Unë dhe im atë - Nga Eriola Agalliu
- Published in Andej-Këtej
Çdo muzg dal shëtitje me tim atë.
Endemi udhëve, secili me fjalët e tij dhe me ecjen e njëtrajtshme
(gjithmonë më kanë thënë se, edhe nga ecja i ngjaj).
Im atë nuk e ngre zërin kurrë.
Flet për rininë e vet, mbrëmjet kur i recitonte hënës nga ballkoni.
Buzëqesh, kur më flet për muzikën që dëgjonte.
Moxarti ka qenë i preferuari i tij,
por edhe Morandin e shijonte fshehur ndonjë pasmesnate...
Im atë nuk ka preferenca politike.
I zhgënjyer nga ideologjitë e mbrapshta të kësaj toke,
ai shpesh më thotë se, ta duash njeriun është politika më e mirë.
Me njeriun, ka parasysh edhe ata që nuk i njeh, në anën tjetër të botës...
Qenie të tilla jetojnë në mënyrë të padukshme
dhe zërin ia ndiejnë vetëm kush pranë u ka ndenjur,
pavarësisht nga raca e fjalët drejtuar të afërmit...
Im atë gjykon se në këtë botë jemi kalimtarë.
Që Zoti (nuk ka rëndësi emri i tij) na merr e na sjell sipas dëshirës.
Ose sipas mundësive.
Se, ndoshta, edhe ai është i zënë me punët e universit.
(Babai gjithmonë qesh, kur ma thotë këtë,
sikur të dojë të justifikojë Zotin me kaosin që shohim përreth...)
Çdo muzg takohemi bashkë, një copë herë.
Unë dhe im atë.
Kur e ndiejmë që lodhemi, një cigare na duhet për të gjetur fillin e humbur.
E ndez vetëm unë dhe i ulem përbri.
Ndërkohë ai... më vështron i lumtur...
Nga fotografia e vendosur mbi pllakën e bardhë...



