Andej-Këtej

A ka rënë nga qielli Kosova e pavarur?

Nga: Nezir Kraki

Një temë me vlerë shkencore mbi sovranitetin e Kosovës do të ligjërohet në Paris në datat 5 dhe 6 qershor. Është profesori i shkencave politike në Universitetin Paris Est, Nezir Kraki i cili do të prezantojë punimin e tij “Sovranitete dhe pushtete në hapësirën ish-jugosllave: Rasti i Kosovës”.  Në këtë konferencë shkencore do të marrin pjesë profesorë dhe intelektualë të shquar nga 15 universitete dhe institute shkencore botërore, gjë që ia shton vlerën dhe rëndësinë edhe prezantimit mbi Kosovën, sidomos për evropianët të cilët mendojnë se Kosova e pavarur ka rënë nga qielli.  Më poshtë lexoni të plotë se çfarë shkruan Prof. Nezir Kraki.

“Jam i lumtur dhe modestisht krenar t’ju bëjë me dije se do jem pjesëmarrës me një prezentim në konferencën shkencore ndërkombëtare që mbahet në Universitetin Paris Est me 5 dhe 6 qershor 2019.

Tema e konferencës është: “Dinamikat e sovranitetit: komunitete politike dhe ndërvarësi”

Rreth kësaj teme, të shtjelluar në disa nënpika për trajtim filozofiko-politik, do diskutojnë dhjetra profesorë dhe intelektualë eminentë nga 15 universitete dhe institute botërore. Natyrisht, duke qenë se këtu shkenca dhe integriteti intelektual nuk janë biznese politike, prezentimet dhe shtjellimet e konferencave të tilla verifikohen dhe validohen paraprakisht nga një komitet shkencor i cili pastaj autorizon publikimin e punimeve pas konferencës.

Përballë temës së sovranitetit ishte krejt normale që të propozoja diçka që lidhej me rrugëtimin sovranist të Kosovës. Qëllimi im modest është që audienca shkencore e konferencës ta ketë më të qartë “çudinë politike jugosllave” që prodhoi shumë tragjedi dhe lirinë e pashmangshme të Kosovës që rrodhi nga po ajo çudi.
Nocioni i sovranitetit, sikurse ai i kombit apo i qytetarisë, ka marrë konotacione të reja ndër vite këtu në Evropën e vjetër. Sot këto nocione janë shpesh burim i keqkuptimeve në raportet e Balkanit me BE-në e sidomos në çështjen e Kosovës dhe bisedimeve kaotike me Serbinë.

Propozimi im i pranuar nga komiteti shkencor për këtë konferencë titullohet: “Sovranitete dhe pushtete në hapësirën ish-jugosllave: rasti i Kosovës”.

Punimi im tenton t’i përgjigjet njërës nga nënpyetjet e Konferencës “A ka nevojë sovraniteti për komb?” Bosht i temës sime është pra Kosova me sovranitetin e saj të ri dhe deri diku atipik. Dhe pikërisht doza atipike e sovranitetit të Kosovës duhet të sqarohet. Sepse, kjo risi sovraniste në Evropë nuk mund të kuptohet mirë pa u njohur kompleksitetet e organizimit politik dhe kushtetues jugosllav dhe pa qenë në dijeni të ndryshimeve politike rajonale e globale. Kjo vlen sidomos për evropianët të cilët mendojnë se Kosova e pavarur ka rënë nga qielli. Fatkeqesisht këtë lexim të pasaktë e ka sot edhe një pjesë e politikës shqiptare e cila e zbuloi Kosovën në vitin 2008 pa ia kuptuar as udhëtimin e as vuajtjen.

Sidoqoftë, nocionet dhe realitetet politike do lëvizin sërish sepse realitetet jetësore të individit dhe grupit lëvizin. Ajo që nuk duhet në asnjë rrethanë ta humb kuptimin është qëllimi fisnik i politikës - interesi i përgjithshëm.

Një gjë mos të harrohet, as sovraniteti, as kombi, as shteti nuk kanë vlerë nëse popullit i dhunohet dinjiteti, i cungohet liria dhe i ndalohet shpresa".