Andej-Këtej

Uria e mallit të pashuar

Nga: Agim Xhafka

Çdo ditë në Facebook shoh plot foto me ushqime. Sidomos nga emigrantët. Bollëk i madh. E di që nuk e bëjnë për zili ndaj shqiptarëve të varfer në atdhe. Nuk tregojnë tavolina me mishra e pije për të thënë sa të pasur janë. Rreshtojnë pjatat që t’i mbushin mendjen vetes se ia vlejti që e braktisëm atë vend me sherre, me hajdutë, me trafikantë e vrasës. Zbutin dhe dhembkën që lanë pas.

Por sa ngrihet e pastrohet ajo tavolinë, sa hiqen pjatat e shishet, askujt nuk i vjen në fyt gromësima e kënaqësisë. Se ndër tru nis shëtit malli për ata që ke lënë larg.

Për prindërit, fisin, varret. Për çastet kur puthe së pari, kur fjete me këpucët e reja poshtë jastëkut, kur pe blirin që çeli e të spërkati me aromë, kur gjyshja të veshi çorapet që i beri për tërë natën me shtizat e gjera, kur babai të përqafoi për dhjetën e aritmetikës, kur recitove pa e harruar vjershën, kur të erdhi krejt klasa në spital se u operove nga bajamet ...

Eshtë një botë e tërë qe kemi lënë pas. Rendëm e vrapojmë përditë për një tavolinë a një makinë, por humbëm veten, zbehëm kujtimet, hirnosëm ëndërrat.

Dukemi të ngopur në dreka e darka atje larg, shumë larg. Ndërsa shpirti ka uri, shumë uri për atë cepin e vogël, që në glob nuk duket, është sa një thërrime, por që zemrën e kujtdo e bën thërrime, thërrime çdo ditë, çdo natë, përherë ...

Godet papushim si pika e shiut mbi gurin e pragut të shtëpisë. Pik, pik, pik ...

Ah, uria e mallit të pashuar!