë? Çfarë përgjigje i jep feja kësaj pyetje? Jam i sigurt se librat e shenjtë kanë përgjigje për çdo pyetje, por ja që gënjeshtrat e kësaj bote nuk bëhen të vërteta në një botë imagjinare.
Paqja, besimi, harmonia personale nuk gjëndet në asnjë libër sado i shenjtë qoftë ai. Mardhënia që ne kemi me botën që na rrethon ka diçka që tejkalon botëkuptimin tonë dhe është shumë herë e pashpjegueshme dhe disa herë misterioze. Vendi që ne kërkojmë të gjejmë në këtë jetë shumë të rëndomtë merr kuptimin tek momente shumë të thjeshta të të përditshmes ku çdo çast është i shenjtë sepse një ditë, data e skadencës do të vijë për të gjithë dhe më pas ka vetëm heshtje.
Pikërisht mbi frikën e kësaj bote pa botë ku do të gjëndemi, feja ka bërë gjithë biznesin e saj. Feja nuk e ka përmirësuar realitetin sepse ajo nuk ka sjellë bashkim por përçarje ngaqë bashkimi nuk ka qënë kurrë synimi i saj. Por feja na ka sjellë disa tradita që duhen ruajtur, por pa i marrë shumë seriozisht. Të ngjyrosësh vezët apo jo, nuk ngjallin Jezusin sepse ai nuk ishte ngjizur kurrë dhe nuk mund të vdiste.
...
Për të spekulluar mbi pyetjet e bëra në fillim, disa astrologë mendojnë se para Big Bang, në origjinë, «mund» të kishte vetëm një të dhënë, një lloj formule, një informacion. A ishte ky informacion, ndoshta, një lloj «spermatozoidi shkencor», pse jo i Zotit kozmik, që ngjizi gjithë universin? Tunduese si hipotezë. Por në qoftë se akti i parë i Zotit ka qënë seksual, ky është një subjekt që feja e ka fshirë nga fjalori i saj për arsye se fetë janë më të dhëna ndaj vdekjes sesa të prirura për jetën.
Dhe ne e dimë se Maria ngeli shtatëzanë me Jezusin me anë të frymës së shenjtë. Sperma në ato kohë kalonte nga fryma. Por sikundër Zoti e ka bërë njeriun sipas imazhit të tij, ndoshta duhet pasur frikë se ku e drejtojmë frymën se mos lëmë ndonjë me barrë. 😊



