Andej-Këtej

Brenga-Tregim nga Agim Xhafka

Iku dhe Bilua, dentisti i lagjes. Dje iu bë varrimi. Pati plot njerëz se ishte burrë i mirë dhe profesionist i zoti. “Jetonte” në gojën e krejt qytetit. Kështu i thoja me shaka, ngaqë na rregullonte dhëmbët të gjithëve, nga fëmijët kur u rrëzoheshin kicat e parë e deri tek të moshuarit kur u “gatuante” proteza kaq preçize sa brenda dy ditëve ata mësoheshin e u dukej se kishin lindur me to.

Kur hyra te dhoma e burrave nuk kishte aq njerëz. Po vinte ora e varrimit e gjindja priste në oborr. Gjeta Et'hemin dhe ndenja pranë tij. Kishin një moshë me Bilon, rrinin bashkë shumë orë të ditës. M’u afrua te veshi e më tha:
-Kishte kohë që lutej të vdiste. O Zot, më merr, thoshte kohë e pa kohë.
-Kush, mo?- u çudita.
-Ai,-dhe me kokë bëri nga dhoma tjetër, tek xhenazja
Nuk më la gjatë të habitur. Më tregoi se para 7 vitesh pësoi një infarkt dhe u duk se po e vinte poshtë. Por mjekët e këshilluan për një operacion jashtë. Eh, ku kishte lekë,Bilua. Dhe pajisjet e klinikës me kredi i bleu. Ama iu gjendën nipërit. Bledi dhe Timi, kanë vite që ndërtojnë pallate. E morën hopa e drejt e në Romë. I bënë operacion zemrën dhe e sollën në qytet si djalë të ri. Nuk lodhej më kur ngjiste shkallët apo kur ecte rrugës. Na u bë gjeth Bilua. Por nuk shkoi gjatë se...
-U sëmur prapë?- e pyeta.
-Jo, jo. Por u ra puna nipërve. Nuk po shisnin pallatet që ndërtuan dhe borxhet te banka po rriteshin. Krizë për ta. Një ditë në kafe Bilua dëgjoi një nga nipat që i thoshte shokut:”Po mos kishim harxhuar 70 mijë euro për operacionin e xhaxhait në Itali tani do ishim ndryshe, fare ndryshe. Mbase nuk do vinte banka të na sekuestronte.” 
Bilua sa nuk u rrëzua për tokë. Pandehte se ata e çuan në Romë nga respekti dhe dashuria për të. Se ai në fakt nuk ua kërkoi, me pahir e dërguan. E mbajti në shpirt këtë brengë deri sa një ditë tek klinika e tij shkoi nusja e Timit, nipit të vogël.
-Jemi keq,-i tha ajo.-Se ja, ato 70 mijë të operacionit tënd na sollën një gropë të madhe, po fundosemi.
Bilua nuk foli. Heshti dhe u kyç në shtëpi qysh atë ditë. Nuk dilte as shëtitje. Gruaja e tij u shqetësua dhe murga u mbyll në vetvete. Kështu kaluan muaj dhe ja, sot Bilo iku. Iku se e kishte marrë zotim, nuk e mbante dot këtë njollë që po ia ngjisnin kot, për asnjë faj të tij. Edhe unë, është turp, por u ngazëlleva kur mësova vdekjen e shokut tim. Ai fluturoi dhe është i i qetë tani. Mbase dhe i lumtur. Nuk i rëndon guri në zemër.
Po e dëgjoja me dhimbje. E dija se ai burrë nuk shtrinte këmbët jashtë jorganit të vet. Nuk ishte nga ata tipat që kërkonte një gjë që nuk i takonte. E besoja që nipërit e kishin marrë vërtet me forcë drejt sallës së operacionit.
Shkova në varrim me kokën e ulur që mos shihja nipërit dhe gratë e tyre. Në restorant, ku shërbehej dreka mortore, rastisi për ters që vendi më ra pranë Timit. Heshtje deri sa gruaja e Bilos na falenderoi për ardhjen në varrim e respektin ndaj burrit të saj. Pastaj nisën të ndjehen zhurmat e lugëve dhe gotave me raki. Nuk kaloi as pesë minuta e dikush pyeti Timin se si i kishte punët me ndërtimin.
-Keq, nuk ka shitje. Për ters harxhuam dhe 70 mijë euro për operacionin e Bilos...
Nuk dëgjova më. Dola jashtë dhe ngrita kokën lart:”Qofsh i qetë Bilo, bëre mirë që fluturove. Këtu do vinte dita që nipërit do të të suleshin në shtëpi dhe do të të kërkonin ato euro të mallkuara. Nuk do ishte çudi kur të të rrëmbenin dhe klinikën e ta shisnin për një çapë bukë. Kalofsh mirë, vëlla! Bëre zgjidhje të mençur, të ndershme. Siç e jetove çdo ditë...