Shkup – Pse u vetëdorëhoq Ministri i Drejtësisë?
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Xhevdet Nasufi
Edhe pse Ministri i Drejtësisë Bulenti u vetëdorëhoq nga pozita, ka mundur këtë të mos e bëjë si të gjithe ministrat e deritanishëm të Drejtësisë, ama edhe të tjerët të prejardhjes së njejtë politike, ndoshta me gjynahe më te mëdha. Objektivisht mund të përceptohen dy arsye më paresore për këtë.
E para, konsiston në marëveshjen e faktorëve relevant të qeverisë që ja kanë adresuar kërkesën për dorëheqje Ministrit me qëllim që të devijohet dhe të mos pranohet, sidomos për opinionin shqiptar se gjoja po veprohet për dhe rreth rastit të Almir Aliut.
Fundja, në përputhje me këtë është edhe veprimi i Artanit të “fuqishëm” i cili politikisht manipulon familjarët e Almirit në kabinetin e tij për fatkeqsinë që i ka mbuluar, siç bëri në fakt edhe më rëndë prokurori i pacipë i shtetit (sigurisht kanë qenë mirë të koordinuar midis tyre nga qendra) i cili në mungesë të ndjesisë dhe respektit human, në mungesë të etikes profesionale, miklon familjarët me demagogji të paparë dhe morbide politiko-profesionale në mbrojtje të prokurorëve që janë vartës të tij. Edhe më keq se kaq, publikisht ledhaton prokurorët e “padëgjueshëm” shqiptarë pas kërcënimit, se këtë radhë nuk do i largojë nga puna … por, mendjen në kokë …
O tempora o mores! Dorën në zemër, kur shikon trokitjen e familjarëve ku duhet e ku nuk duhet, fillon rrënqethja nga keqardhja, ama kuptohet edhe dhimbja e cila të çon edhe te dera e dushmanit për derman.
Së dyti është veprimi vetanak i Bulentit si akt moral i cili edhe do ishte imoralitet të komentohej më tej. Pavarësisht, akti i vetëdorheqjes nga funksioni duhet çmuar si vetanak dhe fillim praktike pozitive ndër shqiptarët me reflektim pozitiv për të nesermën. Por në gjithë këtë “holocaust” do ishte e dobishme transparenca, së pari nga vet Bulenti, por edhe nga Zaevi si mandatar, por edhe Aliu që përcakton politiken e kuadrit në BDI. Për keqardhje, transparenca mungoi. Deklarimi publik i Bulentit nuk e kënaq kureshtjen qytetare, por edhe me pak atë politike, profesionale dhe të familjarëve të ngulfatur në dhimbje.
Si ish-Ministër i Drejtësise ma thotë mendja se edhe mund të rradhiten disa skicime që mund të na afrojnë tek e verteta, pa hamendësime konspirative se pse u tërhoq nga pozita Ministri i drejtësisë.
Së pari, në qoftë se kualifikimi i veprës penale tek vrasja e Almirit është arsye e dorëheqjes vallë, a nuk duhet shkarkuar së pari prokurori që ka pergjegjësi direkte për këtë, bile me kërkesë dhe insistim të vetë Ministrit që edhe funksionalisht mbulon edhe këtë institucion?
Së dyti, vallë Ministri nuk e di se procedura penale nuk është kryer as në shkallën e parë dhe kualifikimi dhe rivlerësimi i veprës penale varet edhe nga gjykatat e të gjitha niveleve, përfshirë dhe të gjitha nivelet e organit të akuzës dhe hetuesisë?
Së treti, vallë Ministri do ishte me i dobishem për rastin e Almirit, që është në procesim me status “në dorëheqje” apo pa këtë status që objektivisht e zvogëlon dhe minimizon nevelin e influencës por edhe autoritetin meritor të tij?
Së fundi, dilema pragmatike, pse u terhoq ministri nga fushëbeteja para se të mbarojë lufta?
Vlerësoj se vetëdorëheqja e Ministrit sa është e pakuptimtë dhe konfuze, aq është e dëmshme per rastin e Almirit, të cilit sipas te gjitha indikacioneve ju mor jeta nga urrejtja fashistoide që përputhet me propagandën gebelsiane serbe. Dhe, motivi i dytë parësor per dorëheqjen mund të jetë BDI dhe Zaevi, apo kerkesa e tyre për këtë.
Është e vërtetë se gjyqësori është nyja më e dobët e mosfunksionimit të shtetit. Reformat që i rekomadoi i mirënjohuri Reinhard Priebe (kam patur fatin të bashkëkryesoj takime të rendesishme në Bruksel me të, me interes për Maqedoninë në vitin 2001, gjatë luftës), posaçërisht në gjyqësor jane parakushti më themelor që vëndi të nisë rrugën drejt mbarësisë.
Ato reforma në gjyqësor jo që nuk kane nisur, por interferohen informacione dhe të dhëna të mjegullta, aspak afirmative për të njejtin pushtet. Në përputhshmëri me këtë, Ministri i Drejtësisë funksionalisht është i lidhur me gjyqësorin, prandaj edhe mund të ketë shpërputhje mes funksionit të tij dhe reformave të gjyqësorit.
Është e natyrshme të ketë shpërputhje më në fund apo abuzime të tjera, kur pothuajse është i dukshëm fakti se gjyqësori është dorë e zgjatur e politikës. Edhe aq më rëndë dhe më e papranueshme, është raporti i gjyqësorit me shqiptarët. Tani e disa vite, si legat i së kaluarës ky gjyqësor akoma denigron shqiptarët nëpërmjet proçeseve të sajuara. Vallë si mundet në Evropë të ndodhë që 15 vjet të kalohen në burg, që pastaj të lirohen njerëzit e të konstatohet pafajësia? Gjithë kjo bëhet e rëndë dhe tragjike gjatë kohës kur dikasterin e drejtësisë e kanë drejtuar shqiptarët. Non sens që çke me te!
Mirëpo, për tërë këtë “holokaust” nuk mund të mbajë përgjegjësi vetëm ky Ministër i Drejtësisë. Asnjë pushtetbërës shqiptar apo joshqiptar nuk mund të amnistohet nga përgjegjësia për tërë këto të bëra dhe të pabëra tani e në të kaluarën e largët. E them këtë edhe për një arësye, banale në dukje ama kuptimplotë. Që të mos përsëritet historia, por as Sopoti, Monstra e sa e sa raste të tjera që shkumbohen për drejtësi, shtet të së drejtës dhe barazi me të tjerët.
Është koha që në emër të drejtësisë të mos flasë politika. Kjo është shumë e rëndë dhe autori i këtyre rreshtave më së miri e ka përjetuar atë peshë. Askush nuk duhet të jetojë me hamendjen se lëvizjet e vendosura të faktorit ndërkombëtar (SHBA dhe BE) për integrimin e Maqedonisë janë të kushtëzuara nga angazhimet e politikbërësve në Maqedoni (përjashtim Zaevit, Sheqerinskës, Dimitrovit), e më së pakti të atyre shqiptarë. Tërë këto lëvizje dinamike dhe intensive janë rrjedhojë e interesave të qytetarëve të Maqedonisë dhe të interesave gjeostrategjike të miqve tanë të çmuar amerikanë dhe evropianë.



