Andej-Këtej

Çështja e paqenë e detit - Promovohet libri i ri i diplomatit Shaban Murati mbi marrëdhëniet me Greqinë

Diplomati dhe publicisti i njohur Shaban Murati nuk e dinte se negociatat me Greqinë për çështjen e detit do të rinisnin pikërisht në momentin kur ai do të publikonte librin e tij të radhës.

Botimi i ri që analizon marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë dhe specifikisht “paktin detar”, u promovua dje në kulmin e debatit politik për këtë çështje. Libri i dedikohet kryesisht negociatave dhe marrëveshjes së 9 vjetëve më parë, të cilën autori e përkufizon si një gabim diplomatik.

“Gjithë procedura e ndjekur në bisedime, gjithë dinamika e dosjes së detit të lënë shijen ose të çojnë në përfundimin që aty ka pasur një bashkëfajësi apo një intrigë diplomatike të të dyja palëve”,-u shpreh autori.

Libri i Ambasador Shaban Muratit dhe tema e negociatave që do rinisin së shpejti, ka ngacmuar reagimin e shumë diplomatëve të tjerë dhe historianëve të pranishëm që dhanë opinionet e tyre se nga duhet të nisin këto bisedime.

Fjalën hapëse e mbajti botuesi i njohur, Mehdi Gurra e më pas kontribuuan personalitete të tjera. Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, anëtar i Grupi aktual negociator apo ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Sadushi, e vlerësuan librin e Muratit si një kontribut të vlefshëm në hapësirën diplomatike.

Ambasador Çlirim Çepani tha se “burimet e mëdha naftëmbajtëse të zbuluara kohët e fundit në detin Jon vunë në lëvizje diplomacinë greke dhe lobet pro-greke ose “Kalin e Trojës”, ndërsa historiani i njohur Pëllumb Xhufi u shpreh se “politika shqiptare ka punuar për ta heshtur apo për ta fshehur axhendën shqiptare në marrëdhëniet me shtetin grek”.

Libri titullohet “Çështja e paqenë e detit: një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”. Eshtë botuar në shqip dhe në anglisht dhe në brendësi janë publikuar edhe dokumente të ndryshme nga arkivi i Ministrisë së Jashtme për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi që nga viti 1967.

Burimi: Gazeta Shqiptare