Ylli Dylgjeri: Në Ottawa, me kolonelin rus Sergei …
- Published in Andej-Këtej
13 vite të shkuara, mu desh të trajnohem në një nga bazat më të mëdha ushtarake të Kanadasë (Military Base Borden Ontario). Në kursin tim, kishte studentë nga e gjithë bota. Mes tyre, studionin edhe 5 ushtarakë të lartë rusë.
Ishte hera e parë që më jepej mundësia të jetoj, studioj dhe kaloj kohën e lirë edhe nën shoqërinë ruse. Duhet të pranoj, se ruaj kujtimet më të mira nga komunikimi me ta, aq sa kuptova edhe më qartë kujtimet e tim eti për këtë vend të madh të kulturës botërore.
Një prej studentëve rusë, kolonel Sergei, më ofroi më shumë miqësi. Kish qënë edhe më parë në Shqipëri, me flotën ushtarake që operonte me forcat paqeruajtëse në Mesdhe. Kolonel Sergei, nga natyra, apo nga detyra, ishte edhe shumë kurioz. Pyeste vazhdimisht dhe aktivizohej me pasion në leksione e kohën e lirë. Kjo më bënte ta shpotis me humor. Ti Sergei kur të kthehesh në Rusi, duhet te bësh rubrikën "Dua të di gjithshka".
Një pasdite, gjatë praktikës mësimore të kursit tonë në Ottawa, duke shëtitur në një park e pyes unë: Sergei, çfarë mendon sot politika ruse për mardhëniet mes dy vendeve tona?
Mendohet një çast dhe më kthen përgjigjen e prerë: Ju, Shqipëria, jeni një vend mysliman. Vendi im është i lodhur nga konflikti ushtarak me vendet myslimane.
Kishte parasysh luftën në Afganistan dhe më tej, konfliktet kufitare e deri në Çeçeni.
Ndaj- tha, kur trasmetohet shumë rrallë ndonjë lajm për ju në TV, pritet pa interes nga opinioni, aq më shumë që lajmi shoqërohet me pamje të një sheshi në Tiranë ku falen qindra besimtare myslimanë. Unë, nuk njoh pamje tjetër nga vendi yt!
Dmth. ju mendoni se Shqipëria është një vend fanatik mysliman? -vazhdova unë.
Po - tha, bile dyshoj, se ti duhet të jesh i emigruar në Shqipëri. Nuk je mysliman! Ndaj edhe të jap edhe miqësi pa frena.
Në këtë moment nuk durova më dhe i them:
Unë jam i fesë myslimane Sergei. Gjyshërit dhe prindërit e mi kanë emrat tipikë myslimanë. Dhe i them ndërkohë emrat.
Çfarë ritesh dhe sjelljesh myslimane ke vërejtur te unë në këto kohë? Ke shëmbuj?
Asgjë! Ska mundësi! - thotë. Nuk e besoj!
Atëherë i nxjerr një dokument dhe i tregoj emrat e prindërve. Ndërkohë i shoh mërzitje dhe sikletosje në sytë e tij.
Më pas, më vjen një shpërthim me zë: Politikaaa Ylli, politikaaaa! Ne rusët, jemi skllevër të saj në histori.
Unë për vete vazhdova të mendoj për pamjet e besimtarëve myslimanë të ulur në rrugë, në sheshin Skënderbej …
Për Moskën zyrtare, ato ishin një ilustrim jo miqësor i fytyrës së vendit tim.
Në kohën kur ka zhvilluar trajnimin në Ottawa, autori ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Rendit Publik



