Për ata që gjuhën shqipe po e çojnë në mjerim
- Published in Andej-Këtej
Shkruan: Sejdin Cekani -Botues
Rastisi të lexoja sot për një libër të përkthyer në gjuhën shqipe. Në tri fjalët e titullit kishte dy gabime të pafalshme gramatikore. (Nuk po futem në hollësitë e përkthimit apo mënyrën si janë ndërtuar fjalitë, sepse merret me mend që janë lesheli.)
Shtëpisë botuese nuk po ia përmend emrin thjesht për etikë, por mund të them se, po të ishte botuar një libër i tillë në ndonjë vend tjetër, askush nuk do ta zinte me dorë. Madje jo vetëm kaq. Botuesi mund të përballej edhe me detyrime ligjore për mosrespektim të normave dhe rregullave të gjuhës amtare.
Libri nuk duhet të jetë thjesht dhe vetëm mjet fitimi për botuesit shqiptarë. Mbi të gjitha ai përhap dije e kulturë te lexuesit. Doemos edhe kulturën e shqipes së shkruar.
Lexuesi i çdo kategorie dhe moshe merr përmes librave edhe modele “të gatshme” për mënyrën si duhet shkruar shqipja. Kësisoj, rasti që u përmend më lart imponon modele tejet të gabuara. Edhe nëse një lexues e ka të ngulitur ndjenjën gjuhësore, ai nis e dyshon për dijet e tij. Me të drejtë mendon se libri që ka në dorë vjen nga një shtëpi botuese, se aty duhet t’i jetë nënshtruar redaktimit dhe korrekturës letrare nga profesionistë të fushës, se nuk mund të jetë aspak normale që në disa shtëpi botuese nuk respektohen as normat më elementare të përkthimit dhe gramatikës së shqipes.
Dhe kur, në një rast tjetër, në faqet e një libri artistik të përkthyer nga anglishtja, lexon se “... zonja X po ecte përgjatë Pierit 6 me jakën prej tapeti ngritur prej erës së ftohtë të detit...”, (në të vërtetë zonja në fjalë “po ecte përgjatë molit numër 6 dhe kishte ngritur jakën prej pelushi”), atëherë lexuesi e kupton se i ka rënë në dorë një libër prej një “përkthyesi” mjeran dhe një botuesi të papërgjegjshëm.



