Foto që na qërrojnë sytë, kronika që na rrënojnë imazhin
- Published in Andej-Këtej
Shkruan: Lisen Bashkurti
Kur ngrihemi në mëngjes dhe ndjekim përmbledhjen e shtypit si ushqimin e parë, tronditemi me kronika të zeza plot vrasje, vjedhje, akuza, droga, armëmbajtje pa leje, korrupsion...
Dalim nga shtëpia për një kafe që të na hapë sytë. Ulemi në bar dhe pa vetëdije "shoqërojmë" kafenë e shumëpritur me faqet e para të gazetave të mbushura me portrete vrasëshish, banditësh, komandantësh, pengmarrësish, përdhunuesish, falsifikatorësh...
Ngrihemi nga kafeja dhe shkojmë në zyrë për të nisur ditën e re të punës. Hapim kompjuterin për t'u njohur me mediat on-line, për më shumë gjeografi dhe burime informacioni. Nën head-line-et plot reklama menjëherë goditemi me tituj, titra, foto e kronika të zeza që rimerren nga një portal tek tjetri...
E ndërkohë që tentojmë të ngrejmë "nivelin" e informacionit në elitat politike, na shohin sytë ministra ekzibicionistë, pa kurrfarë kontributi real, deputetë xhepaplot e kokëbosh, prokurorë të akuzuar, gjykatës të shkarkuar, bashkiakë e komunalë të urryer nga qytetarët e tyre.
Ky helm mediatik plot kronika të zeza, përseritet nga dita në ditë tash sa vite në mjediset shqiptare. Kjo lëndë helmatosëse na qërron sytë, na godet mendjet, na rrënon shpirtin, na depresionon psiqikisht dhe na vret besimin dhe shpresat.
Lavdi Zotit që gjuha e bukur shqipe është pak e kuptueshme në botë, sepse kjo tablo mediash shqiptare do tingëllonte një "horror" i vërtetë për opinionin botëror. Megjithatë, edhe në shqip, e keqja "universalizohet" më lehtë dhe me shpejtë se e mira.
Te libri i tij i famshëm "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç’do të bëhet", Sami Frashëri shkruante: "atë emër që popujt i vënë vetes, atë ua vendos edhe bota"...
Mediat shqiptare me fotot A4 të krimit dhe kronikat e zeza me shkronja të mëdha të pafund në faqet e para, po i bëjnë kombit shqiptar një vetëportret karikaturë kaq damkosës ndërkombëtarisht, sa që do na duhen shumë vite për të përmirësuar imazhin shqiptar në botë.
Foto që na qërrojnë sytë dhe kronika që na rrënojnë imazhin, ky është definicioni e mediave tona!



