Andej-Këtej

Dilema e mërgimtarit

Nga: Mustafë Ismaili

Jeta e një mërgimtari ështe një jetë e dyfishte. Ajo që ai e jeton çdo ditë këtu në kurbet dhe ajo që i qëndron mbi supe e nuk i hiqet asnjëherë si barrë e rëndë nga e kaluara.  

Kjo e dyta, jeta e vendlindjes, çdo dite e më shumë ia ndez shpirtin. Ia ndez për atë që degjon dhe përjeton nga larg teksa sheh mundësinë e kthimit të zbehet. Koha që kalon e pesha e saj që rëndohet, e bën të kuptojë sa vështirë është të mbash dy kunguj në një sqetull…

Jeta e mërgimtarit është e dhimbshme. Sa më shumë jeton e vepron jashtë vendlindjes, njerën jetë e jeton e tjetrën e humb duke u tretur këtu në dhe të huaj.

Meditoj dhe e ndjej që mendja s’më hiqet asnjëherë nga vendi ku kam lerë. Teksa kujtoj atë që ka kaluar, mendja përsëri më thotë që gabim e kanë ata që na e kanë lakmi jetën tonë në kurbet.

Me sa duket jeta jonë e dyfishte ka edhe vlerë edhe perceptim të dyfishtë. Ndryshe na perceptojnë ata që kemi rrotull këtu, ndryshe të tjerët atje larg. Këta të dytët mbase na shikojnë si të “privilegjuar” ekonomikisht e më fatlumë.

E pikërisht aty mbase lind edhe një xhelozi e paarsyeshme dhe bie niveli i respektit… e për rrjedhojë vjen moskuptimi për vuajtjet tona nga pasojat e kurbetit dhe malli që kemi për vendlindjen… malli për njerëzit e gjallë apo të vdekurit që ndofta nuk patëm rastin t’u japim lamtumirën e fundit.

E pra në jetën e mërgimtarit është e pashmangshme kjo dilemë. Sigurisht janë edhe pasojat e luftës që kanë ndryshuar shumë gjëra nga ato që unë mbaj mend. Dikur atje ishte solidariteti, respekti e mirënjohja e ndërsjelltë… Sot, shumë mërgimtarë ankohen se nuk e gjejnë më këtë respekt në vendlindje sikurse para luftës. Largësia ka bërë të vetën …

Kjo për fat të keq është kriza jonë morale si rezultat i harrimit apo mosnjohjes së vlerave që i kemi patur. E kjo është një krizë që na dëmton dhe na e cënon integritetin tone shpirtëror.

Duhet t’i rikthehemi sërish mendoj shumë vlerave të traditës. Duhet t’i kthehemi edukatës dhe kulturës së solidaritetit e mirëkuptimit, vlerave që na kanë bashkuar gjithmonë, në trojet shqiptare apo në diasporë. Ky eshte detyrim dhe përgjegjësi e secilit prej nesh.

Ka ardhur koha të përballemi më dilemën dhe të vertetën e dyzimit e t’a kapërcejmë atë dukë u ndjerë sërish se i përkasim njëri tjetrit edhe ne ketej në kurbet, edhe ata që jetojnë atje në vendlindje.

Mustafë Ismaili, poet dhe prozator me origjinë nga Kosova, është autor i disa romaneve dhe vëllimeve me poezi. Aktualisht jeton në Toronto.