Dedikim ndaj ish-Ambasadorëve të Brukselit në Rrugën Shqiptare drejt BE
- Published in Andej-Këtej
GENC MLLOJA
Autoritetet shqiptare kanë vlerësuar kontributin e Kreut të Delegacionit të BE-së në Tiranë, Znj. Romana Vlahutin për dhënien e rekomandimit nga Komisioni Europian, që të hapen bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Një veprim i Tiranës zyrtare, që e kërkon protokolli. Por çfarë ka bërë Znj. Vlahutin në këtë mandat të saj është një 'sekuencë' në rrugën e gjatë të Shqipërisë drejt BE-së? Kësisoj u takojnë merita edhe pararendësve të saj, që kanë punuar në një atmosferë politike ndoshta më “armiqësore”. E do të ishte rasti që përfaqësues të maxhorancës së tanishme dhe opozitës së sotme të kthenin kokën prapa për t’i kujtuar ato figura që kanë qenë të pranishëm në çdo etapë, shpesh hërë “luftarake”. Janë shumë ata diplomatë të nderuar, por po kujtoj më të fundit, Ambasadorin Ettore Sequi, që drejtoi Delegacionin e BE-së nga 2010 deri në 2014, një ndër periudhat më nevralgjike për skenën politike shqiptare.
Z. Sequi tani është Ambasador i suksesshëm i Italisë në Pekin, ku kam patur kënaqësinë të jem i ftuar i tij në Rezidencën Italiane më 2017. Mund të them se 2010-2014 ka qenë një ndër periudhat më vitale të veprimtarisë së Delegacionit me një shef që e kishte rezidencën tek “Rruga e Elbasanit”, jo tek “Rolling Hill”. Bashkëbisedimet e tij ishin të rregullta e sistematike me gazetarët kudo në Zyrat e BE-së, në ambientet aty rreth, por edhe në Rezidencën e tij. Çdo zyrtar që vinte nga Brukseli takohej nga gazetarët në sajë të mundësive që krijonte krye-komunikatori Sequi. Për të nuk kishte media të “përzgjedhur”; një zile celulari dhe ai ishte “pronto”, po e them italisht se e shkuara e tij diplomatike në Tiranë e kishte bërë të njihte temperamentin tonë. Kontrast i plotë ai me Ambasadoren e tashme Vlahutin- vetëm një herë e kam takuar dhe statura e saj në bisedë m’u shpalos si e një “prokuroreje” nga Brukseli. Koha po e vërteton meritën e saj në këtë drejtim, pa u futur në pretendimet mediatike për afera që kapërcejnë statusin e saj diplomatik. Kam intervistuar instancat më të larta në Bruksel, e nuk e quaj “humbje” vendin bosh të saj në axhendën time. Ky është jo vetëm mendimi im...
Si zakonisht, mandatet mbarojnë të çdo ambasadori, politikani apo zyrtari tjetër, por kujtimi mbetet. E kush më shumë se gazetarët i mbajnë gjallë. Tash ishte kaq, nesër më shumë. Se zyrat e BE- së do të gumëzhijnë nga të gjithë shqiptarët më fort në të ardhmen veçanërisht pas rekomandimit të Komisionit Europian se, në fund të fundit, ata janë, sikurse thoshte duke na inkurajuar Ambasadori Sequi: "Këto janë zyrat tuaja. Shqipëtarët janë tashmë në BE"!



