Macron: Nuk duhet që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë
- Published in Andej-Këtej
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se duhet të ketë një ofertë të besueshme për Ballkanin Perëndimor, pasi, sipas tij, ekziston rreziku i rritjes së ndikimit të fuqive të huaja në vendet e rajonit.
“Para nesh ka një rrezik gjeopolitik nëse Ballkani Perëndimor lëviz drejt Turqisë ose drejt Rusisë. Ky është rrezik”, - deklaroi Macron.
Ai foli para Parlamentit Evropian, ku theksoi nevojën e një pragmatizmi nga ana e BE kur është në pyetje Ballkani Perëndimor.
Ai tha se mbron një qasje të dyfishtë. Përafrimin e rajonit drejt Evropës, por edhe reformimin e brendshëm të tij përpara anëtarësimit.
“Nuk duhet që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë, por nuk duhet edhe që Evropa të ketë probleme të funksionojë me 28 anëtarët e saj, ndërsa nga nesër do të jenë 27. Ndoshta në disa vite të ardhshme do të vazhdojë me 30, 32 anëtare nën të njëjtat rregulla”, - u shpreh kreu i Francës.
Ky ka qenë fjalimi i tij i parë në Parlamentin Evropian qysh nga marrja e detyrës si President.
Franca është në mesin e atyre vendeve të BE-së që nuk duan ta lidhin me afate kohore zgjerimin e bllokut.
Burimi: gazetaexpress.com



