Jetesa në Lindje të Gjermanisë 30 vjet pas ribashkimit - Nga Auron Dodi
- Published in Andej-Këtej

Auron Dodi - Bon
Është kapërcyer në masë të madhe ndarja e thellë midis Perëndimit dhe Lindjes, që pati 40 vjet socializëm me RDGJ. Kjo vlen për lirinë e demokracinë; për kushtet rajonale të jetesës dhe për fuqinë ekonomike. Ky është konstatimi në raportin e Marco Wanderwitz-it, të Ngarkuarit të ri të qeverisë gjermane për landet lindore të Gjermanisë, pra për landet Meklenburg-Forpommerani, Brandenburg, Saksoni-Anhalt, Saksoni dhe Tyringen, që më parë kanë qenë territor i RDGJ.
I ngarkuari i qeverisë gjermane tha të mërkurën (16.09.2020) se fuqia mesatare ekonomike e landeve lindore me Berlinin është aktualisht 79,1 përqind e mesatares së Gjermanisë. Pra është katërfishuar prej vitit 1990.
Fuqia ekonomike e landeve të Lindjes gjermane, në këtë mënyrë tani është e krahasueshme me fuqinë ekonomike të shumë rajoneve franceze. Njëkohësisht nuk duhet harruar se: asnjë land i Lindjes nuk e ka arritur fuqinë ekonomike të landit më të dobët ekonomikisht të Perëndimit të Gjermanisë.
Shkaqet e prapambetjes ekonomike
Në Lindje mungojnë edhe më tej rajone të forta ekonomikisht, ku të ketë një dendësi të madhe vendesh pune; rajone që mund të ishin me interes për sipërmarrje të mëdha, me orientim ndërkombëtar, p.sh. në fushën e kërkimeve.
Është fakt edhe se qendrat e konsorciumeve të mëdha ndodhen të gjitha në Perëndim të Gjermanisë. Kjo bën që landet lindore të mbledhin më pak taksa, pra të kenë më pak të ardhura. Në fakt, kjo ka qenë historikisht kështu, edhe para RDGJ-së: konsorciumet e mëdha kanë qenë të përqendruara në Perëndim të Gjermanisë.
Veç kësaj, vazhdon ikja e njerëzve nga Lindja drejt Perëndimit të Gjermanisë. Aktualisht janë kryesisht të rinjtë që ikin. Numri i banorëve në Lindje tani është aq sa ka qenë në vitin 1905.
Ka edhe kthime në Lindje të Gjermanisë. Por numri i kthimeve nuk i kalon rregullisht largimet. Në këto kushte, shoqëria në Lindje të Gjermanisë po plaket me shpejtësi. I ngarkuari i qeverisë gjermane tha se vjetërimi strukturor i shoqërisë lindore mund të kompensohet vetëm me migrantë. Që në Lindje, jo rrallë, janë të padëshiruar. Ai tha se po të mos paraqitën tërheqës për migrantët landet lindore, atëherë imigrimi atje "nuk do të ndodhë".
Njëkohësisht edhe në Lindje ka gjëra pozitive për t'u veçuar. Në Jena, për shembull, është krijuar një bërthamë industriale shumë moderne dhe inovative për optikën dhe fotonikën. Në trekëndëshin Dresden-Chemnitz-Freiberg industria e çipave elektronikë është një nga adresat kryesore në Evropë.
Emigrantët shpesh të padëshiruar në Lindje
Nga njëra anë kjo shpjegohet me traditën, pasi RDGJ ka qenë shtet i mbyllur, si shtet komunist që ishte. Punëtorët e paktë që vinin në RDGJ nga shtete socialiste, si p.sh. nga Vietnami, jetonin në blloqe banimi, të veçuar.
Nga ana tjetër: në raport thuhet se në landet lindore ekstremizmi i djathtë është veçanërisht i përhapur; se radhët e partisë ultra të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD, vazhdon të mbushen përditë me anëtarë të rinj. Dhe në Lindje mbushen kryesisht me ekstremistë të djathtë.
Në Lindje ka probleme edhe për demokracinë. Vetëm një në katër vetë e sheh në Lindje demokracinë si formën më të mirë shtetërore. Kurse në Perëndim të Gjermanisë, janë 91 përqind që e thonë këtë. Raporti konstaton se në Lindje ka edhe një tendencë për ta paraqitur të zbutur natyrën represive të Republikës Demokratike Gjermane si shtet.
Sa gjermanolindorë ka në postet drejtuese në Gjermani?
Një deputet i partisë E Majta, partisë ku është shkrirë partia shtet e RDGJ-së, Partia Socialiste e Bashkuar, e kritikoi raportin se ai zbukuron.
Ai tha se gjermanolindorët ndihen në pikëpamje sociale si njerëz pa rëndësi. Meqenëse vetëm 3 përqind e gjermanolindorëve mbajnë pozicione drejtuese në Gjermani, kur popullsia e Lindjes së Gjermanisë, është 17 përqind e popullsisë së gjithë Gjermanisë. Gjermania ka aktualisht 83,02 milionë banorë.
Deputeti i Së Majtës kujtoi edhe se në Lindje punohet më gjatë dhe fitohet shumë më pak se në Perëndim. Po edhe raporti i qeverisë gjermane pranon se këtu duhet bërë më shumë. Kështu në komisionin që zgjedh gjykatësit në Bundestag tani nuk ka diskutim që kur të zgjidhen gjykatësit federalë, të shikohet që ata të vijnë edhe nga Lindja e Gjermanisë.
30 vjet pas ribashkimit mbizotërojnë problemet apo suksesi?
I ngarkuari i qeverisë gjermane për Lindjen tha shprehimisht se “gjen më shumë gjëra që bashkojnë se gjëra që ndajnë”. Afrimi i kushteve të jetesës po avancon, por shumë ngadalë.
Nga ana tjetër, që prej ribashkimit në 1989 Lindja i ka dhënë impulse pozitive edhe Perëndimit. Për shembull që të dalin më shumë femra nga shtëpia për të punuar, të mos rrinë shtëpiake. Në shtimin e numrit të kopshteve ditore në Perëndim, apo edhe në arsim. Në sajë të traditës atje, edhe sot në Lindje të Gjermanisë ka p.sh. rrjet më të dendur kopshtesh e përkujdesjeje sociale./DW Shqip



