Pse rrezikohet më fort Gjermania në valën e dytë të COVID-19? - Nga Auron Dodi
- Published in Andej-Këtej
Gjermania e kaloi fazën e parë të pandemisë më mirë se shumica e shteteve të tjera. Në këtë valë të re të Covid-19, është nga shtetet më të rrezikuara.
Gjendja në Gjermani nuk është e mirë. Të enjten (17.12.), për herë të parë, pati rreth 1000 të vdekur brenda 24 orësh. Të premten u raportuan mbi 33 mijë infektime të reja, brenda një dite. Po të kujtosh se në Gjermani, në fazën e parë te pandemisë shifra maskimale e infektimeve ishte 6000 infektime në ditë, del më në pah ndryshimi. Përsa i përket numrit të përgjithshëm të të vdekurve: janë mbi 24.000 të vdekur gjithsej. Pa asnjë dyshim, çdo jetë e humbur është shumë.
Por megjithatë shifrat ende mbeten më të ulëta se në shtetet fqinjë me Gjermaninë. Njëkohësisht ritmi i shtimit të infektimeve është shqetësues.
Kjo e bëri politikën të shpallë që prej së mërkurës (16.12.), fillimisht për tre javë e gjysmë, një mbyllje të re të jetës publike. Me përjashtim të bizneseve me rëndësi jetësore si p.sh. farmacive, dyqaneve të ushqimeve, postave ose pikave të karburantit, të tjerat janë mbyllur. Por nuk ka ndalim të përgjithshëm liri-daljeje, si ka pasur p.sh. në Francë apo në Spanjë. Vetëm Bavaria dhe Saksonia kanë ndaluar lëvizjet natën.
Shkaqet për keqësimin e gjendjes
Sipas Institutit Robert Koch, shkaqe logjike nuk ka. Ajo që diskutohet është radha e masave që u morën apo duhet të qenë marrë. Konstatohet që shtetet aziatike, me përvojë më të madhe me pandemitë këtë mijëvjeçar, reaguan me masa ekstreme drastike që në krye.
Në Gjermani ka tani konsensus për faktin se mbyllja drastike e jetës publike duhet të qe bërë një muaj më parë, jo vetëm tani. Atëherë kur nisi rritja eksponenciale dhe kancelarja Merkel e kërkoi këtë nga rajonet, landet federale.
Por në lande numri i infektimeve ishte i ndryshëm. Kështu që u ra dakord vetëm për një mbyllje të lehtë, që nga shumë njerëz këtu, në fakt, as u ndje si mbyllje. Nga sipërmarrjet po. Me shtimin e aktiviteteve tregtare për festat e fundvitit, u shtuan edhe infektimet.
Një faktor i dytë që ndikoi keqësimin ishte edhe një ndjenjë e gabuar e sigurisë. Shumë njerëz njihnin dikë që e kishte kaluar lehtë Coronan. Por spostonin në mendje ata që kishin ndërruar jetë. Kjo çoi në rritje të infektimeve dhe më dukshëm kjo u pa në landet lindore të Gjermanisë, që në valën e parë të pandemisë u prekën tepër pak.
Në përgjithësi, në Gjermani, tani incidenca është e lartë. Më shumë raste se Gjermania tani kanë vetëm Italia dhe Britania e Madhe: Gjermania ka pasur së fundi 341 raste për 100.000 banorë për 14 ditë. 428 raste ka pasur Italia, 348 Britania e Madhe. Por Franca ka pasur më pak: 236 raste për 100.000 banorë, brenda 14 ditësh.
Ku infektohen më shumë njerëzit në Gjermani
Një nga vatrat kryesore mbeten ambjentet private. Kjo i ka bërë autoritetet që t'u rekomandojnë njerëzve të mbajnë maskë edhe kur të takohen për Krishtlindje me njerëz të familjes, me të cilët nuk banojnë zakonisht në një shtëpi.
Burim tjetër i njohur i infektimit janë shtëpitë e përkujdesjes për të sëmurët kronikë, shtëpitë e pleqve. Në dallim nga spitalet, në këto ambjente është më vështirë që të kontrollohen të gjithë ata që hyjnë. Qeveria po mendon të futë teste të detyrueshme për vizitorët. Por për këtë nevojitet më shumë personel sanitar.
Pse nuk i nisi më pare vaksinimet Gjermania?
Në Gjermani vaksinimi pritet të fillojë në datën 27 Dhjetor, pasi në datën 21 Dhjetor pritet licensimi i vaksinës së Biontech në BE. Deri në mes të Janarit pritet të licensohet në BE edhe vaksina e Modernas. Dhe kjo është një rreze shprese në horizont.
Vaksinën e parë kundër Covid-19, me të cilën po kryhen vaksinime në Britaninë e Madhe dhe në SHBA, e krijoi laboratori gjerman Biontech, i cili më vonë mori si partner Pfizer-in amerikan. Po pse nuk e licensoi Gjermania vetë vaksinën e shpikur në Gjermani, të Biontech/Pfizerit? Këtë qeveria gjermane e kishte në dorë ta bënte.
Së pari, për të treguar solidaritet në BE me shtetet e tjera të BE, me numër edhe më të madh viktimash se Gjermania dhe që janë në pritje të vaksinës. Nëse ka një mendësi të përbashkët në BE, ajo duhet të tregohet në veprime solidare, kur ka kriza, tha ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn.
Së dyti, për t'u siguruar për efektet anësore, që vaksina të kalonte një procedurë të rregullt licensimi në BE. Testimet paraprake në SHBA mendohet se nuk janë kaq rrënjësore sa në BE.
Së treti, ndoshta edhe për të mos krijuar përshtypjen se fillimi i vaksinimit do të ishte fundi i pandemisë dhe një sinjal për shkujdesje.
Për momentin, mendohet se personat që do të vaksinohen, vetë do të jenë imunë, për gjashtë muaj të paktën. Mendohet se virusi, ata, nuk do t'i dëmtojë më. Por ende nuk ka të dhëna të mjaftueshme për ata që kanë qenë më parë të infektuar me Covid-19: se po e rimorën virusin ata, a ua përcjellin atë apo jo të tjerëve.
©Auron Dodi - DW Shqip



