Andej-Këtej

Vendi i bekuar i shkelur nga një turmë

Nga: Ndue Ukaj

"Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë”, shkruante Faik Konica te "Shqipëria si mu duk", më 1929.

Ky gjykim i Konicës, i ashpër, por real, edhe pas kaq dekadash, shporon si heshtë në zemrën e gjitha atyre që e duan kombin shqiptar të emancipuar dhe të përparuar, si gjithë popujt tjerë të Europës.

Konica na ravijëzon parasysh një të vërtetë të dhimbshme, që nganjëherë tentojmë ta fshehim, edhe pse e dimë se dielli nuk mbulohet me shoshë.

Ndonëse kanë kaluar shumë kohë dhe realiteti shqiptar ka përjetuar transformime të shumta, këtij mendimi të Konicës nuk mund t’i heqësh asnjë fjalë.

Popujt emancipohen dhe zhvillohen. Ata pendohen për gabimet që bëjnë dhe i lënë prapa paudhësitë e prapështitë, ama turma shqiptare, që ushqen një urrejtje kundër bukurisë, vazhdon të shkelë mijëra bukuri të tokave tona. Jo vetëm ato të natyrës, por edhe të konstitucionit politik e shpirtëror.

Dhe, kjo turmë, nuk reduktohet, por rritet.

Prandaj, edhe pas një shekulli, kudo ku ka shqiptar, dëgjohen klithmat e Andon Zako Çajupit:

“Gjithë vendet gëzojnë,

Ti, Shqipëri, pse pushon?

Gjithë vendet këndojnë,

Ti, Shqiptar, pse rënkon?”

Shqiptarët e shekullit XXI, rënkojnë. Ata, ndonëse shkruajnë dhe flasin shumë dhe të lirë, prapëseprapë, hezitojnë ta shohin realitetin ashtu siç vërtet është.

Në këtë atmosferë të rënduar, na vjen si kambanë alarmi, thirrja e At Zef Pllumit:

“Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?... Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve. I thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi. Na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën... Shka na mungon ne që mos të jemi si europianët  e tjerë? Toka, jo. Dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut."