Andej-Këtej

Pranvera e Agim Xhafkës

Nga: AGIM XHAFKA

Jam me fat që edhe në Tiranë, edhe ne Amerikë kam plot pemë përballë shtëpisë sime. Sa ato nisin të çelin ndjej më shumë mall se sa gëzim. Mall për atë blirin që kisha poshtë ballkonit në Korçë, te shtëpia ku linda. Gjethet e saj, aroma si morfinë dashurie, më ngrohin ende zemrën dhe stomakun ma mbushin plot e plot lulka. Ishte festë ardhja e pranverës. E shijonim shumë ngaqë gazin e kishim me pikatore. Patëm ditëlindje, por jo dhurata, patëm shkollë, por jo rroga, patëm dëshira, por jo dyqane, kishim ëndërra, por jo gëzime, kishim pasione, por jo zjarr të digjeshim...

Jetonim ditën për atë ditë, flinim gjumin e asaj nate. Ja pse zgjeronim mushkëritë e haresë me hovet natyrore, me ndërrimin e stinëve. Lumturoheshim e deheshim nga një syth e gjethe e çelur apo nga një top dëbore që na shijonte si lëng eleksiri i bardhë. Pranvera vjen me afshe kurdo, në çdo moshë ajo nxit gjakun të të lëvrojë. Por shtëpia e fëmijërisë ma sjell me DHL blirin e moçëm. Është fiks java që ai rënkon nga që nxjerr gjethet dhe sa herë e kujtoj me siguri e ze lemza ndaj më nis aromën e tij që më turbullon e më bën të hap vrik linkun e kujtimeve të mija. Pranvera vjen me diell e gjelbërim, por dhe me kohën që kap përdore fëmijërinë e na i sjell mes thinjave, si qengji kur sulet të pijë tek e ëma e vet. Welcome!- stina ime e shtrenjtë, të dua më shumë se 50 vjet më parë, të ndjej më fort se atëherë kur ende nuk kisha lindur e tundesha tek lëngu i jetës i mëmës sime...

Të dua, se je jetë, se je jeta...