Andej-Këtej

Rrezik i pakësimit të ushqimeve në Shqipëri

Pas 30 vitesh mund të jetë e vështirë që në Shqipëri të gjeni vezë apo peshk, grurë apo qepë. Kjo sepse Shqipëria është rradhitur mes vendeve të rrezikuara nga zhdukja e disa ushqimeve, sipas Hartës së Organizatës Botërore të Ushqimit.

Kjo hartë, tregon lidhjen midis niveleve të ndryshme të emetimeve të gazrave me efekt serë dhe shkallëve të ndryshme të adaptimit të mjedisit – se si perspektivat e lidhura me sigurinë ushqimore në lidhje me ndryshimet klimatike do të evoluojnë deri në vitin 2050 (ose 2080). Kjo, sipas tyre do të ndikojë në garantimin  e vazhdueshëm të ujit dhe ushqimit, si dhe në nevojat energjetike të nevojshme për mbijetesë.

Ngrohja globale ndikon jo vetëm në kushtet klimatike, por edhe  në shëndetin e bimëve. Kjo, sepse ngrohja globale dhe të tjera rreziqe që i kanosen globit kanë ndikuar në pakësimin deri në zhdukje të disa lloje ushqimesh bazë.

Harta e ofruar nga Organizata Botërore e Ushqimit tregon vendet më të rrezikuara nga pakësimi i ushqimeve, ndër të cilat Ballkani do të ndikohet, krahas vendeve të kontinentit afrikan apo ato të Amerikës Jugore.